Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“U rrit vasha” midis flamencos, ritmeve mesdhetare dhe klasikes

Projektin e tij të parë solo, kitaristi Endrit Xërxa, anëtar i bendit “Don’t listen to your neighbors”, e ka sjellë pikërisht me këngën të cilën e dëgjon që nga fëmijëria, “U rrit vasha”. Nëpërmjet këtij ripërpunimi si instrumental, ai sjell himnin e femrës e natyrës në zemër të Bjeshkëve të Nemuna

Nuk janë të pakta rastet kur muzikantët u rikthehen perlave të muzikës së vjetër shqipe, për t’ua hedhur edhe disa dromca ndryshimesh e për të sjellë finesa që i japin një tjetër ritëm e frymë. Ajo që është fakt i pandryshueshëm pothuajse te çdo ripërpunim këngësh është jetëgjatësia e vlerave. Në një formë apo tjetrën, secilit krijim i cili përfaqëson artin e mirëfilltë, i vjen koha për t’iu rikthyer publikut në një version të ri.

Të njëjtin fat e gëzoi edhe kënga e cila deri më tani është interpretuar nga plot emra, “U rrit vasha”. Si këngë e cila thur lavde ndaj femrës, duke shpërfaqur ndryshimet jetësore të saj e kalimin nga vashë në nuse, ajo është edhe himn ndaj natyrës, duke përmbajtur edhe përshkrime ambientale e kontekstualizime vendore. Bilbili, plepi, mani, Gjilani e malësia janë ato që e shoqërojnë vashën në këngë. Ndërkaq të gjitha këto në një version kitaristik i ka sjellë Endrit Xërxa, i cili rrugëtimin me ripërpunime të këngëve të vjetra e ka nisur qëmoti.

Projektin e tij të parë solo, pjesëtari i bendit “Don’t listen to your neighbors”, e ka sjellë pikërisht me këngën të cilën e dëgjon që nga fëmijëria.

“Kam dashur ta vë në pah thelbin universal të saj”, thotë prerazi ai. Bën dije se esenca e ripërpunimit që ia ka bërë janë nuanca të zhanreve me të cilat është formuar si njëri e muzikant: flamencos, ritmeve mesdhetare dhe muzikës klasike. Për këtë pjesë s’ka nevojë për shpjegime shtesë: të tre zhanret e ritmet janë krejt të dallueshme pa qenë e domosdoshme ndonjë njohje e thellë në fushën e muzikës.

“Këngën ‘U rrit vasha’(kliko KËTU) si fëmijë e kam dëgjuar dhe më ka bërë përshtypje duke u pjek edhe në aspektin muzikor e personal. Më kanë lidhë shkallët edhe harmonia orientale, të cilat janë përshtatur natyrës së kitarës. E kam bërë sepse kam besuar se do të tingëllojë mirë”, ka thënë për KOHËN, muzikanti 27-vjeçar.

Edhe “Mbamendja përmes ngjyrave” rikthen kujtesën me nuancat e së kaluarës Shtojca për Kulturë “Mbamendja përmes ngjyrave” rikthen kujtesën me nuancat e së kaluarës

Videoklipi i publikuar mbrëmjen e së dielës sjell pamje magjepsëse nga zemra e Bjeshkëve të Nemuna, përkatësisht maleve të Gjeravicës, të cilat bëhen shprehëse të kuptimit të këngës si gërshetim e himnit ndaj natyrës e femrës. Kështu ai këtë nismë e sheh edhe si mundësi promovimi të bukurive të natyrës.

“Kemi menduar që t’i ripërpunojmë këngët e vjetra shqipe e në të njëjtën kohë t’i promovojnë natyrën e pasur dhe Gjeravicën si majën më të lartë në Kosovë, e që të ketë ndërlidhje muzika me natyrën, që ta ruajmë e ta duam vendin tonë”, ka thënë muzikanti i diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Ideja e këtij projekti solo i ka ardhur vetë.

“Mirëpo ka qenë kënaqësi sepse kam pasur shokët përreth të organizatës ‘CIDI’, s’jam ndier vetë. Kemi biseduar bashkë e kemi menduar se si do ta përfundojmë projektin”, ka thënë ai për projektin me të cilin ka bashkëpunuar edhe me Visar Kuçin (harqe dhe bas) dhe Arsenis Nasis (perkusione) .

videoklip është modelja Estel Pinguli ajo e cila e transmeton sharmin femëror duke gjurmuar në bukuritë e Gjeravicës.

“Procesi i xhirimit nuk ka qenë i lehtë se me kamera në duar e me Estel është dashur të ecim për të arritur deri te maja, kemi bërë hiking për klipin. Është dashur të xhirohet brenda një ditë. Ka qenë sfidë”, ka thënë kitaristi nga Gjakova. “I zgjodhëm pikërisht Bjeshkët e Nemuna, për shkak që pjesa nga Juniku e Gjeravica janë më të lëna anash, nuk janë aq të popullarizuara. Pastaj duke pasur parasysh edhe që Gjeravica është maja më e lartë, ka bukuri, fruta bimë që nuk ekzistojnë në vende të tjera, për atë arsye kemi menduar t’i promovojmë”.

Mirëpo, dashuria e tij ndaj natyrës dhe këngëve të vjetra shqipe nuk do të ndalet me kaq.

Edhe “Udhëtim në kohë” me perlat muzikore shqipe në frymë të re Kulturë “Udhëtim në kohë” me perlat muzikore shqipe në frymë të re

“Besoj që do të ketë edhe këngë të tjera në këtë format, por përveç këngëve nga organizata, do të ketë ndërlidhje me shëndetin mendor në projekte. Pikërisht shëndeti mendor, duke pasur parasysh që pavarësisht çka bëjmë në jetë, duhet të kthehemi nga vetja e ta ruajmë veten dhe shëndetin mendor”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se do të ketë edhe ndërlidhje me natyrën.

Planet e tij janë që së shpejti të publikojë edhe solo-albumin e tij, teksa pritet të dalë në dritë edhe albumi i trios “Don’t listen to your neighbors” në bashkëpunim me Adhurim Grezdën dhe Dalvin Mamushën.