Platforma italiane “Context Art Gallery”, që promovon artistë të rinj dhe artin bashkëkohor, do të ekspozojë nëpërmjet ueb-faqes së vet edhe 20 vepra të artistes nga Kosova. Por ky është vetëm një shteg. Veprat e piktores Besjana Kryeziu nëpërmjet kësaj platforme do të promovohen edhe në platforma të tjera me nam, si “Artsy”, “Artsper”, “Artsail”, “Kooness” e të tjera
Janë 24 artistë nga vende të ndryshme të botës të cilët gjatë gjithë kohës promovohen në forma të ndryshme nga “Context Art Gallery”. Galeria ndërkombëtare e specializuar për promovimin e artit bashkëkohor tani do të promovojë edhe krijimtarinë e piktores Besjana Kryeziu. Punimet e artistes nga Kosova karakterizohen nga ngjyra të pastra, lëvizje të shkurtra dhe të gjata, vija, tekstura e forma të ndryshme. Nëpërmjet pikturës ajo gjithmonë mundohet të përçojë emocione e mesazhe. Piktorja e lindur në fshatin Mleçan të Malishevës, frymëzimin e gjen te udhëtimet nëpër botë, natyra, fotografia, muzika, leximi dhe kryesisht nga ngjyrat. Tani 20 vepra të saj do të bëhen pjesë e galerisë me seli në Treviso të Italisë.
Galeria ka për fokus promovimin e artistëve që merren me art bashkëkohor, veçmas me art abstrakt, fotografi dhe skulpturë.
“Në një kohë kur komunikimi i shpejtë dhe media kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë, galeria përqendrohet në promovimin dhe shitjen e veprave të artit në internet, si dhe në ekspozitat pop-up dhe pjesëmarrjen në panaire të zgjedhura arti në Evropë”, shkruan në ueb-faqen e Galerisë, ku shpejt do të vendosen edhe veprat e Kryeziut.
Artistes 28-vjecare, në kuadër të bashkëpunimit do t’i ekspozohen punimet e saj përgjatë një viti në ekspozita virtuale e fizike që do të organizohen nga “Context Art Gallery”. Sidoqoftë më e rëndësishmja sipas Kryeziut, është fakti se galeria në fjalë veprat e saj do t’i shfaqë edhe në disa nga platformat më të mëdha të artit në botë, si “Artsy”, “Artsper”, “Artsail”, “Kooness” e të tjera.
“Jam e lumtur që arti im po bie në sy nga shumë galeri të cilat shprehin interesim dhe më shkruajnë vazhdimisht për bashkëpunime. Qe prej fillimit të pandemisë me mbylljen e galerive kemi pasur mundësi më të mëdha për të shfaqur punën online para një publiku edhe më të gjerë”, ka thënë Kryeziu, e cila tani jeton në Belgjikë.
Pikërisht pandemia – artisten e cila më 2015 kreu studimet bazike për pikturë dhe ato master më 2018 ne Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës – e shtyri që të aplikonte nëpër konkurse të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Si rrjedhojë e tyre beson se ka ardhur edhe interesimi nga “Context Art Gallery”. Pikënisje ishte gara nga “Brick Lane Gllery” në Londër vitin e kaluar, ku me veprën e saj “Liria” u përzgjodh si finaliste e kësaj gare.
“Si një ndër artistet e preferuara, galeria më ftoi për një ekspozitë fizike kolektive në Londër, por për shkak të pandemisë është shtyrë për një kohë të pacaktuar”, ka treguar Kryeziu.
Gjatë këtij viti veprat e saj janë të ekspozuara edhe në platformën “Unrtun”. Aty gjendet vepra e saj “Besimi” nga cikli “Bota e grave”. Në këtë cikël artistja ka treguar se ka punuar për një muaj rresht për të shfaqur bukurinë e gruas, forcën, figuracionin, thjeshtësinë, brishtësinë, profesionin, amësinë, talentin, botën e brendshme e karakteristika të tjera. Disa vepra nga ky cikël u shfaqën dhe gjatë muajit të kaluar në galerinë digjitale “Galeria Plogix”, që ka në fokus artin modern dhe abstrakt.
E në galerinë “Bid Gala”, që gjendet në Kanada, po ashtu në mars u ekspozuan punimet e Kryeziut, nëpërmjet të cilave ajo shfaqi emocionet e saj gjatë pandemisë.
“Konkurset online aq sa janë një mundësi e mirë, në të njëjtën kohë janë një sfidë për shkak se konkurrenca është shumë më e madhe pasi aplikojnë artistë nga e gjithë bota. Aplikimet e tyre kanë kritere të ndryshme dhe gjithmonë duhet një angazhim për të plotësuar ato deri në përpikëri”, ka thënë Kryeziu. Ka shtuar se për të, si artiste, është një nder që punimet e saj përzgjidhen për ekspozita të ndryshme para një audience të gjerë.
“Ky është një vullnet shumë i madh për mua të vazhdoj dhe të punoj pa u ndalur. Synimet e mia po rriten dita-ditës, por qëllimi kryesor është të ekspozoj artin tim në të gjithë botën”, ka thënë ajo.
Besjana Kryeziu ka ekspozuar në më shumë se 50 ekspozita vendore dhe ndërkombëtare në Itali, Londër, Gjermani, SHBA, Turqi, Amerikën Lindore, Republikën Çeke, Hungari, Kosovë, Shqipëri e të tjera. Një ndër më të rëndësishmet ishte edhe ekspozita e saj personale ‘’Mozaiku i jetës’’, e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës më 2018 . Rrugëtimi i saj vazhdoi me kurimin e dy ekspozitave të mbajtura në Bibliotekën Kombëtare dhe në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Ajo po ashtu ishte pjesë e projektit “Muzeu Mobil” (2016-2019), që organizohej në kuadër të aktiviteteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Përmes këtij projekti mbaheshin aktivitete të ndryshme për fëmijë dhe një ekspozitë arkeologjike në mënyrë që të sjellë përvojën e muzeut më pranë fëmijëve në të gjitha shkollat në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Kryeziu ishte pjesë edhe e disa projekteve me fondacionin “Bonevet”, ku arti dhe teknologjia bëheshin bashkë. Në vitin 2016, ajo u vlerësua si "Artistja më e mirë" në edicionin e 5-të “Expo Style ArkiAsa” në Tiranë.