“DokuFest” tashmë është adresë rajonale e filmit dokumentar dhe të shkurtër. Për gati çerek shekulli pos që ka shërbyer si shembull fenomen i aktivizmit dhe produkteve kulturore, në vitet e fundit është shndërruar edhe në çerdhe të filmbërësve të rinj. Sivjet, kalon edhe një tjetër kufi me Forumin e Filmit të Shkurtër.
Tashmë janë shpallur edhe projektet e përzgjedhura për edicionin e parë të platformës rajonale për bashkëkrijim dhe prezantim që mbështet filma të shkurtër nga Ballkani.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër do të fillojë me një sesion online më 25 korrik për të vazhduar me programin fizik në Prizren prej 4 deri më 6 gusht 2025, gjatë edicionit të 24-t të “DokuFest”. Festivali ka bërë të ditur se 8 projekte nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë përzgjedhur për këtë edicion duke sjellë një gamë të gjerë tregimesh nga zhanre të ndryshme: animacion, dokumentar, fiksion, hibrid dhe eksperimental.
“Forumi si ide ka qenë prezente që nga viti 2015, por pa një mbështetje të qëndrueshme financiare ishte e pamundur ta fillonim”, citohet të ketë thënë Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab”. Sipas Bilibanit, një nga pengesat kryesore ishte mospranimi i Kosovës në programin “Media” të “Creative Europe”.
“Kjo e bëri thuajse të pamundur krijimin e një platforme të qëndrueshme që mbështet zëra të rinj nga Kosova dhe që ofron mundësi bashkëkrijimi rajonal me filma të shkurtër. Me mbështetjen afatgjate të Ambasadës Suedeze dhe Ministrisë së Kulturës, po e nisim këtë iniciativë rajonale kaq të rëndësishme për kinemanë ballkanike”, ka thënë ai. Sipas Bilibanit, prej kohësh kanë ndjekur modelin nordik për bashkëpunim dhe përkrahje të filmit të shkurtër dhe ky model i ka frymëzuar.
“Padyshim shpresojmë që këtë frymë ta sjellim edhe në Ballkan. Jam gjithashtu mirënjohës për bashkëpunimin me Jing Haase, ajo ka qenë me ne që nga fillimi, dhe me Martijn te Pas, i cili do të mentorojë ekipet e përzgjedhura”, citohet të ketë thënë ai. Forumi do të moderohet nga Jing Haase, kuratore dhe eksperte e filmit të shkurtër me mbi 20 vjet përvojë në industri. Sipas “DokuFest” ajo ka punuar më herët në “Nordisk Panorama” dhe në Institutin Suedez të Filmit, me fokus në distribuimin ndërkombëtar të filmave të shkurtër. Po ashtu është bërë e ditur se ekipet pjesëmarrëse do të mentorohen nga Martijn te Pas, ish-programues në IDFA, me përvojë në zhvillimin e dokumentarëve, këshillim festivalesh dhe strategji prezantimi për filmbërësit.
Projektete e përzgjedhura nga Kosova janë “Crow Funeral” nën regji të Durim Klaiqit, “I Still Haven’t Cried” nën regji të Flaka Kokollit, “Soundtrack of a People: Boom” nën regji të Fjolla Muharremit dhe “Who Is Singing?” nën regji të Ana Morinës. Nga Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur “Soil” nën regji të Kiril Karakash dhe “Sveti antun pustinjak” nën regji të Antonio Dimovski. Sa i përket projekteve nga Shqipëria pjesë e programit do të jenë “Until the Sun Sets” nën regji të Gledis Bicës dhe “Discobox” nën regji të Romina Ruda. Në këtë edicion mysafir është Skocia. Janë tri projekte filmike në post-produksion, të xhiruara në Kosovë gjatë programit të rezidencës “Breaking Borders” me mbështetjen e “British Council Collaborative Grants” që do të prezantohen në Forum.
Projektet e përzgjedhura përfitojnë nga seminaret, mentorimet dhe nga mundësitë për të marrë çmime monetare dhe ato në formën e shpërndarjes së filmit apo tjetër.
“Është platformë e dedikuar për filmbërës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pra në shtetet që Kosova ka marrëveshje bilaterale për bashkëprodhim, duke iu ofruar atyre mundësi për të propozuar projektet e tyre filmike dhe mundësinë për të bashkëprodhuar. Pra kultura e bashkëprodhimit të filmave të gjatë të jetë edhe për bashkëprodhim të filmave të shkurtër. Filmat e shkurtër në rajon kryesisht financohen vetëm nga një burim, që janë fondet e filmit”, kishte sqaruar Bilibani në shkurt të këtij viti në prag të hapjes së thirrjes.
Edicioni i sivjetmë i Festivalit do t’i ketë 99 filma në shtatë kategori garuese të përzgjedhur prej gati tre mijë e 500 aplikimesh nga e gjithë bota. Sa i përket kësaj pjese, rekordet thyhen çdo vit, por i pathyeshëm është “DokuFesti”, që premton risi, program unik me qendër te filmat me tema autentike e aktuale nga e gjithë bota. Në atë që prej edicionit të kaluar është kategoria kryesore e festivalit, ajo e filmave vendorë sivjet përfshin filmat “Pesë stinët e fëmijërisë sime” të Besim Ugzmajlit, filmin “Ndera” të Endrit Qarollit, “Ben’s Birthday” të Robert Deçanit, filmin “Në parajsën socialiste (Nuk bie shi)” të Ermela Telit e “The Rabbit is Dead” të Hanis Bagashov.
Në garë për çmimin kryesor sivjet janë edhe filmat: “I had white cotton in my yard, I fed it, I watered it” nga Endi Tupja dhe Klodiana Millona, “Hyjnesha në fron” nga Durim Klaiqi, “Mos parko” nga Zana Radogoshi, “Fluturat” nga Astrit Ismaili, “SOS” nga Anita Morina, “Mua besoj më shpëtoj portreti” nga Alban Muja, “Fatbardha” nga Kitty Kentezi dhe “Mama Klorin” nga Doreida Xhogu. Kurse tema e festivalit pritet të lansohet në ditët e para të këtij muaji.