Prishtinë, 17 shtator – Është konsideruar si një nga albanologët më të përkushtuar gjermanë të dekadave të fundit nga kontributet mbi strukturën e brendshme të shqipes e deri te përkthimet letrare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka mbajtur të hënën një mbledhje përkujtimore për Wilfried Fiedlerin (1933-2019), të cilin e kishte pasur anëtar të jashtëm që nga viti 1991. Për akademikët nga Kosova, që kanë pasur njohje e bashkëpunime me të, Fiedler hyn në radhën e albanologëve të shquar gjermanë prej Hahnit e deri te Meyeri, Jokli, Weigandi e Lambertzi.
Historiani Jusuf Bajraktari, i cili është edhe nënkryetar i ASHAK-ut, ka thënë se shuarja e studiuesit gjerman përbën një humbje të madhe për albanologjinë.
“Profesor Fiedleri, me shumë të drejtë, konsiderohet një nga albanologët më të mëdhenj të kohës sonë. Kontributet e tij për shqipen dhe shkencën e albanologjisë janë baras me një institucion shkencor”, ka thënë akademik Bajraktari.
Sipas tij, kontributet e studiuesit gjerman janë arritje kapitale për albanologjinë.
Akademik Rexhep Ismajli në fjalën e tij ka vlerësuar se Fiedleri ishte albanologu më i rëndësishëm i kohës së tij në botën gjermanishtfolëse.
“Wilfried Fiedler, albanologu gjerman që vinte këtu çdo vit, me punët e tij gjithnjë të reja studimore, nuk është më me ne, ka ikur në botën e të përjetshmëve, në botën e të merituarve të albanologjisë së madhe gjermane dhe gjermanishtfolëse”, ka vlerësuar ai.
Më 9 shtator, një mik e kishte gjetur Fiedlerin pa shenja jete në shtëpinë e tij në Berlin.
“As ai nuk ishte në gjendje të na thoshte datën e saktë të shuarjes, sepse kjo do të ketë ndodhur ditë më parë”, ka thënë tutje Ismajli.
Në mesin e këtyre botimeve të Seksionit të Filologjisë ishte edhe libri me 826 faqe i Fiedlerit, “Gramatikë e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit I, Krahasim morfologjik-tipologjik i shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit” (Vergleichende Grammatik der Balkansprachen. Morphosyntaktisch-typologischer Vergleich des Albanischen mit den anderen Balkansprachen).
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")