Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Vajtimi i Tokës” nga Donika Rudi, premierë në Belgjikë

Është vepër që “përpiqet të eksplorojë ekzistencën e secilit prej nesh me një thirrje, një thirrje për të dëgjuar dhe vepruar, para se të jetë tepër vonë”. Ky është përshkrimi final i saj dhe ajo do të dëgjohet për herë parë në Belgjikë. Që në titull, ngjanë intriguese. Quhet “Lament of the Earth (“Vajtimi i Tokës”), kompozuar prej kompozitores nga Kosova, Donika Rudi. Të premten do të interpretohet premierë në festivalin “Belgian Music Days” në Eupen të Belgjikës. Siç shkruhet në njoftim, kjo vepër do të jetë pjesë e koncertit bashkë me katër autorë të tjerë të FeBeME, shoqatës së kompozitorëve belgë për muzikë elektroakustike ku kompozitorja Donika Rudi është anëtare që prej vitit 2010.

Bienalja e “Ditët të Muzikës Belge” organizohet nga Archipel Vlaanderen (ComAV), nga Forumi i Kompozitorëve Belgë, “Kunstenpunt”, “Point Culture”, FeBemE-BeFEM, Matrix, ISCM Vlaanderen dhe Unioni i Kompozitorëve Belgë. Nis më 11 dhe përfundon më 13 mars.

“Lament of the Earth” është vepër kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë. Siç ka shpjeguar kompozitorja Rudi, është ndërtuar bazuar në grafikën e “warming stripes” apo shiritat e ngrohjes të cilat vizualisht portretizojnë ndryshimin afatgjatë të temperaturës në sipërfaqen e Tokës.

“Fillimi i veprës përqendrohet në tinguj organikë kryesisht në një qetësi dhe harmoni, përderisa kulminacioni do të arrihet me tinguj të transformuar dhe të deformuar. Vepra adreson atë që të gjithë ndiejmë, por nuk e flasim, shikojmë por nuk e shohim, diçka që na afekton, por ne qëndrojmë indiferentë”, është shpjegimi i kompozitores së specializuar në muzikë akusmatike, elektroakustike, anëtare edhe e Komunitetit Kanadez Elektroakustik, tash e 12 vjet drejtoreshë e festivalit “ReMusica” në Kosovë. “Vajtimi…”, bazuar në përshkrim, duket si një lloj hulumtimi e reflektimi midis njeriut e natyrës.

Image

Donika Rudi studioi kompozimin (muzikë instrumentale dhe elektroakustike) në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë, Zvicër. Ka përfunduar studimet e magjistraturës në Konservatoriumin Mbretëror në Mons, Belgjikë, përkatësisht kompozimin në muzikë akusmatike me kompozitoren Annette Vande Gorne


“Çdo qenie e gjallë është pjesë përbërëse e Tokës, si e tillë ne ngrihemi dhe kthehemi tek ajo. Kjo vepër është mediumi midis dëgjuesit dhe gjenomit të tij të humbur prej kohësh…”, shkruhet në përshkrim ku shkëputen edhe vargjet: “Ajo foli, por ne dëgjuam?/ Ajo pyeti, por ne u përgjigjëm?/ Ajo gulçoi, por a belbëzuam?/ Jemi, derisa ajo të jetë!”

Donika Rudi studioi kompozimin (muzikë instrumentale dhe elektroakustike) në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë, Zvicër. Ka përfunduar studimet e magjistraturës në Konservatoriumin Mbretëror në Mons, Belgjikë, përkatësisht kompozimin në muzikë akusmatike me kompozitoren Annette Vande Gorne. Disa nga veprat e saja më të rëndësishme janë: baleti bashkëkohor “Life in Slow Motion”, dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës; veprat akusmatike “Emotion Machine“, mbështetur nga Wallonie Bruxelles;, “Unspoken”, “The Echoes of the Crying Earth” , “Ode to Life” akusmatike / sound installation, mbështetur nga platforma IN SITU në kuadër të projektit ACT; veprat elektroakustike: “9” për trombon dhe elektronikë; “Aura I” për violinë, violë, mexosoprano, soprano, perkusion dhe elektronikë, e të tjera. Kompozoi muzikë për drama, dokumentarë dhe filma të shkurtër. Pos në Kosovë, veprat e saj janë interpretuar në Francë, Kolumbi, Zvicër, Portugali, Shqipëri, Itali, Australi, Bullgari, Serbi, Kanada, Spanjë, Belgjikë e vende të tjera. Po ashtu, janë transmetuar edhe në Radio Spanjë - UNDÆ!, Radio France Musique, Radion Kombëtare Holandeze “Sonema Lab”, Radion Kombëtare Portugeze e të tjera.