Teatri Bolshoi i Moskës ka shqetësuar adhuruesit e operës dhe baletit kur befas ka anuluar disa shfaqje regjisorësh, të cilët kanë dalë kundër luftë në Ukrainë, raporton “Reuters”. Ky institucion i njohur nuk ka dhënë arsye për anulimin e operës “Don Pasquale”, të Timofey Kulyabin, dhe të baletit “Nureyev”, të Kirill Serebrennikov.
Kulyabin në Instagram ka shprehur solidaritet me Ukrainën dhe ka përqeshur arsyetimet ruse të aksioneve në atë vend. Në njërin prej postimeve ka nxjerrë titullin “Lufta dhe paqja” të Tolstoit, ku në vend të “luftës” ka shkruar “Operacion special”, me të cilën shprehje Kremlini ka përshkruar invadimin.
Serebrennikov në intervistën që e ka dhënë muajin e kaluar në “France 24” ka thënë se “është e ditur që Rusia e ka nisur luftën” dhe që kjo ia thyen zemrën.
“Kjo është luftë, vrasje njerëzish, është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë civilizimit, njerëzimit... Është katastrofë humanitare, lumenj gjaku”, ka thënë ai.
Zëvendësimi i shfaqjeve me “Berberin e Sivilës dhe “Spartacusom”, dy shfaqja të kahershme të Teatrit Bolshoi, ka ngjallur shumë kritika, kryesisht negative, nëpër rrjete sociale. Disa më kot kanë kërkuar prej këtij institucioni që t’i bëjë të ditura arsyet.
“Çfarë mosrespekti ndaj shikuesve dhe artistëve”, ka shkruar një vizitore në rrjetet e teatrit.
Zemërim ka ngjallur veçmas anulimi i “Nureyevit”, produksioni kontrovers që u dha premierë më 2017 në Bolshoi, e që sjell rrëfimin për të kaluarën e Rudolf Nureyev, i cili më 1961 ik në Perëndim e që përfshin edhe skenën me partnerin homoseksual. Asokohe, kjo u konsiderua si testim i tolerancës së Kremlinit ndaj asaj që e konsideron “propagandë homoseksuale”.