Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Metropolitan Opera” pezullon bashkëpunimin me aleatët e Putinit

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, shtëpia e madhe operistike “Metropolitan” ka marrë vendim që të pezullojë bashkëpunimin me artistët e organizatat ruse që e përkrahin presidentin rus, Vladimir Putin. Shtëpia e njohur operistike e New Yorkut, “Metropolitan”, për çdo sezon pret artistë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe, sipas menaxherit të saj Peter Gelb, ky veprim mund të ngrejë një alarm dhe mund të çojë mesazhe në luftën kundër shtypjes. Nëpërmjet një videoje të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Gelb ka kumtuar këtë vendim duke thënë se në këtë mënyrë e shprehin solidaritetin me popullin dhe udhëheqësit e Ukrainës.

“Ne nuk mund të vazhdojmë më bashkëpunimin me artistë apo institucione që mbështesin Putinin ose mbështeten prej tij – këtë nuk do ta bëjmë derisa pushtimi dhe vrasjet të ndalen, derisa rendi të rivendoset”, ka thënë Gelb në një videomesazh rreth një minutë e gjysmë të shpërndarë në Facebook, ku ka marrë mbështetjen virtuale të afro 1 mijë e 600 njerëzve.

Në një intervistë për “The New York Times” të dielën, Gelb kishte thënë që është e tmerrshme që marrëdhëniet artistike për një kohë do të jenë dëmi kolateral i këtyre veprimeve të Putinit. Ai më tutje nuk ka specifikuar se me cilat institucione dhe artistë rusë do të ndërpresë bashkëpunimet, por tre më të shquarit që kanë qenë aktivisht aleatë me Putinin janë: teatri “Marinsky” në Shën Petersburg, drejtori i përgjithshëm dhe artistik i tij, dirigjenti Valery Gergiev, i cili është edhe ish-dirigjenti kryesor i ftuar i Shtëpisë Operistike, dhe sopranoja Anna Netrebko, e cila i ka të shpeshta paraqitjet në skenën e “Metropolitan Opera”.

Dirigjenti Valery Gergiev ka qenë një mbështetës dhe mik aktiv i Putinit për tri dekada. Në vitin 2014, Gergiev shprehu mbështetjen e tij për veprimet e Putinit në Donetsk. Në vitin 2013, ai ishte dekoruar nga Putini me titullin “Hero i Punës i Federatës Ruse”. Këtë Putini ia kishte dhënë një vit pasi Gergiev u shfaq në videot e fushatës së Putinit duke e mbështetur atë. Ashtu si Gergiev, edhe ylli operistik Anna Notrebko për disa vjet me radhë haptazi kishte shprehur admirimin e saj për figurën e Putinit. Jo shumë kohë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Netrebko (e cila u bë shtetase e Austrisë në vitin 2006) kishte dhuruar një donacion monetar për Shtëpinë e Operës në Donetsk, nën kujdesin e udhëheqësit separatist prorus, Oleg Tsaryov. Nga kjo ngjarje është edhe fotografia e tyre duke e mbajtur një flamur separatist rus.

Ngritjet e divës operistike në arenën ndërkombëtare kanë qenë ngushtë të lidhura me shtëpinë operistike amerikane. Paraqitja e saj e radhës ka qenë e planifikuar të mbahet më 30 prill, ku ajo duhej t’i futej një gare në rolin kryesor të operës “Turandot” të Puccinit. Vetë sopranoja ka bërë një reagim në llogarinë e saj në Instagram të shtunën duke thënë se është kundër luftës.

“Unë jam ruse dhe e dua vendin tim, por kam shumë miq në Ukrainë. Dhimbja dhe vuajtja tani ma thyejnë zemrën”, ka shkruar ajo. Tutje Netrobko ka theksuar se nuk është person politik dhe e ka vlerësuar si të padrejtë që të detyrohen artistet t’i shprehin qëndrimet e tyre politike.

Edhe I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar Botë 2 d. më parë I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar

“Unë nuk jam person politik. Unë nuk jam ekspert i politikës. Unë jam një artiste dhe qëllimi im është të bashkohemi përtej ndarjeve politike”, ka shkruar tutje ajo.

Ky vendim i shtëpisë së njohur operistike në New York ka ardhur katër ditë pasi që “Carnegie Hall” dhe Orkestra Filharmonike e Vjenës e larguan dirigjentin rus, Valery Abisalovich Gergiev, dhe pianistin, Denis Matsuev, nga seria e tri koncerteve për shkak të lidhjeve të ngushta të dy muzikantëve me Putinin. Opera romantike “Lohengrin” e Richard Wagnerit nga Opera Bolshoi e Moskës ka qenë e planifikuar të jepet në mars të vitit 2023. Teatri i operës dhe baletit “Bolshoi” ka mbështetje nga shteti rus. Për këtë arsye të premten Shtëpia Mbretërore e Operës në Londër e anuloi paraqitjen e Baletit të “Bolshoit” për këtë verë.

Përgatiti: Gili Hoxhaj