Kulturë

Mandalà: Arbëreshët, krijues të ideologjisë albaniste

Matteo Mandalà: “At Guxeta, pasuesi i tij në seminar Paolo Maria Parrino dhe Nikollë Keta, janë ideologët e parë të asaj që unë e quaj ideologji albaniste. Jemi në shekullin kur heshtja ishte e plotë në Shqipëri dhe askush më nuk e përmendte emrin e shqiptarëve si popull, sepse ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Ndërsa në jugun e Italisë janë fillesat e procesit të identifikimit të kulturës shqiptare si kulturë kombëtare”
 

Profesor Mandalà, përgjegjës i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Palermos në Sicili, në intervistën për “Kohën Ditore”, ka folur për traditën e gjatë albanologjike në Itali, kontributet e arbëreshëve në altarin kulturor të kombit, për bashkëpunimin ndëradriatik, për historinë e shumëçka tjetër. Sipas tij, Rilindja e identiteti kombëtar morën hov mu në mjediset intelektuale të arbëreshëve në Sicili e Kalabri, ndërkaq figura intelektuale arbëreshe, si Gjergj Guxeta, Paolo Maria Parrino e Nikollë Keta, u bënë nismëtarët e “ideologjisë albaniste”. Për udhëheqësin e Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Palermos, revizionizmi në historiografi nuk mund të bëhet me kërkesa politike

Ka lindur në Horën e Arbëreshëve, por në Prishtinë ndihet i lirshëm e plot vullnet. Teksa flet me një arbërishte të kulluar, Matteo Mandalà të krijon sakaq ndjesinë e një intelektuali të vërtetë ashtu sikundër është përshtypja jonë për mjediset e kulturuara arbëreshe. Mosha e tij 61-vjeçare nuk e pengon aspak vullnetin e tij gati rinor për t’iu përkushtuar studimeve albanistike. Më 22 dhe 23 tetor, ai ishte një prej mysafirëve të shumtë në konferencën shkencore “Studimet albanistike” në Itali të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës është prej vitit 2017. Për rreth tri dekada, profesor Mandalà është përgjegjës i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Palermos në Sicili. Karriera e tij akademike ndër vite përfshin një interesim të gjallë në shkencat e humaniteteve: libra, studime e trajtesa të panumërta që qëmtojnë çështje filologjike, letrare e historiografike. Ka botuar në nëntë vëllime veprat e Giuseppe Schiròit, ndërkohë që vite më parë ka sjellë edhe një libër të karakterit filologjik mbi veprën e parë letrare në arbërisht të Lekë Matrëngës “E mbsuame e krështerë”. Përpos punës në Katedrën e Albanologjisë në Palermo, ai ka ligjëruar edhe në universitete të ndryshme italiane, si në Leçe e Mesinë, ndërkohë që ka organizuar konferenca, studime e seminare albanologjike në qendra të ndryshme akademike në Itali.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, profesori arbëresh ka folur për traditën e gjatë albanologjike në Itali, kontributet e arbëreshëve në altarin kulturor të kombit, për bashkëpunimin ndëradriatik, për historinë e shumëçka tjetër. Mandalà beson fuqishëm se Rilindja e identiteti kombëtar morën hov mu në mjediset intelektuale të arbëreshëve në Sicili e Kalabri. Sipas tij, figura intelektuale arbëreshe, si Gjergj Guxeta, Paolo Maria Parrino e Nikollë Keta, u bënë nismëtarët e “ideologjisë albaniste”. Për udhëheqësin e Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Palermos, revizionizmi në historiografi nuk mund të bëhet me kërkesa politike. “Revizionizmi, nëse ekziston, duhet të jetë kritik dhe intelektual e historiani këtë duhet ta bëjë pa kërkesën e askujt”, ka thënë profesori arbëresh teksa ka komentuar përpjekjet e disa qarqeve për të parë në një dritë tjetër Perandorinë Osmane.