Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Presidenti i Shqipërisë kërkon mbrojtjen e gjuhës arbëreshe si pasuri e përbashkët

Si pasuri të përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë, e ka cilësuar gjuhën arbëreshe, presidenti Ilir Meta. Këto deklarata ai i ka bërë të martën, kur është pritur me ceremoni zyrtare në Pallatin Mbretëror të Palermos nga presidenti i Asamblesë Rajonale të Sicilisë, Gianfranco Miccichè.

Ai i ka vlerësuar marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe strategjike midis dy vendeve, duke theksuar domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të këtij partneriteti. Në këtë kuadër, ai ka theksuar nevojën e vendosjes së një marrëdhënieje të privilegjuar të Shqipërisë me rajonin e Sicilisë, edhe për shkak të komunitetit arbëresh, që së bashku me emigracionin shqiptar në Itali, është një urë e rëndësishme që lidh ngushtësisht dy popujt.

Sipas njoftimit nga presidenca, ai ka shprehur dëshirën që Sicilia mund të jetë rajoni i parë në Itali, që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore.

“Dimensioni mesdhetar i Shqipërisë, afron më fort lidhjen e saj me rajonet mesdhetare të Italisë, dhe veçanërisht me ato të jugut. Një marrëdhënie e privilegjuar duhet të artikulohet me Rajonin e Sicilisë, i cili ka një status të veçantë autonomie sipas Kushtetutës italiane. Kjo, edhe për shkak se së bashku ndajmë një vlerë të jashtëzakonshme, me peshë të rëndësishme edhe në historinë politike dhe shtetformuese italiane: Arbëreshët”, citohet të ketë thënë Presidenti Meta gjatë takimit me presidentin e Asamblesë së Sicilisë.

Sipas tij, komuniteti arbëresh, vlerat, traditat, kultura si dhe personalitetet e dala nga gjiri i tij duhet të nxiten, që të ndërtohet bashkërisht një e ardhme dhe marrëdhënie sa më të ngushta.

“Gjuha arbëreshe është një vlerë dhe pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, që duhet ta mbrojmë dhe promovojmë”, ka thënë presidenti Meta.