Kulturë

Artisti nga Kosova me “Play F” në Belgjikë

Fiks 24 piktura abstrakte, ku piktori Faton Kryeziu dëshmon lojën e tij intensive me ngjyrën, tani ndodhen në Belgjikë, gati për t’u bërë pjesë e ekspozitës personale të artistit atje. “Play F” titullohet ekspozita, e cila do të hapet të premten në galerinë e arteve “Dalek” që ndodhet në qendër të qytetit Antwerp. Kjo seri e punimeve artistike, sipas piktorit, i referohet lojës së tij në pikturë

Dy vjetët e fundit ishin ndër më produktivët për artistin Faton Kryeziu. Një periudhë kur e ka sfiduar goxha veten. E këto e kanë bërë atë të vlerësohet si artist i tablove befasuese që nëpërmjet ngjyrave sjell risi. Insiston që aty të ballafaqojë idetë e tij origjinale, duke refuzuar ta përsërisë vetveten.

Pikërisht këtë u mundua ta nxjerrë në pah përgjatë verës së vitit 2021, kur nxori 40 punime para publikut në ekspozitën e tij personale “Tension e emocion” që u hap në ambientet e një hoteli në periferi të Prishtinës. Tani ka një stacion tjetër për veprat e tij. 24 piktura abstrakte, ku piktori dëshmon lojën e tij intensive me ngjyrën, tani ndodhen në Belgjikë, gati për t’u bërë pjesë e ekspozitës personale të artistit atje. “Play F” titullohet ekspozita, e cila do të hapet të premten në galerinë e arteve “Dalek” që ndodhet në qendër të qytetit Antwerp. Kjo seri e punimeve artistike, sipas piktorit i referohet lojës së tij në pikturë. Ekspozimin atje, Kryeziu po e përcjell me punë të madhe pasi që kjo është hera e parë që po ekspozon në Belgjikë.

“Ekspozitat personale kanë një ndjeshmëri edhe më të madhe, e sidomos kur duhet prezantuar puna përtej kufijve”, ka thënë piktori, i cili punën e tij e ka ekspozuar edhe në shumë galeri të vendeve evropiane dhe ka realizuar 14 ekspozita personale.

“Pasi që ky cikël i pikturave është i së njëjtës tematikë, atëherë do të thotë se ato bashkëveprojnë me njëra-tjetrën dhe do të jenë të ekspozuara së bashku, ku në tërësi do t’i ofrojnë publikut një lojë të gjerë abstraksioni”, ka treguar Kryeziu për KOHËN.

Image

Ajo që dominon në serinë “Play F” është mënyra se si artisti luan me ngjyrat dhe detajet që dalin nga boja, të cilat më vonë kthehen në forma koloristike që përjashtojnë format gjeometrike


Ajo që dominon në serinë “Play F” është mënyra se si artisti luan me ngjyrat dhe detajet që dalin nga boja, të cilat më vonë kthehen në forma koloristike që përjashtojnë format gjeometrike. Kështu artisti synon lidhjen midis bojës me shtresë të trashë dhe shtresave të tejdukshme në përgjigje të pëlhurës së bardhë. Këto vepra arti janë produkt i tensionit organik të artistit në lidhje me praktikën e sotme artistike, si dhe me vizionin e tij për të ardhmen. Kjo bën që veprat e tij cilësohen si piktura figurative në pamje dhe ekspresive në emocion. Me këtë dinamikë ngjyrash do të shfaqen edhe në galerinë në Belgjikë, e cila hapi dyert në vitin 2017 dhe synon të mbledhë punimet e artistëve me ide dhe aftësi të jashtëzakonshme, që ia vlen të zbulohen. Për piktorin nga Prizreni kjo ekspozitë po shihet si mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja me artistët dhe publikun atje, si dhe për t’i hapur dyert nëpër galeritë e tjera evropiane.

“Natyrisht, se nga kjo ekspozitë do të ketë edhe bashkëpunime të tjera brenda kësaj galerie, por besoj që dhe me galeritë e tjera jashtë vendit”, ka thënë ai për KOHËN.

Kryeziu ka pasur një numër të madh ekspozitash të suksesshme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka shitur mbi 400 vepra arti në koleksione private në SHBA, Korenë e Jugut, Bahrejn, Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e të tjera. Ekspozita e tij në Belgjikë do të jetë e hapur një muaj.

Image

Atelieja e Faton Kryeziut