Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Tension e emocion” në përplasje me izolimin

Pikturat që mbajnë vulën e vitit 2020 shprehin individualitetin emocional dhe personalitetin artistik të artistit bashkëkohor, që pandemia ia dha një mundësi për ta begatuar sfondin e tij krijues. Faton Kryeziu, nëpërmjet artit, nuk ndalet vetëm te reagimi statik. Ai hulumton. Mbi 40 pikturat e ekspozuara dëshmojnë se artisti aty ka zbrazur gjithë botën e tij artistike, që vjen e pasur sa i përket raportit me ngjyrën

Se për artistin Faton Kryeziu koha e izolimit ka si kundërpërgjigje inspirimin, dëshmohet në pikturat e ekspozitës së tij personale “Tension e emocion”. Këtë kapitull të punës e ka përmbledhur në 42 pikturat e vendosura në ambientet e një hoteli në periferi të kryeqytetit. Pikturat e ekspozuara dëshmojnë se artisti aty ka zbrazur gjithë botën e tij artistike, që vjen e pasur sa i përket raportit me ngjyrën. Pikturat që mbajnë vulën e vitit 2020 shprehin individualitetin emocional dhe personalitetin artistik të artistit bashkëkohor, që pandemia ia dha një mundësi për ta begatuar sfondin e tij krijues.

“Play F” është titulli i vendosur në disa prej pikturave të artistit, ku loja me ngjyra del më në pah. Me këtë ekspozitë ai ka përmbledhur edhe punën e tij krijuese, duke e dokumentuar në librin “Tension dhe emocion”, nga autorja Suzana Varvarcia, që u promovua po të mërkurën mbrëma. “Tension dhe emocion” vjen si ndërveprim në pikturat e Kryeziut, i cili vlerësohet si artist i tablove befasuese, që refuzon ta përsërisë vetveten. Për Kryeziun, çdo pëlhurë e re është një sfidë e re.

“Unë nuk jam artist që e bëj vetëm një temë dhe kërkoj brenda saj. Unë jam piktor për të cilin hulumtimi është shumë më i rëndësishëm sesa të qëndruarit në një vend të caktuar”, ka thënë Kryeziu për KOHËN para hapjes së ekspozitës.

Se piktori nga Prizreni është goxha produktiv brenda galerisë së tij, e dëshmon edhe imazhi i cili hap librin që përthekon punën e stilin e këtij artisti. Aty dëshmohet marrëdhënia e artistit që nuk shkëputet nga tablotë e tij. Marrëdhënia e tij me ngjyrat, penelat e furçat vetëm përforcohet përmes imazheve. Libri në 220 faqe përmbledh ciklet e ndryshme të piktorit dhe vjen si një album vizual i veprave të piktorit.

Image
Pos ekspozitës “Tension dhe emocion”, si ndërveprim në pikturat e Kryeziut vjen edhe libri me të njëjtin titull i Suzana Varvarica

Autorja e librit, Suzana Vervarica, ka shpjeguar se libri është i përbërë nga shtatë kapituj, ku gjashtë prej tyre flasin për qëndrimin e estetikës në artin e Kryeziut dhe kapitulli i fundit përmban nënkapituj ku shpjegohen ciklet e pikturave të artistit.

“Fatoni është një artist ndërmjet traditës dhe modernes, impresionizmit dhe ekspresionizmit, dhe natyrisht të gjitha veprat e tij nisin nga realizmi i thellë, pasi ai është një artist që e njeh mirë realizmin, deri te përpunimi që ia bën ai objektit që është realist dhe kthehet në një objekt të impresionit”, ka shpjeguar kuratorja Vervarica, e cila e ka përcjellë punën e artistit kosovar për më shumë se një dekadë.

Edhe Artisti nga Kosova me “Play F” në Belgjikë Kulturë Artisti nga Kosova me “Play F” në Belgjikë

Në këtë libër, përvoja figurative abstrakte e Faton Kryeziut është vlerësuar se lidhet tërësisht me lojën e ngjyrave dhe angazhimin emocional mbi shikuesin. Artisti i cili e refuzon përsëritjen në pikturë ngërthen në pikturë tematikë me problematika sociale dhe më gjerë. Veprat e tij cilësohen si piktura figurative në pamje dhe ekspresive në emocion.

Piktori Sali Shkupolli ka vlerësuar se ekspozita në çdo vepër shpërfaq “frymën” e origjinalitetit krijues të Kryeziut.

“Te veprat e tij është karakteristikë se kompozicionin e ka shumë të veçantë dhe te kombinimi i ngjyrave ka një kontrast të ngjyrave që shkon në harmoni në pikturën e tij”, ka thënë Shkupolli teksa ka vizituar ekspozitën.