Kulturë

Baleti nën presion për anulimin e shfaqjes me koreografin ruso-amerikan

Baleti Kombëtar i Kosovës e ka marrë si punë të kryer që të vazhdojë provat për “Romeo e Zhulieta”, nën koreografinë e Konstantin Uralsky, dikur balerin në teatrin “Bolshoi”, sot emër i njohur në ShBA. Por të mërkurën vonë janë dhënë sinjale që ajo mund të anulohet. Një kërkesë e tillë vjen prej Ministrisë së Kulturës

Një ditë pasi nisi invazioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës koreografi i njohur ruso-amerikan, që jeton e vepron në ShBA, Konstantin Uralsky, mbërriti në Prishtinë. Sapo kishte nisur provat për shfaqjen me Baletin Kombëtar të Kosovës, balerinëve ua kishte bërë me dije se është kundër Putinit. Kjo e bindi udhëheqjen e Baletit Kombëtar të Kosovës që të vazhdojë provat dhe premiera e “Romeo e Zhulietës” të jepej ashtu siç ishte planifikuar kaherë: më 24 mars. Kësisoj, edhe me gjithë faktin që shumë shtëpi të njohura artistike nëpër botë kanë anuluar e po anulojnë bashkëpunime me artistë rusë, por për të cilët kanë dëshmi se haptas o e përkrahin, o kanë bashkëpunuar me Putinin.

Por situata ka ndryshuar.

BKK-së të mërkurën vonë i ka shkuar selami nga Ministria e Kulturës që ta anulojë shfaqjen dhe këtë as ta vërë në diskutim. Një gjë e tillë ka ardhur pas pyetjes që KOHA ia ka dërguar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Për anulim të shfaqjes nuk ka vendim. I kërkohet që këtë ta bëjë vetë BKK-ja.

KOHA pasditen e së mërkurës ka qenë në provat e shfaqjes. Zëvendësuesi i drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, ka thënë se janë të vendosur ta vazhdojnë konkretizimin e shfaqjes, aq më tepër kur vetë koreografi, dikur balerin i “Bolshoit”, sot emër i shquar në ShBA dhe shtetas amerikan, që në provën e parë ua bëri me dije që është kundër regjimit rus. Koreografi Uralsky, i kontaktuar nëpërmjet udhëheqjes së BKK-së, i ka thënë KOHËS se do të japë një intervistë sot (e enjte).

“Romeo e Zhulieta” është bashkëpunimi i dytë i këtij institucioni me Uralsky. Ai kishte qenë këtu edhe para më shumë se një dekade. Asistent ka sjellë Yury Romashkon.

“Koreografi në fjalë është një emër me renome botërore dhe me profesionalizëm të lartë. Që nga bashkëpunimi i parë që kishim në vitin 2009, gjithmonë ka qëndruar në kontakt të afërt me ne pasi që është ndarë shumë i kënaqur me punën tonë të përbashkët që rezultoi në shfaqjen tejet të suksesshme ‘More than two to tango’, që kishte premierën në nëntor të vitit 2009”, ka thënë Musolli. Sipas tij, qysh prej muajit nëntor të vitit të kaluar janë duke u koordinuar në çdo aspekt në mënyre që ky projekt i radhës të jetë në nivelin maksimal. Nëse realizohet, “Romeo...” është premiera e parë e BKK-së për sivjet.

Musolli nuk ka dhënë përgjigje të prerë se çfarë do të bëjnë në lidhje me kërkesën për anulimin e shfaqjes. KOHA e ka konfirmuar nëpërmjet dy burimeve se ai është sot në takim në MKRS.

“Koreografi Uralsky është shtetas amerikan, ndërsa asistenti Romashko shtetas rus. Për këtë të fundit është dashur që të aplikohet për vizë, e cila pas procedurave dhe verifikimit nga Ministria e Punëve të Brendshme i është aprovuar”, ka thënë Musolli. Ka shtuar se në ditën që ata kanë mbërritur në Kosovë janë vendosur sanksione kundër Rusisë si pasojë e ngjarjeve tragjike që po ndodhin në Ukrainë.

“Në institucionet kulturore në botë e dimë që po i ndërprejnë bashkëpunimet me ata persona/artistë që e përkrahin atë që po ndodh në Ukrainë, pra i përkrahin veprimet e shtetit rus. Koreografi së bashku me asistentin e tij janë absolutisht kundër asaj se çka po ndodh dhe kundër çdo lufte”, ka thënë Musolli. Krejt këto arsye i ka përmendur si dëshmi se bashkëpunimi duhet të vazhdojë.

“Duke e ditur qëndrimin e tyre, si dhe lidhjen tejet të afërt me Baletin Kombëtar të Kosovës, nuk e kam konsideruar të rrugës që të ndalojmë me procesin e punës në asnjë moment”, ka thënë ai. Sipas Musollit, roli i artit është të kontribuojë për paqe.

“Përderisa edhe koreografi si artist e intelektual është kundër secilit agresion ndaj një populli e edhe kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, ne mendojmë se nuk bën ta penalizojmë duke e ndalur bashkëpunimin. Përkundrazi bashkëpunimi me njerëz të tillë mendojmë se i kontribuon paqes dhe jep mesazhe të cilat artit i takon t’i përçojë”, ka thënë Musolli.

Sipas tij, në asnjë rast nuk ka shkelje të sanksioneve pasi koreografi është shtetas amerikan dhe asistenti nuk është në listën e të sanksionuarve dhe i njëjti ka marre vizë nga shteti i Kosovës pas verifikimit të MPB-së dhe MPJ-së.

Por, siç ka marrë vesha KOHA, për Qeverinë problemi kryesor qëndron te fakti se asistenti i koreografit Yury Romashko është shtetas rus.

Historia e koreografit Konstantin Uralsky është ajo e një artisti të përmasave botërore. Më 1990 do të merrte një vendim të madh: të jetonte dhe të punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte moment që ai të reflektonte për të ardhmen.

“Mendoj se përfundimisht kam ndryshuar në vitet ’90. Më janë dashur 10 vjet që të gjej veten”, do të thoshte ai në mars të vitit 2005 për prestigjiozen “The New York Times” në një bisedë të gjatë.

Aty do të rrëfente për gjeneratën e tij si balerin me nam në ish-Bashkimin Sovjetik. Për vitet ’80 kishte thënë se shkaku i shtetit ku jetonin bëhej fjalë për një gjeneratë të humbur.

“Është një gjeneratë e humbur dhe arsyeja është pamundësia që të zhvillohen në atë atmosferë. Ky jam unë, tash flas si një koreograf amerikan pasi kjo është ajo që jam”, kishte thënë ai. Kishte përmendur kolegë të tij që ishin viktima të krimit në Rusi. Në SHBA ka punuar në Baletin e Iowas, atë të New Yorkut dhe të Colorados.