Kulturë

Ekspozita që bën bashkë tokën e qiellin edhe si simbolikë

Me një teknikë të kombinuar në pëlhurë, artisti veprat e tij i ka bazuar në tokën dhe qiellin. Duke i shkrirë në një përmes ngjyrave, Gemb Xërxa ka synuar harmoninë. Si rrjedhojë, brenda pikturës ka kornizuar një univers ngjyrash në punimet që janë ekspozuar në dy katet e Galerisë së qytetit të Gjakovës. Në ekspozitën e prezantuar aty, pjesa më e madhe e punimeve mbajnë vulën e vitit 2021

Piktorit nga Gjakova, Gemb Xërxa, nuk është që i bie rrallë të ekspozojë në vendin e tij të lindjes. Por në ekspozitën e shtatë me radhë ka dashur të shpalosë evoluimin e tij si piktor, madje para publikut të prezantohet me mënyrën e re të punës. Me një teknikë të kombinuar në pëlhurë, artisti veprat e tij i ka bazuar në tokën dhe qiellin. Duke i shkrirë në një përmes ngjyrave, ka synuar harmoninë. Si rrjedhojë brenda pikturës ka kornizuar një univers ngjyrash në punimet që janë ekspozuar në dy katet e Galerisë së qytetit të Gjakovës. Në ekspozitën e prezantuar aty, pjesa më e madhe e punimeve mbajnë vulën e vitit 2021. Reflektimin e vetes brenda universit Xërxa e shpërfaqur edhe në një autoportet.

“Më erdhi aq natyrshëm ky koncept sa nuk mbaj në mend as ditë, as kohë. Më godiste hap e mbyll sytë, pëlhura, ngjyra, harmonia. Kudo shfaqeshin reprizë”, shkruhet në përshkrimin e veprave nga autori.

Derisa i ka krijuar pikturat, Xërxa ka ndjekur disa hapa në përfundim të tyre. Nuk është mjaftuar me pikturimin e parë. Pas kësaj ka gërryer pëlhurën dhe ngjyrat dhe, sipas tij, një vepër tjetër artistike krijohej në vendin ku ato binin. I magjepsur nga ky efekt, Xërxa mblidhte pjesët që krijoheshin nga gërryerja dhe i vendoste përsëri në pikturë. Kjo ka qenë arsyeja edhe pse teknika e përdorur në këto vepra ka nxitur kureshtjen e publikut të dielën mbrëma.

“Vizitorëve u ka bërë shumë përshtypje teknika dhe se si janë vendosur copëzat e vogla në pikturë dhe u ka interesuar se a kam përdorur diçka përveç ngjyrës”, ka shpjeguar piktori nga Gjakova. Por ai për ta demonstruar pak a shumë procesin e punës së këtyre punimeve artistike, poshtë pikturave ka vendosur copëza të qelqit duke iu përshtatur ngjyrave të pikturave. Ekspozita “Tokëeqjell” që është hapur për 28 Nëntor në Galerinë e qytetit të Gjakovës është e bazuar edhe në benë e shqiptarëve në tokë e qiell.

“Së pari kam krijuar qiellin dhe kur krijova qiellin toka erdhi vetë dhe pas kësaj krijova një plan të tretë që është harmonia. E krijova harmoninë, sepse ajo krijohet nga ekuilibri dhe ekuilibri është i lidhur shumë me natyrën”, ka thënë Xërxa për KOHËN.

“Tokëeqjell” është hapur në kuadër të aktiviteteve pesëditore të edicionit të parë të festivalit “Artemania” në Gjakovë. Mjeshtëria artistike e artistit është vlerësuar nëpërmjet kombinimit të ngjyrave. Sipas profesorit të historisë Shefqet Canhasi, kjo ekspozitë artistike përmbledh universin artistik të Xërxes, të ngre mbi përbetimin e lashtë, sipas tij, dardano-ilirian “Pasha tokë e qiell”. Mes tokës dhe qiellit, sipas Canhasit, ai ka zbërthyer dinamikën e jetës. Në këtë përpjekje ai është vlerësuar se ka arritur të përçojë optimizmin.

“Artisti në piktura ka përfshirë bukurinë e agimit, mesditën, buzëmbrëmjen dhe natën. Me agimin ka dhënë atë bukurinë e dritës dhe optimizmin që krijohet në moment. Ai optimizëm është shprehur në shumë prej këtyre pikturave për të cilat është dashur mjeshtëri e veçantë dhe durim i madh”, ka thënë profesori Canhasi teksa e ka vizituar ekspozitën për të dytën herë në Galerinë e qytetit të Gjakovës. “Tokëeqjell” do të qëndrojë e hapur deri më 12 dhjetor për vizitorët që duan ta shohin punën e Gemb Xërxes.