Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ylli i dirigjimit në Rusi dorëhiqet duke kundërshtuar luftën

“U jam bashkuar atyre që nuk mund të qëndrojnë të qetë”, ka thënë Thomas Sanderling, udhëheqësi i Orkestrës së Filharmonisë së Novosibirskut në Rusi. Sanderling është një prej top-dirigjentëve në Rusi i cili me ikjen e tij, padyshim që do të jetë një goditje për muzikën klasike të vendit. Por nuk shpreson që vendimi i tij do të çojë peshë te udhëheqësia ruse

Në ditën e 7-të të marsit dirigjenti 79-vjeçar Thomas Sanderling, ka zbritur nga të qenët udhëheqësi i Orkestrës së Filharmonisë së Novosibirskut për në protestën kundër invazionit rus në Ukrainë, megjithëse ai e ka pozicionuar veten kundër një bojkoti të plotë për artin dhe artistët rusë.

Ai nuk është i pari që dorëhiqet nga pozita duke kundërshtuar luftën. Vasily Petrenko, drejtor artistik në Akademinë Shtetërore të Orkestrës Simfonike të Rusisë, ka pezulluar punën e vet në këtë institucion në shenjë proteste.

Sanderling është një prej top-dirigjentëve në Rusi i cili me ikjen e tij padyshim që do të jetë një goditje për muzikën klasike të vendit. I lindur më 1942 në Novosibirsk, i ati i tij dirigjenti gjerman, Kurt Sanderling, kishte ikur nga nazistët dhe ishte vendosur në Bashkimin Sovjetik.

Derisa ishte në Rusi, Sanderlingu i vjetër, kishte krijuar miqësi me emra të mëdhenj të qarqeve muzikore si Dmitri Shostakovich. Duke ndjekur hapat e të atit, Sanderling, i riu, ka punuar me orkestra me nam në Rusi e Evropë. Orkestra e Filharmonisë së Novosibirskut konsiderohet si një nga ansamblet më të rëndësishme në Rusi.

Vendimi për ta lënë detyrën e tij nuk ishte i lehtë, ka treguar ai. Ka thënë se pas asaj që po ngjan në Ukrainë, nuk mund të qëndronte më i qetë.

“Kur udhëheqësia ruse bombardon brutalisht qytetet ukrainase, kur njerëzit vdesin, numri i refugjatëve rritet dhe ligjet shkelen, i bie që të jetë një totalitarizëm... krejt këto më sollën te vendimi se duhet ta lë këtë pozitë”, ka treguar ai.

Sanderling ka thënë se nuk ka iluzione se veprimi i tij do të ketë ndonjë ndikim tek udhëheqësia ruse dhe se ato që thotë janë të parëndësishme për mbështetësit e politikës ruse. “Pavarësisht kësaj, u jam bashkuar atyre që nuk mund të qëndrojnë të qetë”, ka thënë ai.

Qysh në ditët e para të invazionit që nisi më 24 shkurt, një numër i konsiderueshëm i artistëve rusë kanë dalë me deklarata kundër vendimeve të Putinit, përfshirë kryedirigjentin e Filharmonisë së Berlinit Kirill Petrenko, koreografin e baletit të “Bolshoit”, Alexei Ratmansky, i cili e ndali punën për një shfaqje të re në Moskë dhe ylli i popit rus, Sergey Lazarev.

Në ditët e fundit shumë artistë rusë kanë lënë pozitat e tyre ose janë pushuar nga puna nën presionin e mosreagimit ndaj asaj që po ngjan në Ukrainë.

Të hënën e kaluar dirigjenti që llogaritet yll i këtij profesioni, Valery Gergiev, kryedirigjent i Filharmonisë së Münichut, u pushua nga puna pasi refuzoi që të deklarohet kundër asaj që po ndodh në Ukrainë. Tugan Sokhiev la pozitën e tij si drejtor muzikor në “Bolshoi”, pasi u ndje nën presion që të deklarohet rreth gjendjes.

Sanderling ka thënë se nuk ndihet mirë për faktin se figurave artistike po u kërkohet që të dalin kundër asaj që po ndodh në Ukrainë dhe për faktin se po humbasin punën.

“Është e rëndësishme të kesh një pozicion, por nuk mund të të kërkohet një gjë e tillë. Mendoj se është çështje e zgjedhjes individuale”, ka treguar ai.

“Njoh shumë artistë rusë të cilët janë të shqetësuar pasi u kërkohet të marrin anë në cilëndo formë. Dhe mendoj se është po ashtu pjesë e kulturës sonë evropiane që të njohim të drejtat individuale nëse njeriu do të flasë për një temë apo jo”, ka thënë dirigjenti.

Duke iu referuar rastit të Gergievit të Filharmonisë së Münichut, Sanderling ka thënë se zgjedhja e dirigjentit që të mos flasë kundër regjimit të Rusisë “nuk ishte e lehtë për të”. Ai ka thënë se i kupton të drejtat e organizatave të artit që u kërkojnë prijësve që të flasin, por sipas tij, zgjedhja e Gergievit do të implikonte shumë kontakte të tij për faktin se punonte në një organizatë që sponsorizohet nga shteti.

“Familja e tij e gjerë jeton dhe vepron në Rusi, përfshirë teatrin e Mariinskyt. Deklaratat e tij do të mund të kishin ndikim te shumë njerëz”, ka thënë ai me vendosmëri.

Ditëve të fundit ylli rus i operës, Anna Netrebko, është larguar nga interpretimet për dy sezonet e operës “Metropolitan” të New Yorkut pas deklaratës së saj se është kundër luftës — nëpërmjet të cilës nuk e denoncoi specifikisht Putinin — nuk qe e mjaftueshme për udhëheqësit e shtëpisë operistike. Netrebko në të kaluarën ka mbështetur publikisht presidentin e Rusisë dhe është fotografuar duke e mbajtur një flamur të përdorur në zonat separatiste të mbështetura prej Rusisë.

Zhvillimet e tilla kanë ngritur pyetje se edhe sa organizata do të kërkojnë qëndrim nga artistët. Drejtori i operës “Metropolitan”, Peter Gelb, ka thënë se nuk bëhet fjalë për “gjueti shtrigash në art”, ku artistët duhet të zgjedhin pozicionet e tyre dhe ka shtuar se artistët rusë dhe arti rus do të jenë të mirëpritur në institucionin që drejton.

Por ky nuk është rast që haset kudo. Në ditët e fundit, shumë artistë rusë kanë denoncuar një lloj “Cancel culture” në raport me artin e kulturën ruse. Artistë të rinj rusë janë përjashtuar nga gara dhe ka raste kur edhe krijimet e kompozitorëve rusë janë larguar nga repertorët. Në botën e filmit, Festivali i Cannes ka bërë të ditur se nuk do të presë delegacionin e sivjetshëm rus si protestë kundër luftës në Ukrainë. Rusia nuk do të jetë s në “Eurovision”

Gjithnjë Sanderling qëndron këmbëngulshëm kundër ndalimit të kulturës.

“Kritikat ndaj asaj që bën Rusia nuk duhet të shndërron në dënime për njerëzit e pafajshëm të cilët më pas duhet të paguajnë për pasojat”, ka thënë ai. Sjellja e tipit “jo për rusët”, sipas tij, ia kujton kohën kur në Bashkimin Sovjetik thuhej “nuk i duam të huajt”.

“Nuk mendoj se është e drejtë dhe si evropian them se kjo nuk përkon me vlerat tona. Dhe ndalimi i veprave madhështore të muzikës e kulturës nuk është kulturë, është marrëzi”, ka thënë ai. / DW

Artikuj të ngjashëm