Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është zotuar se do të dyfishohen përpjekjet për përfshirjen e kulturës arbëreshe në UNESCO. Zotime të tilla ka dhënë gjatë pjesëmarrjes në konferencën përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së rilindasit të shquar arbëresh, Anselmo Lorecchios, që u mbajt në Pallagorio. Në këtë aktivitet, presidenti i Republikës ka nderuar “post mortem” me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” avokatin, politikanin, diplomatin, poetin dhe shkrimtarin, aktivistin e palodhur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si dhe mbështetësin e luftëtarin për pavarësinë e Shqipërisë, Anselmo Lorecchio.
“Me vlerësim të lartë ndaj kontributit të jashtëzakonshëm në shërbim të çështjes shqiptare, si dhe ndaj përpjekjeve të palodhura në angazhimin për ndërgjegjësimin e publikut italian dhe atij evropian ndaj mbrojtjes së interesave shqiptare gjatë momenteve kritike të historisë sonë kombëtare. Me mirënjohje shtetërore për punën e palodhur politike e diplomatike si një zë i fuqishëm e i vazhdueshëm në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë”, citohet të ketë thënë presidenti Meta.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtuar kryebashkiakut Umberto Lorecchio, personaliteteve të larta të Rajonit të Kalabrisë dhe studiuesve të pranishëm, ai ka thënë se “Anselmo Lorecchio ishte një figurë e gjithanshme dhe shumë dimensionale, si gazetar, jurist, poet dhe shkrimtar, dhe së bashku me figura të tjera të mëdha arbëreshe, si Jeronim De Radën, Zef Skiroin, ishte një prej zërave më të njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”.
“Ai ishte një prej nismëtarëve të gjuhës shqipe në Itali dhe shkroi disa vepra të rëndësishme, si: ‘Çështja Shqiptare’, ‘Mendimi Politik Shqiptar në Raport me Interesat Italiane’, ‘Memorandumi dhe Shqipëria’, etj.”, ka thënë ai. Lorecchio i shërbeu çështjes shqiptare si kryetar i ‘Shoqërisë Kombëtare Shqiptare’ dhe drejtoi gazetën periodike “La Nazione Albanese”, një organ politik, letrar, kulturor në gjuhën italiane, që botohej me moton: ‘Shqipëri përpara!’
“Do shtojmë nismat konkrete për mbrojtjen e gjuhës arbëreshe, duke dyfishuar përpjekjet tona për regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO”, ka thënë presidenti Meta.
Futja e kulturës arbëreshe nën mbrojte të UNESCO-s, nën emrin “Moti i Madh” me ritet arbëreshe të pranverës, është nismuar disa vjet më parë nga Francesco Altimari, shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Kozencë, Kalabri dhe Mateo Mandala, shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos.
-
Universiteti i Palermos cilësohet djep i kultivimit të gjuhës arbëreshe
-
Presidenti i Shqipërisë kërkon mbrojtjen e gjuhës arbëreshe si pasuri e përbashkët
-
Abrneshët e Zarës – tre shekuj në mbrojtje të identitetit
-
Qeveria në detyrë nis procedurat për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Itali
-
Tri komuna arbëreshe në Itali – zona të mbrojtura kulturore