Shtojca për Kulturë

“Mbamendja përmes ngjyrave” rikthen kujtesën me nuancat e së kaluarës

“Mbamendja përmes ngjyrave” rikthen kujtesën me nuancat e së kaluarës

Në gjithë këtë univers shumëngjyrësh, dallohet një përpjekje për të mbajtur ekuilibrin mes dritës dhe errësirës, mes kujtesës dhe harresës. Edhe kur intensiteti i ngjyrave mund të ngjallë kromofobi, siç do ta quante vetë artisti, kompozimi e shuan atë frikë, e zbut, e kthen në një ndjenjë të butë, pothuajse në tretësirë që shëron

Në krijimtarinë e tij, Gemb Xërxa ndërton një rrjedhë narrative që s’ka vijë ndarëse, kalon nga një cikël në tjetrin si një lumë që bart gurët e vet. “Kryengritjet”, “Objektet”, “Lëvizjet”, “Kaosi”, “Tokë e qiell” e “Marsi” janë kapitujt e këtij rrëfimi që përfshin më shumë se dy dekada pune. Çdo cikël mban në vetvete shenjën e përkohësisë, por edhe të qëndrueshmërisë; të kujtesës që nuk rri e qetë, por përpëlitet në ngjyra e dritëhije

Në mjedisin e bardhë të Galerisë “Qahili”, drita rrëshqet mbi sipërfaqet shumëngjyrëshe të pikturave dhe ngjyrat duket sikur shkojnë përtej kornizave. Zhurma e zbehtë e hapave përzihet me murmurimën e njerëzve që ndalen para çdo pikture. Bisedat mes artistësh krijojnë një zallahi të lehtë, teksa mbrëmja lëviz ngadalë, me frymëmarrjen e vetë pikturave. Ekspozita e re e Gemb Xërxës, “Mbamendja përmes ngjyrave”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 20 nëntor, e shndërron këtë hapësirë në një udhëtim përmes kujtesës, lëvizjes dhe përjetimit të ngjyrës.

Në krijimtarinë e tij, ai ndërton një rrjedhë narrative që s’ka vijë ndarëse, kalon nga një cikël në tjetrin si një lumë që bart gurët e vet. “Kryengritjet”, “Objektet”, “Lëvizjet”, “Kaosi”, “Tokë e qiell” e “Marsi” janë kapitujt e këtij rrëfimi që përfshin më shumë se dy dekada pune. Çdo cikël mban në vetvete shenjën e përkohësisë, por edhe të qëndrueshmërisë; të kujtesës që nuk rri e qetë, por përpëlitet në ngjyra e dritëhije.

Në fillim janë “Kryengritjet”, jo si gjëmë apo si shpërthim politik, por si ndryshim i brendshëm. Janë trazimet që ndodhin në heshtje, brenda njeriut, në mënyrën se si ai e sheh botën dhe e përkufizon vetveten. Në tablotë e Xërxës, këto kryengritje shfaqen përmes përplasjes së toneve të errëta që duket sikur përthithin dritën, teksa paraqesin figurina që pluskojnë mbi sipërfaqe të lëngëta dhe japin përshtypjen sikur po shkrihen mbi to.

Pas tyre, vjen cikli “Objektet”, ku sendet humbasin kufijtë dhe marrin frymë vetë. Ato janë bartëse kujtimesh: vegla, figura, trajta që kanë kaluar nëpër kohë, që s’janë më të përdorshme, por janë ende të gjalla në kujtesë. Format rrethore krijojnë ndjesinë e butësisë, e ato majuce tregojnë mprehtësi. Artistit i intereson ndjesia e rrënojës dhe e mbeturinës që bart jetë. Objektet i kthen në dëshmitarë të qetë të përvojave njerëzore.

Me “Lëvizjet”, tabloja fiton frymë, trupi vizual nis të qarkullojë. Ngjyra lëviz, forma gjallon, dhe çdo përshkim brushe duket sikur përshkruan një rrugëtim që s’përfundon. Xërxa e sheh botën si një lëvizje të pandërprerë, ku ndryshimi është forma e vetme e qëndrueshme. Ka treguar procesin e përzgjedhjes, duke i përmendur edhe ciklet prej gjysmë duzine.

“Është bërë një përzgjedhje prej Nita Qahilit, prej gjashtë cikleve që i kam, duke nisur prej ‘Kryengritjeve’, ‘Objekteve’, ‘Lëvizjeve’, pastaj duke u shkatërruar gjithçka teksa vjen te ‘Kaosi’, pas tij është një rilindje që titullohet ‘Tokë e qiell’, pas saj vjen ‘Marsi’, për gjashtë cikle janë 22 vjet punë deri këtu”, ka përmendur ai.

Gjithçka duket sikur shembet për ta rindërtuar veten në “Kaos”. Në katalog, ky cikël përshkruhet si “puls i papërpunuar nën sipërfaqen e rendit”. Në këto vepra, drita nuk ka më qendër, shpërndahet në gjithë hapësirën e pikturuar dhe ngjyrat përplasen, krijojnë turbullirë, për t’u kthyer sërish në harmoni.

“Duhet forca e një skulptori, duke dalë te grafisti, për ta shndërruar në pikturë,” thotë Xërxa, duke përshkruar mënyrën si i trajton shtresat dhe teksturat, që në to shihen gjurmët e daltës, të lapsit dhe të dorës që kërkon dritën përmes errësirës, teksa gravurat e thella i bëjnë të duken si skulptura.

Në “Tokë e qiell”, horizonti hapet. Dy hapësira, ajo poshtë dhe ajo sipër, ndërthuren në një lidhje që s’mund të pritet. Ngjyrat e pakta të tokës prekin hijet e thella të qiellit pikalosh me ngjyra të pafundme dhe krijojnë një peizazh që është më tepër përjetim se pamje. Këtu piktura bëhet metaforë e komunikimit mes asaj që shihet dhe asaj që ndihet.

Kuratorja Nita Qahili e sheh ekspozitën si një përpjekje për ta rikthyer kujtesën përmes ngjyrës.

“Ideja pas kësaj ekspozite ka qenë ajo se qysh Gembi e ka përdorur ngjyrën dhe qysh ka kujtuar në njëfarë forme detaje të ndryshme të së kaluarës, të momenteve që kanë luajtur rol në krijimin e tij si identitet, për të arritur ta prezantojë punën që veç e ka. Gembi njihet si një person që i mban në mend sendet, domethënë është karakteristikë e tij dhe mandej ngjyra që reflektohet në punën e tij”, ka thënë ajo.

Sipas saj, teoria e ngjyrës në këtë ekspozitë nuk është vetëm teknike, por është një mënyrë për të matur kohën, periudhat që ndryshojnë, tonet që rrjedhin e valët që ndërrojnë drejtim.

“Teoria e ngjyrës për mua ka shumë rol, për shkak se është një koncept që ka shumë hapësirë për t’u trajtuar dhe hulumtuar se qysh mund të shënojë periudha të ndryshme kohore dhe qysh mund të krijosh atë rrymimin, ato valët që krijohen përmes toneve dhe dritëhijes që janë pjesë të ngjyrës”, ka shtuar kuratorja Qahili.

I fundit vjen “Marsi”. Në këtë cikël, që e mbyll e po ashtu e bashkon gjithë udhëtimin, ngjyra arrin një lloj përmbushjeje të vetvetes.

“Marsi do t’i bashkojë krejt, sepse atje e kam ndërtuar apartamentin tim, kam një kopsht ku mbjell ngjyra dhe pastaj dal t’i mbledh për t’i kthyer në peizazhe”, thotë artisti Xërxa me gjysmë të qeshuri. Në këtë univers imagjinar, piktura bëhet një formë e jetesës, një mënyrë për ta kthyer frymën në materie.

Në të gjitha këto shtresa, ndihet një përpjekje për ta kapur dritën si përvojë fizike dhe emocionale. Ngjyra për Gembin nuk është veç pigment, por substancë që ruan kujtimin e një kohe, të një ndjenje, të një peizazhi që ka ekzistuar dikur.

“Ta gdhendim errësirën në prurje të dritës,” ka përfunduar ai, si për të përmbledhur filozofinë e vet krijuese.

Skulptori Skënder Boshtrakaj, i cili ishte i pranishëm në hapje, e sheh këtë cikël si “një udhëtim në thellësinë e materies, një kërkim mbi energjinë që lind nga përplasja midis kontrollit dhe rastësisë”.

“Në thelb, ekspozita flet për lëvizjen midis formës dhe shkatërrimit të saj për ciklin e ekzistencës nga kaosi gjen harmoni, pastaj kthehet sërish në pluhur. Përdor ngjyra të ngrohta, gjeste të shpejta dhe tekstura të ngopura që përbëjnë një kozmos të brendshëm ku çdo pikë është e gjallë dhe në ndryshim të vazhdueshëm”, ka thënë ai. Sipas tij, në këto punë, piktura nuk është më imazh, por trup që merr frymë, që ruan gjurmët e kohës dhe të aktit të krijimit.

Në gjithë këtë univers shumëngjyrësh, dallohet një përpjekje për të mbajtur ekuilibrin mes dritës dhe errësirës, mes kujtesës dhe harresës. Edhe kur intensiteti i ngjyrave mund të ngjallë kromofobi, siç do ta quante vetë artisti, kompozimi e shuan atë frikë, e zbut, e kthen në një ndjenjë të butë, pothuajse në tretësirë që shëron.

I shkolluar në Universitetin e Prishtinës, artisti pamor nga Gjakova ka ekspozuar gjerësisht në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Itali e Belgjikë, me një sërë ekspozitash personale e kolektive. E në këtë ekspozitë, mbamendja që merr formë duke u mbështetur në përditshmërinë e autorit, me ngjyrat e ndërtesave, reklamat, dritat e qytetit dhe lëvizjet e njerëzve, i kthen imazhet e zakonshme në simbole të qëndrueshme. Si të ishin gjurmë që s’duan të fshihen.