“Romeo dhe Zhulieta”, nën koreografinë e Konstantin Uralsky dhe asistent-koreografit Yury Romashko, do të jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës si premierë e parë e vitit nga Baleti Kombëtar i Kosovës. Në konferencën për media, një ditë para premierës, ata kanë listuar vështirësitë që i kanë si institucion, duke iu shmangur kërkesës në fillim të muajit për anulim të shfaqjes sherri i koreografit me prejardhje ruse
Periudhën gati njëmujore të provave, Baleti Kombëtar i Kosovës tashmë po e kurorëzon me premierën e parë për vitin 2022. “Romeo dhe Zhulieta”, nën koreografinë e Konstantin Uralskyt dhe asistent-koreografit Yury Romashko, do të jepet në skenën vendore. Për ta paralajmëruar këtë, ata kanë mbajtur konferencën për media mesditën e së mërkurës, duke listuar problematikat me të cilat po përballen, pavarësisht që ky institucion sivjet shënon 50-vjetorin e themelimit.
“Si çdo herë kemi pasur vështirësitë tona, por s’kisha dashur të hyj andej sepse jemi bërë monoton duke i përsëritur dhe nuk po ka efekt në fund të fundit”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli. Ka aluduar te kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fillim të muajit mars, për të anuluar shfaqjen me arsyetimin e prejardhjes ruse të koreografit dhe asistentit të tij në periudhën kur Ukraina po pushtohet nga forcat ruse.
“Ka qenë një periudhë shumë e ngjeshur me prova, shumë e lodhshme. Ka pasur kërkesa nga ana e koreografit, të gjitha kanë qenë për të sjellë një shfaqje shumë cilësore nesër në skenë”, ka thënë Musolli, i cili bashkë me balerinët erdhën në prag të premierës.
Shfaqja do të jetë dypjesëshe me një pauzë në mes. Do të zgjasë gati dy orë e premtohet të jetë cilësore. Si arsyetim i kësaj përmendet profesionalizmi dhe përkushtimi i koreografit, i cili ka shënuar ardhjen e dytë në Kosovë, pas vitit 2009 me shfaqjen “More than two to tango”.
“Është shumë interesante për mua ta shoh progresin dhe ndryshimet teknike e artistike të Baletit”, ka thënë Uralsky me rastin e rikthimit pas 13 vjetësh për shfaqjen e cila do të vijë me muzikë nga Sergey Prokofiev.
Edhe
“Romeo e Zhulieta”, në vallëzim me jetën për triumfin e dashurisë
Shfaqjen të cilën e cilëson si shfaqje të dashurisë, ia ka dedikuar themeluesit të baletit në Kosovë e ish-drejtuesit të BKK-së, Ahmet Brahimajt.
“Është shumë e vështirë ta përshkruash me dy fjalë dikë që e ke njohur, aq më shumë kur s’është me ne. Në kujtimet e mia ai ka qenë shumë i shoqërueshëm. Në periudhë jo të lehtë për këtë shtet, ai ka ndërmarrë një hap për zhvillimin kulturor e të baletit. Ka qenë shumë i dedikuar për këtë. Është diçka jo vetëm e rëndësishme, por fundamentale. Nuk i di rrethanat e tjera, por besoj se ky institucion ekziston për shkak të punës së tij”, ka thënë Uralsky, teksa ka përmbledhur kujtimin për Brahimajn, i cili vdiq më 7 maj të vitit 2020.
Asistent-koreografi Yury Romashko ka thënë të jetë ndier i kënaqur me ardhjen në Kosovë.
“Kam njohur balerinë të mrekullueshëm. Shpresojmë që do ia dalim mbanë, ne do të punojmë për përkrahjen e baletit në çdo gjë të mundshme”, ka premtuar Romashko.
Në anën tjetër, edhe për vetë balerinët, të cilët do të jetësojnë shfaqjen, dedikimi përbën përgjegjësi shtesë.
Fatmir Smani, i cili do të portretizojë rolin e Romeos, ka theksuar se puna e koreografëve ka qenë e palodhshme dhe se kanë arritur të sjellin një shfaqje të tillë në një periudhë të shkurtër.
“Është hera e dytë që punojmë me këtë koreograf, për mua shfaqja e parë me Konstantinin ka qenë edhe fillimi i karrierës dhe më vjen shumë mirë që na ka ardhur prapë mundësia të punojmë me të”, ka thënë balerina Aulonë Nuhiu, e cila do ta luajë nënën e Zhulietës.
Edhe
Baleti nën presion për anulimin e shfaqjes me koreografin ruso-amerikan
Megjithatë zëvendësuesi i drejtorit të këtij institucioni ka listuar problematikat me të cilat përballen.
“Edhe pse i kemi mbushur gati gjysmë shekulli të institucionit të Baletit Kombëtar të Kosovës, për fat të keq ende po përballemi me vështirësitë e problematikat e njëjta. Këto nuk po na lënë të zhvillohemi si grup, si balerinë e si artistë. Po na limitojnë në çdo aspekt”, është shprehur Musolli.
Ai ka përmendur mungesën e një shkolle kombëtare e cila sjellë gjenerata të reja të balerinëve dhe të kushteve elementare të një salle të dinjitetshme për baletin.
“E kam paraparë që këtë vit t’i kemi 7 pedagogë të huaj që do ta ngrinin aspektin teknik të balerinëve. E dimë që BKK-ja nuk ka pasur asnjëherë pedagogë si funksion, që na ka munguar shumë dhe që duhet të jetë dhe të na udhëheq me prova në sallë. Në këtë drejtim po punojmë ta mbajmë formën e duhur dhe ta ngrinim nivelin sepse jemi duke arritur një moshë që s’është e përshtatshme për balet”, ka thënë ai.
Musolli në fillim marsi kishte qenë nën presion që të ndërpresë bashkëpunim me koreografin ruso-amerikan shkaku i luftës që e ka nisur Rusia në Ukrainë. Bota artistike vazhdimisht ka pezulluar bashkëpunimet me artistë rusë, të cilët mund të llogariten si aleatë të presidentit rus, Vladimir Putin.
Uralsky, i cili ka udhëtuar drejt Kosovës për t’i nisur provat më 28 shkurt, posedon pasaportë amerikane. Jeton në ShBA prej vitit 1990. Bile, edhe prezantohet si koreograf amerikan. Ishte pjesë e baletit të teatrit me nam “Bolshoi” në Rusi e bashkëpunëtor i shumë trupave të baletit në ShBA në tri dekadat e fundit.
“Unë jam artist. Nuk jam politikan”, i kishte thënë ai KOHËS gjatë provave të shfaqjes. “Jam kundër çdo lufte. Mund ta pranoj kur dikush e lufton dikë vetëm për ta ruajtur jetën. Po flas në parim. Agresioni në parim është brenda njerëzve. Por nuk dua të jap deklarata për gjëra të tilla. Çfarë mendoj për luftën mund të shihet në punën time. Kjo mund të shihet te ‘Romeo e Zhuljeta’ pasi është një shfaqje për dashurinë, jetën dhe vdekjen”.
Edhe
“Arrëthyesi” – testi i baletit pa kushte edhe për prova
BKK-ja nuk ishte tërhequr prej bashkëpunimit përderisa ndërkohë qe zbutur edhe qëndrimi i MKRS-së.
“Koreografi Uralsky është shtetas amerikan, ndërsa asistenti Romashko është shtetas rus. Për këtë të fundit është dashur që të aplikohet për vizë, e cila pas procedurave dhe verifikimit nga Ministria e Punëve të Brendshme i është aprovuar. Duke e ditur qëndrimin e tyre, si dhe lidhjen tejet të afërt me Baletin Kombëtar të Kosovës, nuk e kam konsideruar të rrugës që të ndalojmë me procesin e punës në asnjë moment”, kishte thënë Musolli.