Kulturë

“Ngjyrat dhe trajtat” në lojë e kundërpërgjigje ndaj pandemisë

Në punimet në grafikë digjitale, Adriana Nimani-Kutllovci ka përcjellë imazhet e kohës pas pandemisë. Realiteti edhe aty duket i shthurur. Imazhet janë në një përzierje formash e ngjyrash dhe qartë kanë humbur simetrinë. Këto janë punimet e para që bien në sy nga ekspozita e saj “Ngjyrat dhe trajtat”. “Gjatë pandemisë, njerëzit e kanë pasur të vështirë izolimin total dhe unë përmes vizatimit i kam shprehur ndjenjat se si po i shoh njerëzit përreth, se si ata po ndryshojnë. Aty janë përmbledhur thashethemet, intrigat”, ka treguar Nimani-Kutllovci

Shenjat e COVID-19 kanë lënë goxha gjurmë në njërën prej veprave në një kënd të galerisë “Qahili”. Me këtë punim, artistja e dizajnit grafik, Adriana Nimani-Kutllovci, ka uruar edhe Krishtlindjet. Të njëjtin urim po e përsërit tash e dy vjet. Në mënyrë të çrregulluar janë të shkruara simptomat e virusit që përmbledhin urimin “Gëzuar COVID-19” për të dëshmuar pasojat e një viti të çorientuar. Në punimet në grafikë digjitale ka përcjellë imazhet e kohës pas pandemisë. Realiteti edhe aty duket i shthurur. Imazhet janë në një përzierje formash e ngjyrash dhe qartë kanë humbur simetrinë. Këto janë punimet e para që bien në sy nga ekspozita e saj “Ngjyrat dhe trajtat”.

Por, pandemia i ka dhënë rezultatet e veta në krijimtarinë artistike të Nimani-Kutllovcit. Për ekspozitën “Ngjyrat dhe trajtat”, ajo ka bërë bashkë gjithsej 75 punime për t’i ekspozuar në galerinë në periferi të kryeqytetit. Për shkak të hapësirës ka zgjedhur vetëm 60 prej tyre. Ato u përkasin pesë disiplinave. Punimet e saj janë pikturë në pëlhurë, pikturë digjitale, posterë artistikë, grafika digjitale dhe vizatimi.

Vizatimet ani përse nuk kanë shumë ngjyra, trajtat e vijave e mbizotërojnë punimin. Portretet, po ashtu, e kanë humbur qetësinë. Si pasojë e kësaj edhe janë deformuar. “Këndvështrime të ndryshme”, e ka titulluar pjesën më të madhe të vizitimeve artistja që për to u ndikua nga përjetimet përgjatë kohës së pandemisë.

“Gjatë pandemisë, njerëzit e kanë pasur të vështirë izolimin total dhe unë përmes vizatimit i kam shprehur ndjenjat se si po i shoh njerëzit përreth, se si ata po ndryshojnë. Aty janë përmbledhur thashethemet, intrigat”, ka treguar Nimani-Kutllovci për KOHËN.

Pikërisht kjo edhe e ka nxitur punën e artistes që ekspozitën e fundit personale e ka hapur në vitin 2013 në Pejë. Megjithatë, dy vjetët e fundit ka qenë goxha aktive me pjesëmarrje në aktivitete të artit pamor jashtë vendit. U është bashkuar virtualisht grupeve të artistëve ndërkombëtarë. Me posterë i është përgjigjur edhe temës së “Calanca Switzerland Biennale”, e cila ka nxitur punime në temën e ngrohjes globale me moton “Më ndihmo, unë po digjem”.

“Një detaj shumë interesant ka qenë zhdukja e një krokodili që ishte shumë i njohur në Calanca dhe ishte në zhdukje e sipër, dhe ata e kishin bërë temën me këtë krokodilin dhe është dashur që tipografinë dhe temën ta ndërthur në këtë poster”, ka treguar Nimani-Kutllovci.

Adriana Nimani – Kutllovcit, që ka magjistruar në degën e Dizajnit Grafik në Universitetin e Prishtinës, i pëlqen të eksperimentojë brenda fushës së cilës i takon. Pikturën e ka shumë për zemër. Aty edhe e shpalos botën e saj shumëngjyrëshe. Dhe përmes tyre ia ka shtuar edhe më koloritin mureve me kontraste të galerisë “Qahili”. Jo rastësisht, një prej pikturave e ka titulluar “Përleshje ngjyrash dhe trajtash”. E në pikturën e titulluar “Gogomeli”, imazhe të ndryshme takojnë njëri-tjetrin mes të kuqes dhe të portokalltës. “Piktura për mua është një disiplinë që më fle më së shumti, andaj punoj në të kohë pas kohe”, ka thënë Nimani-Kutllovci.

Karakteristika e përgjithshme e këtyre kompozicioneve sinjifikante, siç shkruan grafisti i shquar, Shyqri Nimani, vlerësohet të jetë në ndjeshmërinë estetike të implementuar me një kulturë të theksuar figurative. Sipas tij, pikturat përbëhen nga dhjetëra kompozicione integrale që reflektojnë transliterime vizuale të rezonancave të kënaqshme dhe të fuqishme koliristike.

“Atmosfera kompozicionale krijohet me kontrapunktin e nuancave të ndjeshme koloristike – nga e zeza ekstreme deri te e përhirta e përmbajtur – me ritëm linjash dinamike, por edhe me ngjyrime pasteloze imponuese dhe me akcente vibruese të së kuqes fluoreshente me tendencë të arritjes së të kuqes flakëruese unfrinae. Sepse një vepër arti që nuk fillon me emocione nuk është art”, shkruhet në tekstin kuratorial “Gërshetim sinjifikant i ngjyrave dhe trajtave” të Nimanit.

Ekspozita “Ngjyrat dhe trajtat” e Adriana Nimani- Kutllovcit do të qëndrojë e hapur në galerinë “Qahili” deri më 11 janar. Pas kësaj, ekspozita do të zhvendoset në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe në galerinë e qytetit të Beratit.