Kulturë

“Karantina me ngjyra” në kohë pandemie thur art e rrëfime

Shtetas të huaj që punojnë në Kosovë, farmacistë që janë në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë COVID-19, por dhe studentët, mund ta gjejnë artin si një terapi për të tejkaluar këtë situatë të pazakontë. Kështu së paku e kanë parë atë disa nga pjesëmarrësit në projektin “Karantina me ngjyra” të galerisë “Qahili”

Prishtinë, 25 maj – Një njoftim i galerisë “Qahili” i kishte dalë papritur në “Instagram” artistit 57-vjeçar nga Kroacia, Mario Bukna. Menjëherë e kishte tërhequr thirrja e galerisë që gjendet në dalje të Prishtinës. U ishte drejtuar artistëve, artdashësve ose edhe dikujt që është duke e sfiduar veten në art, për t’i dërguar në e-mailin e tyre punimet e realizuara gjatë kohës së pandemisë COVID-19. “Karantina me ngjyra” është titulluar projekti që tashmë po merr formë. Dita-ditës mozaiku i tij po plotësohet me punimet që “Qahili” po i publikon në rrjetet sociale. Deri mesditën e së hënës galeria “Qahili” në kuadër të projektit “Karantina me ngjyra” të nisur më 8 maj, ka publikuar 21 punime të ndara në tri cikle me nga 7 punime. Në mesin e tyre zë vend edhe punimi nga Bukna. Është një portret gruaje. Në fytyrë duket sikur gjithçka është në rregull, por koka e saj është ajo që e intrigon shikuesin. Diçka që në formë të parë mund të krijojë pamjen e një kapele del të jetë me e komplikuar. Përmes këtij punimi, artisti i cili punon si përkthyes në Kosovë, ka shpërfaqur emocionet e tij.