EXPRESS

“Arrëthyesi” – testi i baletit pa kushte edhe për prova

Baleti Kombëtar i Kosovës po përgatitet për një prej projekteve më të mëdha në kohën kur ka mbetur jo vetëm pa shtëpi, por s’ka as kushte për inskenim të një shfaqjeje të tillë me të cilën synon tjetër nivel. Institucioni shtetëror me “Arrëthyesin” e Tchaikovskyt, një prej baleteve më të njohura dhe më të luajtura, zhvendoset në një sallë private në periferi të kryeqytetit. Hapësira është rezervuar edhe për prova.

Për trupën e Baletit është përparësi që kësaj here hapësira e provave është tamam pasqyrim i skenës për premierë. “Arrëthyesi” vjen në Kosovë për festat e fundvitit më 16 dhjetor, atmosferë që përcillet edhe në shfaqje.

Mbyllja e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rinovim prej korrikut të vitit të kaluar i çoi institucionet e arteve skenike drejt improvizimeve me sallë e shfaqje. Teatrit dhe Baletit iu dha Amfiteatri në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, por objekti i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” u bë vend edhe për provat e BKK-së.

Edhe shfaqjet që i realizoi i shndërroi kryesisht në shfaqje formatesh bashkëkohore duke i përshtatur me numër më të vogël interpretuesish si “Time” me koreografi të Taulant Shehut dhe “Correr o Fado” me koreografin portugez Daniel Cardoso

“Arrëthyesi” klasik është kontrasti me këto shfaqje bashkëkohore. Ndryshe prej këtyre të fundit, ku Baleti duhej të përshtaste numrin e balerinëve në skena të caktuara të shfaqjes, projekti në ardhje i anashkalon limitet. Trupa është kompletuar me balerinë nga Tirana e Sofja e së fundmi janë mbajtur edhe audicione për balerinë të vegjël dhe ata profesionistë.

Mozaiku i skenave të shfaqjes “Arrëthyesi” ka nisur të marrë formë. Nga skenat në të cilat është punuar është vërejtur një frymë harmonike e lojë tejet atraktive. Koreografia ngjan të jetë sfiduese e delikate, kërkon lëvizje të sakta.

Kur koreografi Ilir Kerni fton balerinët të interpretojnë pjesë të caktuara, disa prej tyre duken punë të kryera. Sipas koreografit nga Shqipëria, i cili me Baletin Kombëtar të Kosovës ka bashkëpunuar edhe për shfaqje të tjera ndër vite, hapësira e Teatrit Kombëtar të Kosovës tash me shtëpi të përkohshme në Amfiteatër ishte e ngushtë dhe me kushte jo të mira.

“Natyrisht se një teatër i operës dhe baletit një ditë do të duhet të ngrihet, shpresoj se do të ndodhë kjo. Megjithatë, ky ambient është shumë i përshtatshëm për punë. Fare ndryshe nga ajo sallë e vogël që ka pasur në Teatër dhe me kushte jo shumë të mira. Në këtë drejtim këto kushte janë shumë të mira”.

Filharmonia e Kosovës do t’i bashkohet Baletit, kur do të shoqërojë dy aktet dhe tri skenat e “Arrëthyesit” me muzikën e Tchaikovskyt. Shfaqja, sipas Kernit, vjen edhe më e kompletuar në këtë formë.

“Ky projekt është vërtet i madh, në përmasa që përfshin për herë të parë Filharmoninë e Kosovës, kështu që do të kemi një shfaqje të plotë dhe mund të themi pa frikë që metropoli i Kosovës, Prishtina, do të ketë shfaqjen që është nga më të ekzekutuarat në periudhën e Krishtlindjeve në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Jam tepër i lumtur që jam pjesë e këtij projekti gjigant do të thosha, sepse përfshin disa trupa: Baletin, Filharmoninë, ka skenografi, kostume e të tjera”.

Se kjo shfaqje kërkon hapësirë të gjerë tregohet kur në disa skena kërcimet përfshijnë hapa të mëdhenj, rrotullime e lojë dinamike. Numri i balerinëve me aq sa tash dihet se Baleti do të punojë në shfaqje dhe të tjerët në ardhje, është tjetër çështje.

Balerini Fatmir Smani ka thënë se kësaj here kanë hapësirë t’i bëjnë lëvizjet e sakta sikurse në skenë para publikut.

“Kushtet janë shumë më të mira. Kemi hapësirë ta tregojmë vetëm, t’i bëjmë lëvizjet tamam siç duhet t’i bëjmë në skenë. Atëherë kemi pasur një ndryshim shumë të madh prej sallës në skenë, tash jemi komplet lirshëm. Veç të mendojmë për rolin tonë dhe ta bëjmë në premierë e në reprizë”.

Në shfaqje balerini Smani do të luajë Herr Drosselmeyerin, xhaxhain e Klarës, rol që do ta luajë balerina Jeta Musolli.

Salla “1 Tetori” ka qenë opsioni i Baletit për premierën e shfaqjes. Në një përgjigje me shkrim drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka treguar se për shkak të vazhdimeve të rinovimeve në sallë është pamundësuar premiera aty.

Për balerinën Aulonë Nuhiu kalimi në një sallë më të madhe ka qenë më se e nevojshme. Sipas saj, “të paktën aspekti i skenës është një gajle më pak”.

“Njëra prej arsyeve kryesore që kemi dalë në këtë objekt është hapësira. Dihet që balerinëve u duhet gjithmonë një sallë dhe një skenë e madhe. Është shumë mirë që kemi filluar këtu, që të ambientohemi me një hapësirë më të madhe, pasi që është një shfaqje shumë e madhe dhe kërkon shumë balerinë. Mendoj se edhe skenën do ta kemi në këto përmasa të kësaj salle. Është shumë mirë për ne që të paktën këta muaj e kemi një vend tonin ku mund t’i mbajmë provat”.

Në shfaqje, balerina Nuhiu mban rolin e shoqes së Klarës dhe atë të valltares arabe që vjen si rol në aktin e dytë.

Baleti “Arrëthyesi”, pos kushteve e ka sfiduar institucionin edhe për nga numri i anëtarëve të ansamblit. Pos atyre të ftuar është paraqitur nevoja për të tjerë balerinë profesionistë dhe ata të vegjël.

“Arrëthyesi” i vitit 1892 i rusit Tchaikovsky vendoset në natën e Krishtlindjeve në Nuremberg të Gjermanisë. Aty vendosen dekore, festohet, jepen dhurata, e në anën tjetër janë edhe figurat misterioze. Kur dekoret hiqen, mbetet veç një lodër: një arrë e gdhendur në dru. Gjithçka më pas zhvillohet rreth saj. Suita “The Nutcracker” e kompozitorit Tchaikovsky do të jetë hera e dytë që Filharmonia e Kosovës interpreton përkrah BKK-së. Orkestra kishte përcjellë me muzikë edhe shfaqjen “Halili dhe Hajrija” nga Tish Daia vitin e kaluar, kur ishte shënuar gjysmëshekulli i Baletit Kombëtar të Kosovës.