Ka vdekur në moshën 69-vjeçare dizajneri e shkrimtari Remzi Limani, kanë njoftuar familjarë të tij.
Limani u lind në Shalë të Drenicës. Ai kreu shkollën e mesme të artit në Pejë, ndërsa studimet për dizajn grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka hapur sërë ekspozitash personale dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive në Kosovë dhe jashtë vendit.
Limani ka fituar disa çmime e mirënjohje për punën e tij. Më 1999 nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u nominua kryetar artistik për Kosovë.
Nga fusha e letërsisë ka botuar 14 vepra, nga të cilat dy romane, poezi ese kritike etj. Libri me poezi “Tinguj të humbur” është përkthyer në rumanisht. Ka shërbyer edhe si udhëheqës i kulturës në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe të Sporteve në Prishtinë.
Limani është kujtuar edhe si autor i logos së Filharmonisë së Kosovës.
“Kjo llogo që nga viti 2001 shihet në çdo cep të Filharmonisë së Kosovës !Me shumë finesë e dizajnoi Remzi Limani i cili sot ndërroi jetë! Ngushëllime familjarve dhe gjithë komunitetit artistik!, ka shkruar në Facebok, muzikantja Vlora Baruti.