Shtojca për Kulturë

Fuqia e tingullit hipnotizon për të tashmen dhe të ardhmen

Qendra “Termokiss” për rreth një orë është kthyer në hapësirë ku të pranishmit kanë përjetuar iluzionet për të tashmen dhe të ardhmen e planetit e të njerëzimit. Muzika në këtë pikë vihet në shërbim të ndërgjegjësimit me zërat që jehojnë në të. Psikologjikisht, ritmet mund edhe të shihen e të ndërtohen imazhe bazuar në ritmet e saj. Muzika të cilën e ka luajtur kompozitorja Donika Rudi në miksetë ka qenë një lloj hipnotizimi

Misioni i edicionit të sivjetmë të “ReMusicas” është shpërfaqur fuqishëm në natën e tretë të. Reflektimi mbi shëndetin mendor dhe për kujdesin ndaj ambientit ka qenë kryefjalë në koncertin me muzikë elektroakustike dhe akusmatike. Tingujt janë rruga për në rrugëtim imagjinar. Më kuptimplotë janë kur mbyllen sytë e në mendje projektohen imazhet. Janë tinguj të ndërtuar prej botës së gjallë a objekteve që kur nisin të shpalosin, krijojnë efekte psikologjike.

Qendra “Termokiss” për rreth një orë është kthyer në hapësirë, ku të pranishmit kanë përjetuar iluzionet për të tashmen dhe të ardhmen e planetit e të njerëzimit. Muzika në këtë pikë vihet në shërbim të ndërgjegjësimit me zërat që jehojnë në të. Psikologjikisht, ritmet mund edhe të shihen e të ndërtohen imazhe bazuar në ritmet e saj. Muzika të cilën e ka luajtur kompozitorja Donika Rudi në miksetë ka qenë një lloj hipnotizimi.

Rrjedhjet e ujit, cicërimat e zogjve, lëvizjet e flatrave të fluturave e helikave të helikopterit kanë sjellë paqen e harmoninë me natyrën si dhe ndjenjën e adrenalinës prej shëtitjes imagjinare në lartësi. Tingujt e çakorduar dhe dinamikë në anën tjetër kanë krijuar imazhe të përjetimit të frikës e shkatërrimit. Një zhytje në labirint, në të njëjtën kohë. Nganjëherë qetëson e nganjëherë sikur shkakton dhimbje psikologjike. Rëndohet sa herë shtohet doza e dinamizmit.

Image

E tillë ka qenë vepra e Donika Rudit, drejtoreshës artistike të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”. “Lament of the Earth” është bazuar në grafikën e temperaturës së viteve më parë me atë sot. Tingujt fillojnë si të lehtë e me strukturë të shëndoshë derisa arrijnë në një pikë ku gjithçka shkatërrohet e tjetërsohet. Ata që nisin si të butë, sa shkojnë e ashpërsohen. Janë simbolikë për ngritjen graduale të temperaturës dhe shkrirjen e akullnajave.

Ajo që në shqip merr emërtimin “Vajtimi i tokës” u kushtohet efekteve të ndryshimeve klimatike në tokë. Siç ka shpjeguar kompozitorja Rudi, është ndërtuar bazuar në grafikën e shiritave të ngrohjes të cilat vizualisht portretizojnë ndryshimin afatgjatë të temperaturës në sipërfaqen e tokës. Edhe të premten kur është interpretuar në “Termokiss”, ka ardhur si thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit. Krejt tema është trajtuar nëpërmjet eksperiencave tingullore.

Vitin e kaluar, vepra ishte modifikuar dhe ishte prezantuar edhe në formë vizuale me performancë në kuadër të festivalit të artit në natyrë “HAPU” në Parkun e Qytetit në Prishtinë. Me interpretim të sopranos Kaltrina Miftari, tekst të Doruntina Bashës dhe gjuhën e shenjave e lëvizjet nga Agnes Nokshiqi, “Lament of the Earth” kishte ardhur edhe si adresim për indiferencën ndaj asaj që i rrethon. Muaj më pas, në tetor të 2022-s vepra ishte prezantuar edhe në kuadër të “Oortreders Festival” në Belgjikë, ngjarje treditore, ku arti dhe zëri jetojnë mes pyjeve të Limburgut.

Iluzione të ngjashme publikut i kanë krijuar edhe me veprat e kompozitorëve belgë. Janë interpretuar “Caverne’ e Stéphanie Laforce, “Corps Sonores” dhe “A mon Cousin de Bergamme” të Todor Todoroff, “Dans les spires du serpent” e Raphael Vens dhe “Algoritme II” e Dirk Veulemans. Përjetimi i veprave ka qenë edhe sfidë për t’u dëgjuar. Ka shtyrë drejt një gjendje të vështirë, e më pas në qetësi ku kambanat bien e zogjtë këndojnë. Zërat kanë ardhur si nga thellësia. Të pranishmit janë ftuar t’i mbyllin sytë për t’i përjetuar veprat. Publiku ka kërkuar që ajo e kompozitores Rudi të luhet prapë e të ripërjetohet.

Rudi ka bërë të ditur se muzika akusmatike në të cilën ajo ka specializuar, ndërtohet prej tingujve të përditshëm të cilët më pas transformohen dhe arrijnë një strukturë tingullore e cila ka fillimin e fundin dhe logjikën e veprës.

“Ideja e dëgjimit të kësaj muzike është pak më e veçantë pasi nuk shihet, nuk ka interpretë në skenë. Fokusi është te ndjenja dhe se si e përjetojmë muzikën dhe jo si e shohim. Kjo është karakteristika e muzikës akusmatike, që tingulli të përjetohet. Për këtë arsye, koncerte të tilla realizohen në vende më ndryshe nga ato të muzikës klasike”, ka treguar ajo.

Festivali ka pasur mbrëmje të tilla në program që nga fillimi. Sivjet është organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Kompozitorëve Belgë të Muzikës Elektroakustike në të cilën bëjnë pjesë të gjithë autorët e veprave të luajtura. Belgjika njihet për këtë lloj të muzikës e posaçërisht të asaj akusmatike.

Ligjëruesja e artistja Agnes Nokshiqi, e cila në interpretim të veprës “Lament of the Earth” në Prishtinë ishte kujdesur për lëvizjet dhe për gjuhën e shenjave, e ka konsideruar përjetim interesant veprën dhe se e ka pasur të vizualizuar atë gjatë gjithë kohës sa është luajtur.

“Ishte përjetim tepër i veçantë dhe nuk është diçka që e përjetojmë në përditshmëri. Në fakt ne e dëgjojmë, por sa e perceptojmë, për shkak të jetës dinamike. Kjo është pikëpyetje. Sonte e patëm një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë ta dëgjojmë dhe ta ndiejmë edhe me veprën e Donikës, por edhe me veprat e tjera që i ka përmbledhur në këtë pjesë”, është shprehur Nokshiqi.

Artisti gjerman, Holger Maik Mertin, e ka konsideruar ngjarje të duhur për të reflektuar në aspekte të ndryshme.

“Më pëlqyen të gjitha dimensionet e ndryshme që u dhanë. Tingujt të rrethojnë, nganjëherë të vijnë nga anë të ndryshme nga prapa, djathtas, majtas. Isha i mahnitur, më pëlqen ky lloj i performancës’, ka thënë artisti i tingullit dhe lëvizjes, po ashtu edhe ambientalist. E pranishme ka qenë edhe partnerja e tij, artistja me origjinë afrikane, Cecilia Martens.

“Për mua ishte shumë vizuale, në kokën time janë krijuar shumë imazhe. E pashë si performancë që mund ta lëshoj veten në të”, është shprehur fotografja e shkrimtarja Martens. Të dy ata kanë qenë pjesë e programit të sivjetmë të “ReMusicas” në diskutimin “Dy artistë, një planet – arti i tingullit dhe udhëtimit”, ku temë ka qenë fuqia e pasaportave, diversiteti e ndërgjegjësimi për shëndetin mendor.