Përderisa një ditë më parë, kërkesa prej Ministrisë së Kulturës ka qenë e prerë – që shfaqja “Romeo e Zhuljeta” me koreografi të koreografit ruso-amerikan të ndërpritet – të enjten janë zbutur qëndrimet. Provat kanë vazhduar e mjeshtri Uralsky është treguar i gatshëm të takohet me cilindo udhëheqës institucional, përfshirë ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. “Unë jam artist. Nuk jam politikan”, ka thënë ish-balerini i “Bolshoit” të Moskës
Me saktësi zvicerane koreografi ruso-amerikan i nis provat me një trupë baleti shqiptare. Para tij, në sallë është asistenti Yury Romashkon. Posa i hedh një sy grupit që ushtron paradite, e kupton se është duke munguar një prej balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Menjëherë kërkon që ai të jetë i pranishëm. E kur në sallën e ushtrimeve të BKK-së futet koreografi i shfaqjes “Romeo e Zhuljeta”, Konstantin Uralsky, nis të japë direktiva për lëvizje. Kërkon që ato të përmirësohen.
Paraditen e së enjtes, që të dy, por sidomos Konstantin Uralsky nuk ka qenë në gjendjen e njëjtë emocionale sikur një ditë para. Takimi i mëngjesit me zëvendësuesin e drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, ia ka ndërruar goxha çehren.
Musolli në mbrëmjen e së mërkurës dhe mëngjesin e së enjtes ka qenë nën presion të madh nga Ministria e Kulturës që të ndërpresë bashkëpunim me koreografin ruso-amerikan shkaku i luftës që e ka nisur Rusia në Ukrainë. Bota artistike ka nisur t’i pezullojë bashkëpunimet me artistë rusë, të cilët mund të llogariten si aleatë të presidentit rus, Vladimir Putin.
“Politikisht mund të na ndikojë shumë keq bashkëpunimi. Ndërprerja e bashkëpunimit nuk i njollos personat konkretë, por e rrit presionin ndaj Rusisë. Për këtë po ndërpriten bashkëpunimet nëpër botë”, i ka thënë KOHËS një zyrtar i Ministrisë së Kulturës derisa ka arsyetuar kërkesën ndaj BKK-së. I njëjti ka konfirmuar jozyrtarisht se gjatë ditës së enjte, është zbutur gjendja.
Uralsky, i cili ka udhëtuar drejt Kosovës për t’i nisur provat më 28 shkurt, posedon pasaportë amerikane. Jeton në ShBA prej vitit 1990. Bile, edhe prezantohet si koreograf amerikan. Ishte pjesë e baletit të teatrit me nam “Bolshoi” në Rusi e bashkëpunëtor i shumë trupave të baletit në ShBA në tri dekadat e fundit.
“Unë jam artist. Nuk jam politikan”
Pas nja dhjetë minutave në prova, kur i kërkohet që ta japë një intervistë të shkurtër, e di saktë se do të pranojë edhe pyetje politike. E manifeston njëfarë djersitje ende pa iu bërë pyetjet. KOHA ka marrë vesh se qysh në provën e parë ai ka sqaruar për balerinët se është kundër çdo lufte dhe nuk e përkrah regjimin aktual në Rusi. Në shtetin prej nga vjen ka familjarë të afërt dhe është goxha i brengosur për ata. Kjo është prej arsyeve bazë që përton fort të flasë për gjendjen e krijuar nga lufta.
“Unë jam artist. Nuk jam politikan”, ka thënë ai. Pasi ka pauzuar pak, ka vazhduar të flasë.
“Nuk mund... Më lejoni të them kështu: Jam kundër çdo lufte. Mund ta pranoj kur dikush e lufton dikë vetëm për ta ruajtur jetën. Po flas në parim. Agresioni në parim është brenda njerëzve. Por nuk dua të jap deklarata për gjëra të tilla. Çfarë mendoj për luftën mund të shihet në punën time. Kjo mund të shihet te ‘Romeo e Zhuljeta’ pasi është një shfaqje për dashurinë, jetën dhe vdekjen”, ka thënë ai.
Për ta çuar përpara projektin e nisur, është treguar i gatshëm të takohet me cilindo udhëheqës institucionalë, përfshirë ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.
Vizita e parë në Kosovë më 2009
Uralsky e di goxha mirë se çfarë ka ndodhur edhe në Kosovë më 1998-1999. Më 2009 pikërisht me BKK-në përgatiti shfaqjen “More than two to tango”, balet njëaktësh. Atë periudhë e ka përshkruar si një eksperiencë shumë të mirë. Ka thënë se nuk e dinte se ku po shkonte kur u nis për në Kosovë.
“Ishte afër kohës kur kishte ndodhur lufta e tmerrshme. Nuk kisha frikë, por thjesht nuk e dija çfarë do të gjej. Kur erdha këtu takova një trupë të re baleti me shumë energji për të ecur përpara”, ka thënë ai. Prej perspektivës së tanishme, Uralsky ka treguar se BKK-ja ka avancuar shumë.
“Tash po përgatisim shfaqje dyaktëshe, një shfaqje komplete. Pra një mbrëmje baleti”, ka thënë ai. Janë përcaktuar për “Romeo dhe Zhuljetën” – që premierën do ta ketë më 24 mars – pasi bëhet fjalë për një vepër të pakohshme.
“Është shumë interesante për mua pasi e kam përgatitur këtë shfaqje më herët, por kësaj radhe është ndryshe”, ka thënë ai me goxha relaksim kur fliste për procesin artistik për dallim prej përgjigjeve për luftën e rrethanat politike. Ka për qëllim që shfaqja të hapë pyetje për jetën e vdekjen, dashurinë e shumë gjëra të tjera.
“Romeo e Zhuljeta” për dashurinë e humanizmin
“Nuk është ideja të prezantojmë vetëm dashurinë e çiftit, por edhe dashuritë e personazheve të tjera për jetën, familjen e shumë gjëra të tjera. Pra, ky është një balet për dashurinë, humanizmin e ndjenjat”, ka thënë Uralsky. Ka paralajmëruar surpriza sa i përket koreografisë. Ka thënë se prapavija e tij është baleti klasik, por është marrë shumë edhe me teknikat moderne të vallëzimit. Gjuhën e tij të vallëzimit e ka përshkruar si të përzier.
“Kësaj radhe do të sjellim diçka më moderne në secilin aspekt jo veç në vallëzim. Do të bëjmë diçka që është balet i këtyre ditëve”, ka thënë ai.
Lirinë në krijimtari e ka kultivuar në ShBA. Për këtë pjesë kishte rrëfyer gjatë në një intervistë në muajin mars të vitit 2005 për “New York Times”. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte moment që ai të reflektonte për të ardhmen.
“Mendoj se përfundimisht kam ndryshuar në vitet ’90. Më janë dashur 10 vjet që ta gjej veten”, do të thoshte. Aty do të rrëfente për gjeneratën e tij si balerin me nam në ish-Bashkimin Sovjetik. Për vitet ’80 kishte thënë se shkaku i shtetit ku jetonin bëhej fjalë për një gjeneratë të humbur.
“Është një gjeneratë e humbur dhe arsyeja është pamundësia që të zhvillohen në atë atmosferë. Ky jam unë, tash flas si një koreograf amerikan pasi kjo është ajo që jam”, kishte thënë ai. Kishte përmendur kolegë të tij që ishin viktima të krimit në Rusi. Në SHBA ka punuar në Baletin e Iowas, atë të New Yorkut dhe të Colorados.
Të enjten, artin e ka përshkruar si diçka që e ka mision.
“Nëse do të thosha që arti është për të ndërtuar ura midis njerëzve e popujve, kjo është një frazë shumë gjenerale që e thonë të gjithë. Nuk e besoj që prisni t’ua them këtë. Arti është misioni im i jetës. Secili njeri e ka një mision në jetë vetëm duhet ta gjejë atë”, ka thënë ai. Ka sqaruar se nëpërmjet artit ai komunikon me njerëzit anë e mbanë botës.
“Ju tregoj atyre se si ndihem. Pra, është diçka më shumë se të vij në teatër e të bëj punë. Nuk ka lidhje se në çka beson në këtë planet, por duhet të kujtojmë më shumë për veten e njerëzimin. Jam shumë i plotësuar që mund ta bëj këtë”, ka thënë Uralsky. Këtë ua ka thënë edhe balerinëve të BKK-së. Gjatë së enjtes një pjesë e balerinëve e kanë marrë me shumë shqetësim presionin për ta ndërprerë bashkëpunimin. Komentet i kanë pasur prej më të ndryshmeve.
“Nëse e përdorim përjashtimin atëherë duhet edhe të mos luajmë balet pasi ky art vjen nga Rusia”, ka thënë një solist. Por zëvendësuesi i drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, është munduar që t’ua mbajë lart vullnetin për shfaqje.
Pak pasi ka dalë nga MKRS-ja, ka treguar se gjendja është “zbutur pak”.
“Ka mbetur të shihet se çfarë do të thotë niveli i lartë politik”, ka rrëfyer ai. Deri në mbrëmje vonë nuk i është kumtuar ndonjë vendim. Musolli ka vazhduar me arsyetimin se projekti duhet të vazhdojë.
“Asistenti i koreografit ka pasaportë ruse. Ka marrë vizë nga shteti ynë, që do të thotë se i ka kaluar verifikimet. Në gjendjen në të cilën jemi ai ka rrezikuar duke ardhur këtu për shfaqje”, ka thënë Musolli. Sipas tij, është e pakuptimtë të ndërpritet bashkëpunimi. Ka thënë se shtëpitë operistike në botë po ndërprenë bashkëpunimet me artistë që janë përkrahës të regjimit të Putinit. Ka përsëritur se në rastin e BKK-së qëllimi është të nxirret në skenë një shfaqje që midis të tjerash jep mesazhe paqeje. Musolli me ngulm e guxim, me të cilin nuk shquhen shumë udhëheqës institucionalë, është duke insistuar që projekti të vazhdojë. Piruetat për “Romeo e Zhuljeta” janë duke vazhduar. Ministria e Kulturës, saktësisht vetë ministri Hajrulla Çeku, nuk është përgjigjur për rastin. Nëse shfaqja do të realizohej do të ishte një triumf i zellit për artin, për dallim nga “Romeo e Zhuljeta” që nuk mbyllet me festë.