Kulturë

Mandalà dëshmon praninë e fiseve arbëreshe në Istria që në vitin 1499

Qasja e studimit “Emigracioni arbëresh në Istria – shekujt XV-XVIII”, sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është multidisiplinare dhe nuk injoron asnjë aspekt historik të këtij emigrimi, në veçanti atë statistikor, ekonomik, demografik dhe social, duke kombinuar aspekte të ndryshme që përcaktojnë tiparet e një shoqërie multietnike gjatë shekujve. “Sipas këtij libri, që në vitin 1499 dëshmohet prania e fiseve arbëreshe”, shkruhet në njoftim, duke theksuar se kërkimet e Matteo Mandalàs “kanë rezultuar me një punë të shkëlqyer dhe emocionuese në faqet e këtij libri”

Studiuesi arbëresh akademik Matteo Mandalà, “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV-XVIII), ndjek vijën e identitetit kulturor të një dege të emigracionit të arbëreshëve të Istrias, dhe konstaton se prania e fiseve arbëreshe dëshmohet që në vitin 1499. Për librin e tij të fundit Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në një njoftim për shtyp të hënën, ka shkruar se Mandalà i shtyrë nga dëshira për të kuptuar lidhjet shkakësore që karakterizojnë natyrën komplekse të historisë së emigrimit të popujve të Ballkanit, në veçanti të shqiptarëve, ka kryer kërkime të thelluara në arkivat civile dhe kishtare në dekadat e fundit.

“Si filolog, Mandalà është në kërkim të episodeve të shpeshta që kanë ndodhur në historinë e trazuar të popullit shqiptar, duke hedhur poshtë vizionin romantik të historisë së emigrimit të arbëreshëve, të mbështetur shpesh nga falsifikime të dukshme dhe thjeshtime të fakteve historike”, shkruhet në njoftimin për librin.

Qasja e studimit “Emigracioni arbëresh në Istria – shekujt XV-XVIII”, sipas AShSh-së, është multidisiplinare dhe nuk injoron asnjë aspekt historik të këtij emigrimi, në veçanti atë statistikor, ekonomik, demografik dhe social, duke kombinuar aspekte të ndryshme që përcaktojnë tiparet e një shoqërie multietnike gjatë shekujve. “Sipas këtij libri, që në vitin 1499 dëshmohet prania e fiseve arbëreshe”, shkruhet në njoftim, duke theksuar se kërkimet e Matteo Mandalàs “kanë rezultuar me një punë të shkëlqyer dhe emocionuese në faqet e këtij libri”.

Matteo Mandalà është filolog. Veprat e tij janë të botuara kryesisht në Itali e pjesërisht në Shqipëri e Kosovë, ku, ndër të tjera, ai është edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Matteo Mandalà është bir i komunitetit arbëresh të Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), profesor i rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Departamentin e Kulturës të Universitetit të Palermos, bashkëthemelues dhe drejtor i Laboratorit Albanologjik, një disiplinë në të cilën ai mori pjesë në disa konferenca, madje edhe organizator në disa prej tyre, përgjegjës për projektet kërkimore mbi komunitetet shqiptare të Italisë, të cilave u ka kushtuar studime të shumta në dialektologji, filologji, kritikë letrare dhe histori, autor i disa monografive, botimeve kritike të veprave letrare dhe ese të kritikës letrare shqiptare, i dedikuar aktualisht për të rindërtuar procesin e ndërtimit të identitetit në komunitetet arbëreshe midis shekujve XVIII dhe XX”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ndër të tjera, Mandalà ka botuar në nëntë vëllime veprat e Giuseppe Schiròit, ndërkohë që vite më parë ka sjellë edhe një libër të karakterit filologjik mbi veprën e parë letrare në arbërisht të Lekë Matrëngës “E mbsuame e krështerë”. Përpos punës në Katedrën e Albanologjisë në Palermo, ai ka ligjëruar edhe në universitete të ndryshme italiane, si në Leçe e Mesinë, ndërkohë që ka organizuar konferenca, studime e seminare albanologjike në qendra të ndryshme akademike në Itali. Për rreth tri dekada profesor Mandalà është përgjegjës i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Palermos në Sicili. Prej vitit 2017 është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në nëntor të vitit 2019, në një intervistë për “Kohën Ditore”, Mandalà kishte folur për traditën e gjatë albanologjike në Itali, për kontributet e arbëreshëve në altarin kulturor të kombit, për bashkëpunimin ndëradriatik, për historinë e shumëçka tjetër. Sipas tij, rilindja e identiteti kombëtar morën hov mu në mjediset intelektuale të arbëreshëve në Sicili e Kalabri, ndërkaq figura intelektuale arbëreshe, si Gjergj Guxeta, Paolo Maria Parrino e Nikollë Keta, u bënë nismëtarët e “ideologjisë albaniste”. Kishte tërhequr vërejtjen se revizionizmi në historiografi nuk mund të bëhet me kërkesa politike.