EXPRESS

Ngjyrat e kulturës aziatike në Prishtinë

Rrëfimi i radhës në kapitullin artistik të galerisë “Qahili” është kultura e largët aziatike. E Kirgistanit me theks të veçantë. Imazhet e vendit vijnë si kartolina nëpërmjet veprave të artit. Është prezantim i shumëfishtë me kulturën artistike në qendër. Peizazhet e vendit, ilustrimi i punëdoreve në piktura që krejt gërshetojnë tradicionalitetin e bashkëkohoren, bëhen një në ekspozitën “Njerëzit tek njerëzit: Azia Qendrore”.

Muret e galerisë janë veshur përplot ngjyra. Shumëllojshmëria e tyre dhe nuancat e ndezura janë të parat që bien në sy. Kuptimplote është secila prej tyre kur aty ngërthehen historia, peizazhet e natyrës, arkitektura e deri te stilet e artit abstrakt e sureal. Historia e artit vizual mbi të gjitha.

“People to people: Central Asia” (Njerëzit te njerëzit: Azia Qendrore) në hapësirën simpatike të galerisë “Qahili” ka sjellë artin popullor profesionist të 18 artistëve nga Kirgistani. 

Është një lloj segmentimi i veprave në galerinë “Qahili”. Temat e përafërta zënë hapësira të caktuara. Aty janë natyra e qetë, portrete, vepra abstrakte, peizazhe. Aty shfaqen si fotografi pikturat realiste të vargmaleve, parqeve e bregdetit. Imazhi zmadhohet kur shfaqen edhe flora e fauna e vendit dhe arkitektura e shtëpive tradicionale me objekte me shumë ngjyra.

Disa prej veprave me ngjyra duket se ilustrojnë punëdoret tradicionale.

Midis veprash ka qenë e ekspozuar edhe një kopje e librit me titull “Artet e bukura në Kirgistan”. Duket një lloj katalogu a monografie voluminoze e artit vizual të këtij vendi aziatik. Aty përmblidhen një numër i madh veprash arti.

Nita Qahili, udhëheqëse e galerisë “Qahili”, ka thënë se me këtë ekspozitë ideja ka qenë të prezantohet kultura e tradita e Kirgistanit që deri më tash ka qenë pak e njohur dhe e paprezantuar në Prishtinë.

“Është një qasje ndoshta e re, edhe pse njerëzit e kanë gjuhën që bëjnë shkrirjen nga vendi në vend, por në anën tjetër mund të shohësh detaje që e bëjnë të dallohet që është nga Kirgistani. Sa i përket pjesës së bashkëpunimit dhe punimeve, ka qenë goxha interesante, sepse koncepti se si është ndërtuar është nga arti nomad që është arti tradicional i Kirgistanit dhe më pas shkrihet në të gjitha fushat dhe periudhat e tjera, siç është arti abstrakt, impresionizmi, realizmi por edhe një sureale e bukur që shkrihet me realen”.

Pos veprave të artit vizual, ushqimi tradicional ka qenë tjetër kapitull i prezantimit të kësaj kulture e tradite.

Shefi i bashkëpunimit në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, ka thënë se ekspozita, siç edhe titullohet, është e njerëzve që shkon te njerëzit e tjerë.

“Vendosëm që ekspozita të quhet ‘People to people’ (Njerëzit te njerëzit), sepse kjo është çfarë flet ekspozita. Trajton shkëmbimin kulturor midis njerëzve dhe përtej, pavarësisht politikës. Duke qenë se njerëzit janë shumë të ndryshëm, prapëseprapë kanë të përbashkëta. Nga këto gjëra, të cilat duhet të vlerësohen janë energjia dhe kreativiteti”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ka qenë i pranishëm në hapjen e ekspozitës, para të pranishmëve ka thënë se arti është diplomaci kulturore, më e mira që mund të ekzistojë. Arti, sipas tij, bën bashkë njerëzit përtej barrierave politike.

“Është gjithmonë kënaqësi te jem në galerinë ‘Qahili’. Është gjithmonë kjo energji e bukur dhe pozitive në çdo ngjarje dhe sot është një tjetër ngjarje e veçantë. Po shohim veprat e artistëve nga Kirgistani ku njerëzit, komuniteti artistik në Prishtinë mund të shohin trashëgiminë e këtij vendi, ngjashmëritë, ndryshimet, nuancat e ndryshme. Është një përzierje eklektike e bukur e stileve të ndryshme. Shpresoj se së shpejti do të marrim njohje. Kjo është diplomacia më e mirë kulturore për të bërë bashkë njerëzit”.

Ekspozita kolektive “Njerëzit te njerëzit...” e 18 artistëve nga Kirgistani do të qëndrojë e hapur deri më 4 nëntor në galerinë “Qahili”.

Veprat çojnë në një rrugëtim magjepsës imagjinar nëpër peizazhet e bukura të natyrës, arkitekturën unike, kulturën e tradicionalitetin e Kirgistanit.