Elvis Rexhbeçaj kishte arsye për të qenë i inatosur pas një penalltie që, sipas tij, “nuk ekzistoi”.
Megjithatë, Rexhbeçaj nuk i ka fajësuar gjyqtarët për disfatën e Augsburgut në Mainz. Ai shfaqi shumë pakënaqësi në njërën anë, por në anën tjetër ishte profesional në analizë. Nuk është detyrë e lehtë pas një ndeshjeje të Bundesligës, kur emocionet dhe adrenalina janë ende në nivel të lartë, ka shkruar “Kicker” të dielën.
Augsburgu një ditë më herët u mposht 2:0, ndërsa mesfushori i Kosovës ishte i përfshirë ndoshta në rastin më vendimtar të ndeshjes.
Në minutën e pestë, Rexhbeçaj e humbi një top dhe më pas pati duel me Stefan Bellin. Gjyqtari Patrick Ittrich dha penallti. Pas ndërprerjes së gjatë, VAR-i nuk e ktheu vendimin e gjyqtarit dhe nuk e ftoi atë për ta parë rastin në monitor.
“Kicker” e ka vlerësuar si gabimin e dytë kundër Augsburgut brenda javës. I tillë ishte edhe një tjetër në fitoren 2:1 ndaj St. Paulit.
“E kam prekur fare pak, nuk kam ndier asgjë. Është irrituese kur e sheh pamjen sepse mezi shihet kontakti”, ka thënë 28-vjeçari Rexhbeçaj. Ai nuk e ka fajësuar gjyqtarin Ittrich, por më shumë e kishte me gjyqtarët në dhomën e VAR-it.
“Kjo e irriton çdokënd. Kështu që më mirë të mos jenë ata, e më pas do të kishim vendime njerëzore. Gabimet ndodhin, inatosemi si më parë dhe përfundon çdo gjë. Por të bësh gabime pasi të kesh parë imazhet është thjeshtë e pamundur. Shumë para janë shpenzuar për këtë teknologji. Mund ta afrosh situatën dhe ta shikosh nga çdo kënd”, ka deklaruar Rexhbeçaj, që ka shtuar se përgjegjësinë për humbjen duhet ta marrin vetë futbollistët.