Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vdiq regjisori e aktori Leka Bungo

Leka Bungo

Ka vdekur në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori e skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo.

Ai do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë (11 qershor) në orën 16:00, kanë njoftuar familjarët e tij.

Lajmin për vdekjen e Bungos e ka dhënë e bija e tij, Alba. Ajo në rrjete sociale ka thënë se i ati ishte në luftë me “sëmundjen më të rëndë të shekullit”.

Alba Bungo, e bija e artistit të ndjerë, zbuloi se shkak për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta ishte prekja nga “sëmundja më e rëndë e shekullit”.

“U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Krenare gjithmonë pafundësisht për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësoje dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria më e madhe në dynja. Njerëzit e mëdhenj jetojnë ashtu siç jetove ti! E deshe dhe e respektove jetën ashtu siç vetëm ti dije. Lamtumirë derisa të takohemi siç vetëm ne të dy dinim. Ah, sa të dua i vogli im! U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im!” shkroi e bija e Bungos në rrjetet sociale, transmeton televizioni publik shqiptar.

Leka Bungo u lind më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Ai kreu shkollën e lartë për aktrim “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë një specializim për regji në Institutin e Lartë të Arteve.

Karriera e tij përfshin punën si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku realizoi shfaqje me tematikë sociale dhe elemente të theksuara satire. Pas viteve ’90, ai themeloi teatrin privat “Rubairat”, një nismë kulturore disavjeçare në hyrje të Teatrit Kombëtar.

Edhe Bekim Lumi – luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore Kulturë Bekim Lumi – luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore

Në vitin 2002, Bungo emigroi në SHBA, por vijoi të jetë aktiv në fushën e artit. Ai ka shkruar drama dhe skenarë filmash, si “Pabesia”, “Pas fasadës”, si dhe ka interpretuar në film, duke spikatur me rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).

Në vitin 1998, ai themeloi televizionin privat “Combi” dhe në vitin 2001 u emërua anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, i cili i referohej ngjarjeve të vitit 1997. Për një periudhë 4-vjeçare, nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Me ndarjen nga jeta të Leka Bungos, arti dhe kultura shqiptare humbin një personalitet të rëndësishëm të angazhuar ndër dekada.