Përtej anës ideologjike, filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me skenat, rolet, e krejt filmi nxjerr në pah anët e forta artistike të ekipit që e ka punuar. E në këtë rast, “gjeneral” i kastit ishte regjisori Vladimir Prifti. Mjeshtri i disa projekteve të njohura kinematografike vdiq të dielën. Ai ishte 81 vjeç. Vdekja e Priftit është parë si humbje e madhe për kinematografinë e mbarë artin shqiptar
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pos si roman, është edhe një prej filmave më të njohur të realizmit socialist në Shqipëri. Përtej anës ideologjike, skenat, rolet, e krejt filmi nxjerr në pah anët e forta artistike të ekipit që e ka punuar. E në këtë rast, “gjeneral” i kastit ishte regjisori Vladimir Prifti. Mjeshtri i disa projekteve të njohura kinematografike vdiq të dielën. Ai ishte 81 vjeç. Vdekja e Priftit është parë si humbje e madhe për kinematografinë e mbarë artin shqiptar.
Prifti kishte bërë regjinë e filmave si “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë” e “Flutura në kabinën time”.
I lindur në Tiranë më 1 qershor 1942, Prifti do të diplomonte shkollën e lartë për aktorë, “Aleksandër Moisiu” dhe shpejt do të zinte vend pune si aktor në atë që ishte Teatri Popullor. Do të binte në sy me rolin e Kogos te drama “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit. Pas pak vjetësh do të niste të bënte asistentin e regjisë në shfaqje, e më pas do të dramatizonte romanin e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Për krijimtarinë e tij qe nderuar me çmimin e veçantë në “Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar”, dhe me Çmimin e Republikës të klasit të parë me filmin e tij artistik “Udha e shkronjave”.
Vladimir Prifti ka realizuar edhe disa dokumentarë në vitet 2000-2004, midis tyre “Të bekuarit”, “Legjenda e baltës”, “Rruga Egnatia”, “Butrinti”. Me “Butrinti” kishte fituar Çmim të veçantë në Festivalin e 10-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë. Vladimir Priftit i është dhënë titulli “Artist i Merituar”.
Në ditën e tij të vdekjes, figura e tij është vlerësuar lart nga kolegë e udhëheqës institucionalë.
Regjisori e aktori, Mevlan Shanaj, ka thënë se me vdekjen e Priftit ekranit shqiptar i ka ikur regjisori i shquar, njeriu me humor dhe me pasion për artin.
“Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi! E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do të mbetet i përjetshëm përmes veprës tënde!”, ka shkruar Shanaj në rrjete sociale.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se arti shqiptar humbi një ndër regjisorët më të talentuar dhe Shqipëria një intelektual të pakompromis, Vladimir Priftin. Sipas tij, do të mjaftonin vetëm dy vepra, ikona të filmit shqiptar, si “Udha e shkronjave” dhe “Flutura në kabinën time” për t’u përjetësuar emri i Priftit në plejadën e regjisorëve më të mirë shqiptarë, por vepra e tij përmban edhe shumë realizime filmash të tjerë.
“Si skulptor i imazhit, ai skaliti personazhe të pashlyera nga kujtesa e publikut. Artist, intelektual dhe, mbi të gjitha, njeri që e donte vendin e vet, Vladimir Prifti është frymëzim për brezat e rinj të kinematografisë shqiptare. U shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjarëve”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Kurse ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh, regjisorin e filmave të paharrueshëm “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë", "Flutura në kabinën time" e shumë të tjerëve.
“Vladimir Prifti iu shtua tempullit të përjetësisë! Regjisor i analizës psikologjike, i gdhendjes së karaktereve, që iu largua klisheve të kohës. Prifti ka lënë pas një shkollë për filmin shqiptar. U prehsh në paqe mjeshtër!”, ka shkruar ajo në Facebook.