Dirigjenti rus, Tugan Sokhiev, ka deklaruar të dielën se jep dorëheqje nga drejtori i muzikës në institucionin e njohur botëror, Teatri Bolshoi në Moskë, si dhe nga funksioni në orkestrën kombëtare franceze në Toulouse. Siç edhe është pritur, vendimin – që u paralajmërua edhe me herët – e ka marrë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë. Ka thënë se është kundër “çfarëdo lloji të konfliktit”.
“I përballur me pamundësinë që të zgjedhë midis muziktarëve të mi të preferuar rusë e francezë, kam vendosur që të jap dorëheqje nga funksioni në Teatrin Bolshoi dhe nga orkestra e Toulouseit”, ka thënë Sokhiev.
Sokhiev ka qenë drejtor i muzikës në Bolshoi qysh prej vitit 2014 dhe bashkëpunëtor i orkestrës së Toulouseit qysh prej vitit 2005. Famën botërore e ka arritur me interpretimin e veprave të kompozitorit rus, Sergei Rachmaninoff. Tugan Taymourazovitch Sokhiev i lindur më 21 tetor të vitit 1977, në Vladikavkaz në Oseti, nisi të luajë në piano në moshën 7-vjeçare. Ishte 17 vjeç kur debutoi si dirigjent i frymëzuar prej Anatoly Briskin, dirigjent i Orkestrës Shtetërore të Osetisë së Veriut.