Të paralajmëruara kaherë si ngjarje unike në Prishtinë, baleti mbi akull me “Arrëthyesin” e Tchaikovskyt dhe “Romeo dhe Zhulietën” e Prokofievit, janë anuluar në heshtje e pa dhënë fort arsye. Ata që kanë prerë bileta do të rimbursohen e ftesë për të mos e humbur shansin për një përvojë unike, kishte bërë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sipas të cilit kryeqyteti me këto shfaqje “bëhet arenë elegance dhe force, me një përvojë që nuk është parë më parë në qytet”
Baleti mbi akull do të vinte për herë të parë në Prishtinë si një nga format më magjepsëse të artit skenik, për të sjellë spektakël të rrallë për publikun e Kosovës. Baletet klasike “Arrëthyesi” i Tchaikovskyt dhe “Romeo dhe Zhulieta” i Prokofievit ishin paralajmëruar kaherë si spektakle unike. Krejt papritmas, ngjarjet e paralajmëruara nga një ndërmarrje private, pa njoftime publike por privatisht, doli me njoftime se shfaqjet u anuluan.
“Arrëthyesi” kishte caktuar dy terminë të shtunën në sallën “1 Tetori”. “Romeo...”, e kishte rezervuar të premten. Me këto shfaqje, publiku do të kishte mundësinë të përjetonte një skenë të shndërruar në pistë akulli ku balerinët rrëshqasin me hijeshi për të kombinuar koreografinë e veprës me akrobatiken. “Redcloud” që e ka pasur përsipër organizimin i kishte paralajmëruar ngjarjet qysh në nëntor. Shumë postime me pagesë në rrjete sociale e edhe aso të zakonshme kanë bërë që lajmi për ngjarjet unike të përhapet gjithandej.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Romeo dhe Zhulieta” ishte dhënë në Tiranë, më 14 shkurt në Pallatin e Kongreseve. E të shtunën në po të njëjtat orare qe paralajmëruar vazhdimisht edhe “Arrëthyesi mbi akull”, deri në mbrëmjen e 19 shkurtit.
“Edhe pak orë na ndajnë nga shfaqja e mrekullueshme ‘Arrëthyesi mbi akull’. Një dhuratë e veçantë për Prishtinën dhe një mundësi fantastike për të krijuar kujtime të bukura me familjen dhe fëmijët”, shkruhet aty.
Por anulimin e ngjarjes, organizatorët kanë zgjedhur të mos e bëjnë publike. Ka qenë platforma për shitjen dhe menaxhimin e biletave e angazhuar për këtë ngjarje, e cila ka njoftuar vetëm një ditë para ngjarjes së “Arrëthyesit...” se ajo është anuluar.
“Nuk është mbajtur për shkak të disa çështjeve teknike. Ne realisht i kemi njoftuar dje nëpërmjet një emaili të gjithë ata që kanë blerë biletat, se shfaqja është anuluar dhe se pagesa për bileta do të rimbursohet nga ne. Ne nuk mund ta dimë nëse do të mbahet shfaqja apo jo, prandaj deri atëherë nuk duam të mbajmë pezull ata që blenë bileta, prandaj po e kthejmë pagesën që kanë kryer”, kanë bërë me dije nga platforma “Vivere Ticketing” për KOHËN.
Në mesazhin elektronik që u është dërguar vetëm atyre që kanë blerë bileta, anulimi i ngjarjes arsyetohet me kushtet e pafavorshme për procesin e ngrirjes së akullit.
“Pavarësisht përgatitjeve intensive dhe dëshirës së madhe për ta realizuar këtë event, kushtet teknike të sipërfaqes së akullit nuk kanë arritur standardin e nevojshëm për një performancë të sigurt. Procesi i ngrirjes së akullit ndikohet nga faktorë teknikë dhe ambientalë që kërkojnë kohë dhe parametra specifikë për të garantuar cilësinë e duhur”, shkruhet aty duke mos bërë të ditur nëse shfaqja do të jepet në një datë tjetër.
Platforma ka bërë me dije se do të fillojë rimbursimin të martën dhe se procesi pritet të përfundojë brenda afatit prej 60 ditësh, pasi, sipas platformës “duhet të ndiqen disa procedura ligjore dhe verifikime administrative të nevojshme për përfundimin e plotë të procesit”.
“Theksojmë se ‘Vivere Ticketing’ nuk është përgjegjëse për organizimin e eventit, por një platformë e dedikuar për shitjen dhe menaxhimin e biletave. Megjithatë, duke vendosur gjithmonë në radhë të parë interesin dhe besimin tuaj si publik, ne po angazhohemi që procesi i rimbursimit të zhvillohet sa më qartë dhe sa më korrekt, duke bashkëpunuar paralelisht edhe me partnerët tanë”, thuhet midis tjerash në këtë mesazh.
Ishte paraparë që trupa amerikane “Angels on ice” të sillte magji e elegancë në këtë shfaqje.
“Prodhimet tona paraqesin kampionë olimpikë dhe patinazhistë profesionistë artistikë që performojnë në skena akulli të ndërtuara me porosi, duke krijuar përvoja të paharrueshme përmes rrëfimit elegant, koreografisë së ndërlikuar dhe efekteve mahnitëse vizuale”, shkruhet në prezantimin e tyre.
I njohur për kombinimin e elegancës së baletit klasik me mjeshtërinë e patinazhit artistik, ky zhanër është bërë i famshëm në mbarë botën përmes trupave prestigjioze si “The Imperial Ice Stars” dhe produksioneve të frymëzuara nga vepra të njohura si “Liqeni i Mjellmave” apo “Arrëthyesi” të dy këto vepra në repertorin e trupës artistike.
Njoftimi për këto ngjarje qe pritur me entuziazëm edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Për herë të parë në Prishtinë, trupa ndërkombëtare ‘Angles On Ice’ sjell Balet në akull një spektakël që tejkalon skenën klasike. Kryeqyteti bëhet arenë elegance dhe force, me një përvojë që nuk është parë më parë në qytet. Ky nuk është thjesht një performancë. Është disiplinë dhe emocion në çdo hap. Prishtina mirëpret spektaklin e akullt që do të flitet gjatë”, shkruhet në postimin e Ramës, i publikuar tri ditë para se ngjarja të mos zhvillohej.