Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në kuadër të vizitës së tij në Itali, të enjten ka qenë mysafir në Universitetin e Palermos ku u prit nga rektori, profesor Massimo Midiri, si dhe nga pedagogë të shquar të këtij institucioni të lartë arsimor. Presidenti Meta ka vlerësuar faktin që kishte nderin dhe kënaqësinë e veçantë të vizitonte Universitetin e Palermos, këtë djep të dijes dhe të traditës së ndritur të kultivimit të shumë brezave studiuesish dhe personalitetesh arbëreshë.
”Ky universitet i lidhur fort edhe me hulumtimin dhe promovimin e identitetit arbëresh, një identitet unik, jo vetëm italo-shqiptar, por edhe një pasuri e çmuar e trashëgimisë evropiane dhe botërore. Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë universitet është një qendër e rëndësishme albanologjike, me të cilën lidhet historia e mendimit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës shqiptare. Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ka shërbyer si një pikë referimi e rëndësishme shkencore dhe kulturore, jo vetëm për komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut, por për të gjithë italianët dhe studiues të huaj, ndaj meriton të mbështetet më shumë”, citohet të ketë thënë Meta. Sipas tij, e gjitha kjo punë akademike e hulumtuese mbi albanologjinë dhe botën arbëreshe e bën Universitetin e Palermos të jetë për botën shqiptare e Shqipërinë, me një rëndësi të veçantë”.
“Ne ju jemi mirënjohës për punën tuaj, sikurse edhe shprehim mirënjohjen e thellë ndaj të gjitha kolegjeve e seminareve italo-arbëreshe, të cilat i paraprinë Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, me idetë iluministe dhe me pasionin për arsimin dhe kulturën evropiane, si frymëzim për jetën dhe veprën e shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë”, ka theksuar presidenti Meta, duke shtuar se Universiteti i Palermos është një vlerë e çmuar për Shqipërinë, pasi historiku i këtij institucioni akademik është tejet i lidhur edhe me historinë dhe identitetin shqiptar.
“I jemi mirënjohës profesorit të shquar, Matteo Mandalà, për studimet e tij të shumta, për kontributin e madh që ka dhënë për botën arbëreshe. Matteo Mandala është nder i Universitetit të Palermos dhe nder i kombit shqiptar. Ju jemi mirënjohës të gjithë studiuesve në Katedrën Albanologjike, të cilët kanë përkushtuar jetën e tyre në shërbim të botës arbëreshe dhe duke kultivuar albanologë të rinj të suksesshëm, e studiues të denjë të botës italo-shqiptare. Arbëreshët janë bijtë e Arbërisë dhe pasardhësit e Gjergj Kastriotit”, ka thënë ai, duke shtuar se ata mbajtën gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe e sollën figurën e tij në krye të Rilindjes Kombëtare.
“Arbëreshët na ruajtën emrin si popull i vjetër. Arbër, arbëresh, arbanë. Arbëri e Albani janë fjalë, që rrojnë prej tyre. Ata janë simbol i forcimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy popujve tanë”, citohet të ketë thënë presidenti Meta.