Është një fushë e specializuar e shëndetit mendor që përdor artin dhe proceset kreative për eksplorimin e emocioneve, uljen e nivelit të stresit a për rritjen e vetëbesimit. Ndoshta edhe një formë për të tejkaluar më lehtë pandeminë e virusit COVID-19, gjatë së cilës kërkohet kujdes edhe për shëndetin mendor.
Njihet si terapia me art dhe jo rrallë është dëgjuar edhe në këtë kohë të përballjes me izolimin. Në efektin e saj beson edhe një galeri në dalje të Prishtinës. Galeria “Qahili” konsideron se gjatë pandemisë secili njeri e gjen një formë për t’i tejkaluar luhatjet emocionale e për këtë ka kthyer vëmendjen te terapia me art. Ka dalë me një ide me të cilën synon që të shtyjë përpara këtë koncept, duke u dhënë mundësi artistëve, artdashësve ose edhe dikujt që është duke e sfiduar veten në art, për t’i dërguar punimet në e-mail të galerisë. Të njëjtat punime do të ekspozohen në rrjetet sociale të galerisë.
Një angazhim i tillë, sipas Nita Qahilit, udhëheqëse e galerisë “Qahili”, do të ketë ndikim të madh, qoftë në aspektin psikologjik, social, por edhe për respektimin dhe vlerësimin e artit dhe të artistëve. Në pamundësi të realizimit të ekspozitave të zakonshme në këtë hapësirë – e cila ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet e hapësirat kulturore u mbyll prej 12 marsit për shkak të pandemisë – galeria “Qahili” projektin e titulluar “Karantina me ngjyra” e sheh si ndihmë në vazhdimin e frymës artistike në vend. Një kontribut në komunitetin artistik pa marrë parasysh situatën në të cilën ai gjendet.
Qahili ka thënë se përpos publikimit të punimeve, do të promovojnë edhe punën dhe artin e artistëve profesionistë, që në këtë periudhë nuk kanë mundësi të shfaqin për publikun veprat e tyre. Ka thënë së ideja është që të krijohet një ekspozitë virtuale, ku do të solidarizohen me ndjekësit e tyre në këtë periudhë dhe ta ndihmojnë komunitetin artistik.
“Është një formë e mirë për t’i shtyrë përpara ata individë të cilët dëshirojnë të kenë një karrierë në këtë fushë. Të bashkuar me anë të artit, edhe këtë kohë do ta kalojmë”, ka thënë Qahili, e cila ka treguar se informatat që duhet të përfshihen kur të dërgohet punimi në [email protected] janë: emri i autorit, emri i punimit dhe disa fjalë rreth inspirimit për veprën e caktuar.
Galeria “Qahili” me konceptin “Karantina me ngjyra” qëllim ka që të tregojë rëndësinë e artit, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte. Këtë e ka theksuar edhe Qahili.
“Të perceptohet arti si një formë e terapisë për të ikur nga një realitet, që për momentin nuk është i kënaqshëm. Është një formë që të lejon të hysh në një botë tënden, që mund të kalosh orë të tëra duke vizatuar, pikturuar, fotografuar, qëndisur, çfarëdo forme që e ndien personi veten rahat, dhe në fund të gjesh një kënaqësi të pashpjegueshme”, ka thënë ajo për projektin, që do të zgjasë deri në qershor të vitit 2020, me mundësi vazhdimi.
Punimet do të publikohen në faqen zyrtare të galerisë “Qahili” në Facebook dhe Instagram, një herë në javë. Të drejtat autoriale të secilës vepër do t’u takojnë autorëve me të cilët galeria do të kontaktojë edhe nëse ka kërkesa nga blerësit. Në kohën kur askush nuk e di sesi këto rrethana të jashtëzakonshme do të shënohen në histori, galeria private e cila qe hapur shtatë vjet më parë, e sheh artin edhe si një formë dokumentimi.