Arbëri

Osmani, Kurti e Basha ngushëllojnë për vdekjen e Enver Petrovcit

Enver Petrovci

Enver Petrovci në emisionin Pikë me Veton Surroin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha, kanë dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e aktorit Enver Petrovci.

Osmani ka thënë se Petrovci mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës.

“Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin”, ka thënë Osmani.

Kurti, ka ngushëlluar familjen, kolegët e artdashësit për vdekjen e aktorit.

“Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social Facebook.

Kurti poashtu tha se trashëgimia e tij artistike do të mbesin gjallë për t’u përcjellë brez pas brezi.

“Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.”, përfundoi Kurti.

Ndërkaq  Basha, derisa ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit Petrovci, ka thënë se sot Kosova ka humbur një nga figurat më të shquara të kulturës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha ka thënë se Petrovci ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore. 

“Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza. Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore”, ka shkruar Basha.

Ai tutje në emër të Kuvendit të Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komuhnitetit artistik.

Aktori dhe regjisori, Enver Petrovci, ka vdekur në moshën 71-vjeçare.

Krahas aktivitetit artistik, ai punoi edhe si pedagog në degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.

 Petrovci ka vdekur në moshën 71-vjeçare. Ai ishte një nga themeluesit e Teatrit Dodona dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë. Krahas aktivitetit artistik, ai punoi edhe si pedagog në degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.

MKRS: Petrovci ishte më shumë se një emër i madh i skenës sonë

1 muaj më parë / 22 sht 2025 18:55
mkrs

Me rastin e vdekjes së aktorit Enver Petrovci, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se Petrovci ishte më shumë se një emër i madh i skenës së vendit.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të shquar, Enver Petrovci. Ai ishte më shumë se një emër i madh i skenës sonë: ishte zëri, fytyra dhe shpirti i shumë roleve që shënjuan teatrin, filmin dhe kujtesën kulturore të vendit tonë. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me artin dhe publikun. Përmes talentit të pashtershëm, ai i dhuroi gjeneratave të tëra emocione, reflektim dhe dashuri për kulturën”, thuhet në telegram ngushëllimin e MKRS-së drejtuar familjes Petrovci.

Edi Rama për Enver Petrovcin: Aktor i jashtëzakonshëm, e njeri i dashur

1 muaj më parë / 22 sht 2025 17:16
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit të njohur, Enver Petrovci.

Rama përmes një postimi në Facebook, e ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm dhe të dashur Petrovcin.

“Aktor i jashtëzakonshëm, njeri i dashur dhe keqardhje e madhe…Prehu në paqe Enver Petrovc”, shkroi Rama në facebook.