Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vdiq profesori i filozofisë, Kadri Metaj

Ka vdekur filozofi e profesori universitar, Kadri Metaj. Kumtin për vdekjen e tij e ka dhënë familja nëpërmjet një njoftimi. Ai ishte 69-vjeçar. Metaj ishte njëri prej emrave më të shtuar të estetëve shqiptarë, profesor shumëvjeçar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

I lindur në Kaliçan të Istogut më 1954, shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Istog, ndërsa studimet në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977. Sipas biografisë së tij të botuar në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Metaj, magjistraturën e mbaroi në Universitetin e Sarajevës. Në vitin shkollor 1981/1982 qëndroi për specializim në Universitetin e Sorbonës, Paris IV në Francë.

“Në vitin 1987 doktoroi në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1979 zgjidhet asistent në degën filozofi-sociologji, kurse prej vitit 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë”, shkruhet në biografi. Ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës. Nga veprat e botuara veçohen: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003. Po ashtu përktheu disa vepra nga fusha e filozofisë dhe e estetikës.