Grabitja ndodhi rreth 30 minuta pas hapjes së muzeut, ndërsa vizitorët kishin filluar tashmë të hynin. Ngjarja u cilësua si një nga vjedhjet më të bujshme të muzeve në kujtesën e afërt dhe ndodhi në një kohë kur stafi kishte paralajmëruar se mbipopullimi dhe mungesa e personelit po e vënë sigurinë nën presion. Incidenti ndodhi vetëm 250 metra larg “Mona Lisas”, në një operacion “katërminutësh profesional”, siç e përshkroi ministrja e Kulturës, Rachida Dati. Një eksponat u gjet më pas jashtë Muzeut
Në një sulm që zgjati vetëm disa minuta të dielën, brenda muzeut më të vizituar në botë, “Louvre”, grabitësit përdorën një vinç për t’u ngjitur në fasadën e ndërtesës, thyen një dritare, shkatërruan vitrinat dhe u arratisën me stoli, napoleonë të paçmueshëm.
Grabitja ndodhi rreth 30 minuta pas hapjes së muzeut, ndërsa vizitorët kishin filluar tashmë të hynin. Ngjarja u cilësua si një nga vjedhjet më të bujshme të muzeve në kujtesën e afërt dhe ndodhi në një kohë kur stafi kishte paralajmëruar se mbipopullimi dhe mungesa e personelit po e vënë sigurinë nën presion.
Incidenti ndodhi vetëm 250 metra larg “Mona Lisas”, në një operacion “katërminutësh profesional”, siç e përshkroi ministrja e Kulturës, Rachida Dati. Një eksponat u gjet më pas jashtë muzeut. Sipas mediave franceze, bëhej fjalë për kurorën perandorake të perandores Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III, e zbukuruar me më shumë se 1 mijë e 300 diamante. Ajo u gjet e dëmtuar.
Pamjet nga vendngjarja tregonin turistë të hutuar që drejtoheshin jashtë përmes piramidës prej xhami dhe oborreve përreth, ndërsa policia mbylli rrugët ngjitur me lumin Seine. Nuk raportohen të lënduar.
Një vinç ishte vendosur në fasadën përballë lumit, pranë një zone ndërtimi që u bë edhe rruga e hyrjes së grabitësve dhe, sipas vëzhguesve, një dobësi e dukshme e këtij pallati muze.
Rreth orës 09:30 të mëngjesit, disa persona hynë nga një dritare, prenë xhamin me një mjet prerës dhe u drejtuan menjëherë drejt vitrinave, treguan zyrtarët. Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi se grupi kishte hyrë nga jashtë duke përdorur një vinç me kosh.
Objektivi i tyre ishte Galeria Apollon, ku ekspozohet Koleksioni Mbretëror dhe Diamantet e Kurorës, përfshirë Regent, Sancy dhe Hortensia.
Sipas Laurent Nuñez, grabitësit thyen dy vitrina dhe u larguan me skuterë. Ndër nëntë objektet e raportuara si të vjedhura ishin një komplet me varëse dhe vathë të përshtatur, një broshë dhe dy kurora, një komplet perandorak i çmuar për mjeshtërinë dhe origjinën e tij të shekullit XIX.
“Është një grabitje madhore”, ka deklaruar Nuñez, duke shtuar se masat e sigurisë në “Louvre” ishin forcuar në vitet e fundit dhe do të përforcohen më tej në kuadër të planit të ri të modernizimit të muzeut.
Sipas mediave franceze, grabitësit besohet se iu afruan ndërtesës nga ana e lumit, përdorën një ashensor ngarkesash për të arritur në sallën ku ndodhej koleksioni me 23 eksponate.
“Louvre” qëndroi i mbyllur në pjesën tjetër të ditës së diel për fillimin e hetimeve, ndërsa policia rrethoi zonën, pastroi oborret dhe mbylli rrugët përreth lumit Seine.
Grabitjet në dritë të diellit, gjatë orarit të vizitave, janë jashtëzakonisht të rralla. Të kryesh një të tillë brenda “Louvre” – me vizitorë të pranishëm – renditet ndër më të guximshmet në historinë e kohëve të fundit në Evropë, të paktën që nga vjedhja në muzeun “Green Vault” të Dresdenit në vitin 2019.
Ngjarja nxjerr në pah një tension të hershëm që “Louvre” përpiqet të menaxhojë: flukset e mëdha të turistëve dhe mungesën kronike të stafit. Muzeu kishte shtyrë hapjen në qershor pas një greve të punonjësve që protestonin për mbipopullimin. Sindikatat thonë se turizmi masiv lë shumë pak sy për të monitoruar shumë salla, duke krijuar pika të dobëta, ku ndërthuren zonat e ndërtimit, rrugët e ngarkesave dhe fluksi i vizitorëve.
Masat e sigurisë për veprat ikonike mbeten të forta – “Mona Lisa” ruhet pas xhamit antiplumb në një kasë me klimë të kontrolluar – por grabitja e së dielës tregoi se mbrojtja nuk është njëtrajtësisht e fuqishme për të gjitha nga mbi 33 mijë eksponatet e muzeut.
Kjo është një goditje e re për muzeun, tashmë nën vëzhgim të afërt.
“Si është e mundur që ata të ngjiten me vinç, të hapin një dritare dhe të marrin stolitë në mes të ditës?”, pyeti Magali Cunel, një mësuese franceze nga Lyoni. “Është e pabesueshme që një muze kaq i famshëm mund të ketë boshllëqe kaq të dukshme sigurie”.
“Louvre” ka një histori të gjatë grabitjesh dhe tentativa vjedhjeje. Më e famshmja ndodhi në vitin 1911, kur “Mona Lisa” u zhduk nga korniza e saj duke u vjedhur nga Vincenzo Peruggia dhe u rimor dy vjet më vonë në Florence. Në vitin 1956, një vizitor hodhi një gur drejt portretit, duke dëmtuar bojën pranë bërrylit të majtë dhe duke përshpejtuar vendimin për ta vendosur pikturën pas xhamit mbrojtës.
Sot, ish-pallati mbretëror strehon një koleksion të qytetërimeve të botës: “Mona Lisa” e Leonardo da Vincit; qetësia pa krahë e Venus de Milo; “Winged Victory of Samothrace” mbi shkallët e Daru; “Kodi i Hammurabit”; “Liberty Leading the People” e Delacroix dhe “The Raft of the Medusa” e Géricault. Këto eksponate – nga Mesopotamia, Egjipti dhe bota klasike deri te mjeshtrit evropianë – tërheqin çdo ditë deri në 30 mijë vizitorë, ndërsa hetuesit tani po kërkojnë gjurmë përgjatë korridoreve të arta të muzeut.
Ekipet e ekspertëve të forenzikës po analizojnë vendin e krimit dhe pikat e hyrjes përreth, ndërsa po kryhet një inventarizim i plotë i eksponateve, njoftuan autoritetet. Zyrtarët e kanë përshkruar sasinë e vjedhur si me “vlerë historike të paçmuar”.
Rikuperimi i stolive mund të jetë i vështirë.
“Është pak e mundshme që këto bizhuteri të shihen ndonjëherë sërish”, ka thënë Tobias Kormind, drejtor menaxhues i kompanisë “77 Diamonds”. “Grupet profesionale shpesh i copëtojnë dhe i ripërpunojnë gurët e mëdhenj e të njohur për të shmangur identifikimin, duke fshirë praktikisht origjinën e tyre”.
Autoritetet shtuan se disa pyetje mbeten ende pa përgjigje, përfshirë sa persona morën pjesë në grabitje dhe nëse kishte ndihmë nga brenda.
Sipas mediave franceze, katër persona ishin të përfshirë: dy të veshur si punëtorë ndërtimi me jelekë të verdhë sigurie që ndodheshin në vinçin me kosh, dhe dy të tjerë në skuter, që shërbyen si mbështetje në arratisje.
Hetuesit po shqyrtojnë pamjet e kamerave nga ana e lumit Seine. Po inspektojnë vinçin me kosh që u përdor për të hyrë në galeri, si dhe po marrin në pyetje anëtarët e stafit që ndodheshin në muze në momentin e hapjes, bënë të ditur autoritetet.