Para se të vinte me këtë vepër kaq të gjerë, e cila, sipas parashikimeve të tij, do të ndiqet dhe me një pjesë të dytë për sistemin emëror, Wilfried Fiedler ka dhënë në shkencat albanistike dhe në raportet shqiptaro-gjermane një ndihmesë me vlerë të shquar. I lindur më 1933 (në Oberfrohna të rrethit Kemnic), pas studimeve për sllavistikë në Berlin, pas një pune të gjatë në Akademinë e Shkencave të Berlinit (Lindor), ku është marrë me albanologji e ballkanistikë, pas Bashkimit të Gjermanive, ai u zgjodh profesor titullar për albanologji në Universitetin e Mynihut, ku qëndroi derisa u pensionua më 1998. Pas pensionimit ai u ftua si profesor të mbante mësime të shqipes në Universitetin e Jenës, shkruan sot Koha Ditore.
Më 1991 profesor dr. Wilfried Fiedler-i u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 2006 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në botën shqiptare Wilfried Fiedler-i është i pranishëm nga viti 1955 në Shqipëri, pastaj si pjesëmarrës në veprimtari shkencore herë pas here në Tiranë, ndërsa në Prishtinë dendur qysh nga vitet ‘70, pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare dhe i shumë veprimtarive të tjera akademike aty.
Puna që e bëri më të njohur studiuesin Fiedler është vepra e tij e përbashkët me Oda Buchholz “Albanische Grammatik”, Leipzig, 1987, në të cilën sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në fushën sintaksore./Rexhep Ismajli
[Më gjerësisht mund të lexoni në gazetën Koha Ditore]