Kulturë

“Arrëthyesi” – testi i Baletit pa kushte edhe për prova

Shfaqja e radhës e Baletit Kombëtar të Kosovës është test i dyfishtë. Me “Arrëthyesin” e Tchaikovskyt nën koreografi të mjeshtrit Ilir Kerni synon të ngrihet në një tjetër nivel, me një produksion madhor. Por është në kontrast me realitetin e përditshëm: nuk ka kushte as për prova. Është zhvendosur në një sallë private, pasi në hapësirën që e ka në shfrytëzim prej verës së vjetme, nuk ka vend as për t’i dhënë formë një shfaqjeje të formatit të tillë

Baleti Kombëtar i Kosovës po përgatitet për një prej projekteve më të mëdha në kohën kur ka mbetur jo vetëm pa shtëpi, por s’ka as kushte për inskenim të një shfaqjeje të tillë me të cilën synon tjetër nivel. Institucioni shtetëror me “Arrëthyesin” e Tchaikovskyt, një prej baleteve më të njohura dhe më të luajtura, zhvendoset në një sallë private në periferi të kryeqytetit. Hapësira është rezervuar edhe për prova.

Për trupën e Baletit është përparësi që kësaj here hapësira e provave është tamam pasqyrim i skenës për premierë. “Arrëthyesi” vjen në Kosovë për festat e fundvitit më 16 dhjetor, atmosferë që përcillet edhe në shfaqje.

Mbyllja e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rinovim prej korrikut të vitit të kaluar i çoi institucionet e arteve skenike drejt improvizimeve me sallë e shfaqje. TKK-së dhe Baletit iu dha Amfiteatri në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, por objekti i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” u bë vend edhe për provat e BKK-së. Edhe shfaqjet që i realizoi, i shndërroi

kryesisht në shfaqje formatesh bashkëkohore duke i përshtatur me numër më të vogël interpretuesish. “Time” me koreografi të Taulant Shehut dhe “Correr o Fado” me koreografin portugez Daniel Cardoso kanë qenë projektet me të cilat Baleti e ka mbajtur kontaktin me audiencën.

“Arrëthyesi” klasik është kontrasti me këto shfaqje bashkëkohore. Ndryshe prej këtyre të fundit, ku Baleti duhej të përshtaste numrin e balerinëve në skena të caktuara të shfaqjes, projekti në ardhje i anashkalon limitet. Trupa është kompletuar me balerinë nga Tirana e Sofja e së fundmi janë mbajtur edhe audicione për balerinë të vegjël dhe ata profesionistë.

Mozaiku i skenave të shfaqjes “Arrëthyesi” ka nisur të marrë formë. Ansambli i balerinëve ka qenë i tëri i angazhuar, ndërsa pritet t’u bashkohen edhe të përzgjedhurit nga audicionet. Nga skenat në të cilat është punuar është vërejtur një frymë harmonike e lojë tejet atraktive. Koreografia ngjan të jetë sfiduese e delikate, kërkon lëvizje të sakta.

Kur koreografi Ilir Kerni fton balerinët të interpretojnë pjesë të caktuara, disa prej tyre duken punë të kryera. Derisa përcjell lojën e tyre i fton të përcjellin ritmin e muzikës, t’u nënshtrohen ndjenjave të melodive. Shpesh ngrihet nga karrigia ku qëndron ulur përballë tyre dhe ilustron lëvizjet e duhura. Kërkon perfeksion. Disa herë kthen interpretimin e balerinëve në pikën fillestare. E këtë e ka bërë të qartë edhe vetë koreografi Kerni.

“Kjo shfaqje o bëhet siç duhet, o nuk bëhet”, ka thënë ai prerazi, në një bisedë për KOHËN në sallën AMC në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, në pauza provash.

Sipas koreografit nga Shqipëria, i cili me Baletin Kombëtar të Kosovës ka bashkëpunuar edhe për shfaqje të tjera ndër vite, si baletet “Sylfida”, “Balloja e diplomës” dhe “Dashuria që vret”, hapësira e Teatrit Kombëtar të Kosovës tash me shtëpi të përkohshme në Amfiteatër, ishte e ngushtë dhe me kushte jo të mira.

“Natyrisht se një teatër i operës dhe baletit një ditë do të duhet të ngrihet, shpresoj se do të ndodhë kjo. Megjithatë, ky ambient është shumë i përshtatshëm për punë. Fare ndryshe nga ajo sallë e vogël që ka pasur në Teatër dhe me kushte jo shumë të mira. Në këtë drejtim këto kushte janë shumë të mira”, ka thënë Kerni, i cili në inskenimin e shfaqjeje me BKK-në ka punuar në Sallën e Baletit në objektin e TKK-së në dry e në pritje të nisjes së rinovimit dhe restaurimit.

Edhe pse vetë shfaqja është e tillë, edhe më madhështore e bën përcjellja me muzikë aty për aty.

Filharmonia e Kosovës do t’i bashkohet Baletit, kur do të shoqërojë dy aktet dhe tri skenat e “Arrëthyesit” me muzikën e Tchaikovskyt. Shfaqja, sipas Kernit, vjen edhe më e kompletuar në këtë formë.

“Ky projekt është vërtet i madh, në përmasa që përfshin për herë të parë Filharmoninë e Kosovës, kështu që do të kemi një shfaqje të plotë dhe mund të themi pa frikë që metropoli i Kosovës, Prishtina, do të ketë shfaqjen që është nga më të ekzekutuarat në periudhën e Krishtlindjeve në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Jam tepër i lumtur që jam pjesë e këtij projekti gjigant do të thosha, sepse përfshin disa trupa: Baletin, Filharmoninë, ka skenografi, kostume e të tjera”, ka thënë ai derisa datën e premierës së shfaqjes e ka vlerësuar historike për institucionin e Baletit.

Image
Për trupën e Baletit është përparësi që kësaj here hapësira e provave është tamam pasqyrim i skenës për premierë. “Arrëthyesi” vjen në Kosovë për festat e fundvitit më 16 dhjetor, atmosferë që përcillet edhe në shfaqje

Sipas drejtorit të Baletit, Sinan Kajtazi, ky bashkëpunim i dy institucioneve “sigurisht se i jep një vlerë të jashtëzakonshme kësaj shfaqjeje dhe do ta bëjë edhe më madhështor këtë projekt”.

“Arrëthyesi” është një prej shfaqjeve më të mëdha të repertorit klasik botëror. Se shfaqja që po përgatitet është me shumë kërkesa e konfirmon edhe vetë drejtuesi i shfaqjes, Kerni. Sipas tij, balerinët janë punëtorë, të disiplinuar dhe të talentuar. Ai nuk e dallon punën e tyre kur flitet për role kryesore.

Janë edhe më pak se katër javë prova dhe rolet ende nuk janë përcaktuar krejtësisht. Balerinët po interpretojnë edhe për role të tjera. Megjithatë disa prej tyre është bërë e ditur se u janë besuar Jeta Musollit, Fatmir Smanit e Fisnik Smanit.

Ky i fundit do të luajë Herr Drosselmeyerin, xhaxhain e Klarës, rol që do ta luajë balerina Jeta Musolli.

“Roli im është roli i xhaxhait të Klarës, edhe pse kemi disa role që po i mësojmë dhe më pas do të përcaktohemi. Ai është një lloj iluzionisti, një magjistar, i cili në një mënyrë është edhe narrator i shfaqjes. Gjatë gjithë kohës është duke i shpjeguar publikut për skenat. Është një rol shumë interesant dhe i bukur për publikun”, ka thënë balerini Fisnik Smani gjatë pauzës së provave.

Se kjo shfaqje kërkon hapësirë të gjerë tregohet kur në disa skena kërcimet përfshijnë hapa të mëdhenj, rrotullime e lojë dinamike. Numri i balerinëve me aq sa tash dihet se Baleti do të punojë në shfaqje dhe të tjerët në ardhje, është tjetër çështje.

Balerini Smani ka thënë se kësaj here kanë hapësirë t’i bëjnë lëvizjet e sakta sikurse në skenë para publikut.

“Kushtet janë shumë më të mira. Kemi hapësirë ta tregojmë vetëm, t’i bëjmë lëvizjet tamam siç duhet t’i bëjmë në skenë. Atëherë kemi pasur një ndryshim shumë të madh prej sallës në skenë, tash jemi komplet lirshëm. Veç të mendojmë për rolin tonë dhe ta bëjmë në premierë e në reprizë”, ka thënë ai derisa ka shtuar se kushtet e mira ndikojnë në lehtësimin e procesit të punës.

“Arrëthyesi është ndër baletet më të bukura dhe që luhet në krejt botën në kohën e festave. Është balet që do shumë përgjegjësi, normalisht hapësira që e kemi tash na ka lehtësuar shumë punën për ta vënë në skenë. Kemi shumë përgjegjësi për rolet që i marrim, për shfaqjen që do ta bëjmë. Besoj se si në të gjithë botën, edhe publiku në Kosovë do të ketë mundësi ta shohë ‘Arrëthyesin’ për herë të parë”, ka thënë Smani më tej.

Image
Mozaiku i skenave të shfaqjes “Arrëthyesi” ka nisur të marrë formë...

Salla “1 Tetori” ka qenë opsioni i Baletit për premierën e shfaqjes.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se janë njoftuar se për shkak të rinovimeve aty është dashur të mendojnë për tjetër alternativë.

“Fillimisht ne e kemi rezervuar sallën ‘1 Tetori’ për ta shfaqur baletin ‘Arrëthyesi’, mirëpo tash së voni jemi njoftuar nga menaxhmenti i sallës së sporteve ‘1 Tetori’, se për shkak të shtyrjes së rinovimeve në sallë deri në fund të dhjetorit, do ta kemi të pamundur ta shfrytëzojmë atë për datat 16 dhe 17. Prandaj ne jemi detyruar të kërkojmë një hapësirë tjetër alternative, e cila do t’i përmbushë nevojat e këtij projekti të madh. Kemi konsideruar se salla AMC mund t’i ofrojë kushtet e nevojshme për realizimin e ‘Arrëthyesit’“, ka thënë drejtori Kajtazi.

Për balerinën Aulonë Nuhiu kalimi në një sallë më të madhe ka qenë më se e nevojshme. Sipas saj, “të paktën aspekti i skenës është një gajle më pak”.

“Njëra prej arsyeve kryesore që kemi dalë në këtë objekt është hapësira. Dihet që balerinëve u duhet gjithmonë një sallë dhe një skenë e madhe. Është shumë mirë që kemi filluar këtu, që të ambientohemi me një hapësirë më të madhe, pasi që është një shfaqje shumë e madhe dhe kërkon shumë balerinë. Mendoj se edhe skenën do ta kemi në këto përmasa të kësaj salle. Është shumë mirë për ne që të paktën këta muaj e kemi një vend tonin ku mund t’i mbajmë provat”, ka thënë ajo.

Në shfaqje, balerina Nuhiu mban rolin e shoqes së Karlës dhe atë të valltares arabe që vjen si rol në aktin e dytë.

“Në këtë shfaqje jemi katër shoqet e Karlës, është shfaqje klasike, gjithashtu mbaj rolin e arabes, është njëri prej personazheve në aktin e dytë, së bashku me kolegen time Leonorën. Dy role shumë të mira që me të vërtetë po kënaqemi të gjithë dhe po i shijojmë këto prova. Kemi filluar goxha herët, kështu që kemi ende kohë të përgatitemi”, ka thënë Nuhiu.

“Arrëthyesi”, pos kushteve, e ka sfiduar institucionin edhe për nga numri i anëtarëve të ansamblit. Pos atyre të ftuar është paraqitur nevoja për të tjerë balerinë profesionistë dhe ata të vegjël. Krejt kjo kthen në nismën e kahershme për themelimin e shkollës së baletit e premtuar prej disa qeverive. Janë bërë më shumë se shtatë vjet prej kur objekti ishte premtuar dhe një dekadë prej parashtrimit të kërkesës së ish-drejtorit të Baletit, tashmë të ndjerit Ahmet Brahimaj. Në prill të këtij viti, Baleti kishte ndërmarrë vetë hapa me alarmin se balerinë të rinj ka gjithmonë e më pak. Atëkohë ishin organizuar klasa baleti falas të udhëhequra nga balerinët profesionistë Jeta Musolli dhe Fatmir Smani.

“Arrëthyesi” i vitit 1892 i rusit Pyotr Ilyich Tchaikovsky vendoset në natën e Krishtlindjeve në Nuremberg të Gjermanisë. Aty vendosen dekore, festohet, jepen dhurata, e në anën tjetër janë edhe figurat misterioze. Kur dekoret hiqen, mbetet veç një lodër: një arrë e gdhendur në dru. Gjithçka më pas zhvillohet rreth saj. Lodra thyhet e rregullohet. Mbikëqyret nga Klara e pasionuar pas lodrës dhe zhvillohen “konflikte” për ta mbrojtur a shkatërruar atë. Suita “The Nutcracker” e kompozitorit Tchaikovsky do të jetë hera e dytë që Filharmonia e Kosovës interpreton përkrah BKK-së. Orkestra kishte përcjellë me muzikë edhe shfaqjen “Halili dhe Hajrija” nga Tish Dalia vitin e kaluar, kur ishte shënuar gjysmëshekulli i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se ky bashkëpunim edhe i kishte inkurajuar për të vazhduar me “Arrëthyesin”.

“Meqë ishte një bashkëpunim i suksesshëm e menduam ta vazhdojmë – por këtë herë me një produksion më ambicioz, inskenimin e baletit 'Arrëthyesi' nga Tchaikovsky. Ky është një hap i rëndësishëm për artin skenik në Kosovë. I kemi zgjedhur dhjetorin dhe datat në prag të festave të fundvitit, praktikë që ndiqet zakonisht për inskenimin e këtij titulli në kryeqendra botërore”, ka thënë Selimaj.

“Arrëthyesi” ishte dhënë premierë së pari në Shën Petersburg të Rusisë. Historia origjinale e shfaqjes ishte pjesë e një grupi përrallash të shkruara nga shkrimtari romantik gjerman E.T.A. Hoffman, botuar në Berlin, në vitin 1816. Skenaristi francez Alexandre Dumas shkroi një version në frëngjisht në vitin 1844. Më pak se një gjysmëshekulli më vonë, Tchaykovsky e bëri atë rrëfim themelin e një baleti me koreografinë e parë nga francezo-rusi Marius Petipa. Edhe sot e kësaj dite, “Arrëthyesi” është një nga baletet më të njohura në botë. Me të Baleti Kombëtar i Kosovës sfidohet dyfish për një projekt madhor pa një shtëpi të veten qoftë edhe për prova.