Renea Begolli në ekspozitën e saj personale në ambientet e fondacionit “Hajde” në hotelin “Grand”, në Prishtinë bashkon përjetime, reflektime e mbi të gjitha ngre pyetje. Është e bindur se njohja e mirë e trupit e bën njeriun ta njohë më mirë botën. Ndikimin e botës në trup dhe anasjelltas e sheh si diçka të pazgjidhshme. Veprat e saj në ekspozitë bashkojnë mbetje pëlhurash që nganjëherë duken si shumë trupa në një hapësirë. Por ajo është një xhungël mbetjesh
Janë pikturat ato që zënë vend në qendër. Shpërfaqen trupa njerëzorë në gjendje të ndryshme. E trupi edhe është fokusi i ekspozitës. Ose nëpërmjet trupit shprehen pikëpamje e ngrihen pyetje. Trupat e Renea Begollit në ekspozitën “Gjatë gjithë kësaj kohe, bëhemi” janë në bërje e sipër. Bërja e tyre nuk është veç konstrukt fizik. Reflektojnë ambientin përreth. Bashkëveprojnë dhe bëhen bashkë me ambientin. E hapësira përreth s’është veç gjeografi, është një ekosistem që bashkëvepron me trupin dhe lë vragat e kohës. Është edhe konstrukt shoqëror e edhe sistem i patriarkatit që synon kontrollimin e trupit të tjetrit. Renea Begolli në ekspozitën e saj personale në ambientet e fondacionit “Hajde” në hotelin “Grand”, në Prishtinë bashkon përjetime, reflektime e mbi të gjitha ngre pyetje. Është e bindur se njohja e mirë e trupit e bën njeriun ta njohë më mirë botën. Ndikimin e botës në trup dhe anasjelltas e sheh si diçka të pazgjidhshme. Veprat e saj në ekspozitë bashkojnë mbetje pëlhurash, që nganjëherë duken si shumë trupa në një hapësirë. Por ajo është një xhungël mbetjesh që flet për një tjetër xhungël: atë të mbeturinave të plastikës që shumë vende s’mund tua bëjnë çarën.
Gjuha artistike e Begollit në ekspozitën e saj të tretë personale është goxha direkte. Ndërlidhja midis veprave është e madhe, përderisa pyetjet që ngrihen janë të shumta. Kontradiktat midis hapësirës fizike dhe virtuale tregojnë për bashkëjetesën me teknologjinë. Shoshiten shumë aspekte të kësaj bashkëjetese. Në një prej veprave një strukturë metalike paraqitet si lule dhe rrethohet me vizatime të trupave duke bërë që veprat të reflektojnë në njëra-tjetrën. S’ka formë përfundimtare të instilacioneve të saj. Vazhdimisht duket në zhvillim. Është njëfarë cikli jetësor që s’ndalet. Madje as pas vdekjes. Një pasion i një të afërmeje të saj që s’jeton më është në ekspozitë. Janë fotografitë që zënë vend në disa çokollata të vogla, prodhim kroat. Vijnë si mozaik që shpërfaqin imazhe të natyrës, kafshëve e çka jo tjetër.

Artistja Begolli ka thënë se veprat e saj në këtë ekspozitë janë rrjedhojë e procesit të punës.
“Janë një eksplorim më i thellë. Puna ime ka të bëjë shumë me trupin dhe ndërlidhjen e natyrën, kujtimet e gjera të tjera. Nisem nga vetja dhe mundohem të kaloj në pyetje të ndryshme. Procesi vazhdon, por kjo ekspozitë është një pjesë ku unë më thellë bëj pyetje për jetën dhe se si lidhen qeniet”, ka thënë ajo. Sipas Begollit, trupi ndien shumë dhe për të ka qenë interesante ta ndiejë trupin e saj.
“Në formën që i qasem jetës, i qasem edhe artit. Trupi është mënyrë për ta kuptuar veten. Kam kuptuar se ndryshimet në natyrë ndikojnë në trupin tim dhe mandej kam kuptuar më mirë edhe ndryshimet në natyrë. Janë dy procese të ndërlidhura”, ka thënë ajo. Sipas saj, kujdesi për veten dhe për të tjerët është shumë i rëndësishëm.
“Kontrolli ndaj natyrës e ka bazën në sistemin patriarkal dhe gjinor. Për mua ka qenë një lidhje e studimit gjinor dhe studimit të natyrës. Pra është si ndërlidhje e këtyre dy aspekteve të nevojës për të kontrolluar diçka që është ndryshe prej teje”, ka thënë ajo. Begolli shtron pyetje se deri në çfarë pike njerëzit do të provojnë të kontrollojnë një trup tjetër. Janë pyetje që ia ka shtruar vetes dhe beson që edhe të tjerët do ta bëjnë këtë.
“Gjatë procesit të krijimit kam parë se po mbesin shumë mbetje. Fillimisht kam menduar të krijoj një vepër që luan me hapësirën dhe përdoren materiale që unë nuk i përdor. Ne jetojmë në një xhungël të plastikës. E kam krijuar një xhungël të tillë. Është hapësirë pak distopike dhe të tregon edhe lidhjen tonë me materiale të tjera. S’ka të bëjë veç me trupa fizikë”, ka thënë ajo.
Ideja e ekspozitës janë rrëfimet e vogla të cilat krijojnë një ndërthurje mes vete e që shpërfaqin kompleksitetin e kohës moderne.
Kuratorja Anyla Kabashi ka thënë se çdo dhomë ka një tregim të vetin.
“Ka tregime të ndryshme prej transformimit tonë deri te vdekja. Një tjetër ide që e kemi folur gjatë gjithë kohës është ajo se si jetojmë me tollovinë që e kemi bërë në botë. Kemi dashur të tregojmë se si të vazhdojmë të jetojmë me këtë që kemi bërë pa pasur nevojë të prodhohet diçka e re”, ka thënë ajo. Në këtë rast ka përmendur veprën e krijuar me mbetje pëlhurash.
“Tregohet se si të mos hidhen gjërat që s’kanë më jetë. Ideja është se kur bëhen krejt bashkë, ne si njerëz nuk jemi në qendër të botës, por veç pjesë e cikleve të tjera”, ka thënë ajo.
“Gjatë gjithë kohës, bëhem” fut publikun në ambiente ku provokohen edhe të bëmat e tyre. Artistja Begolli në formë filozofike tregon se askush nuk bëhet vetëm, por është produkt i rrethit. Ndikimin që ka bota përreth në bërjen e një trupi dhe anasjelltas, është fokusi i saj. Eksploron mundësinë e krijimit të lidhjeve midis njeriut dhe kohës e kushteve në të cilat qenia jeton. Veprat e saj janë krejt akte të vogla e vijnë si rezultat i njëra-tjetrës. S’funksionojnë ndryshe. Siç s’funksionon njeriu pa krejt çfarë ka përreth.