Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Vallja” si udhëtim nëpër natyrë në harmoni instrumentesh

Agim Berisha

Muzikanti i njohur Agim Berisha ka sjellë albumin e dytë me instrumentale. Titullohet “Vallja” dhe është një rrugëtim në natyrë me tinguj prej jazzit, fusion, funk e etno, por që bashkohen harmonishëm. “Jam shumë i lidhur me natyrën, shumë e dua natyrën, lumenjtë, arat, shumë i dua. Prandaj e gjithë krijimtaria ime instrumentale është e lidhur me natyrën”, ka thënë Berisha, të cilit në koncertin promovues në “Kino Armata” i janë bashkuar kolegët e miqtë e tij muzikantë

Bas-kitara, violina, saksofoni, bateritë e kitara, i dhanë fjalën e parë dhe të fundit në sallën e vetme të “Kino Armatës” në Prishtinë. Në sfond, lehtë luheshin tinguj bas-kitare, kur befas boom-et e baterive kumbuan gjithë hapësirën dhe dridhen tokën. Ishte “Vallja”, vepra e parë e albumit të dytë të rock-jazz muzikantit, Agim Berisha. Albumi vjen si harmonizim mes instrumentesh.

Shumë pak ishte e ndriçuar hapësira në të cilën do të performonin, dukej se më shumë ndriçonte performanca e autorëve të instrumenteve të tyre. Pos Agim Berishës në bas kitarë, ishte Dukagjin Muhaxheri në saksofon, Muhamet Veseli – Muha në kitarë, Besim Gashi – Babuka në bateri dhe Visar Kuçi në violinë dhe kitarë.

Qe mbrëmja plot emocion e befasi e koncertit promovues të albumit “Vallja” të instrumentistit të rock skenës në Kosovë, Agim Berisha. Një valle që në fakt nuk është e tillë, është valle më ndryshe, e cila shkrin rock, jazz, fusion etno e funk.

Sikurse instrumentali i parë, ashtu quhet edhe vetë përmbledhja. “Albumi quhet ‘Vallja’ ngase instrumentali i parë quhet ashtu. Kam dashur ta quaj ‘Agimi në Rugovë’, por meqenëse edhe unë e kam emrin ashtu, e lamë me ‘Valle’. Kjo nuk është valle klasike, është pak e shndërruar në fusion dhe jazz”, ka thënë për instrumentalet e tij rock-jazz muzikanti Agim Berisha, i cili thekson se këto nuk janë valle tipike siç populli është mësuar t’i dëgjojë.

Ndjesi të veçantë dhe atmosferë të pashoqë sollën protagonistët në skenë. U luajtën vetëm pesë instrumentale të albumit të dytë, që nuk dihen afate kohore se kur do të luhen prapë diku tjetër.

Edhe “Classic Jazz Trio+” rikthehet në kohë dhe gjen lirinë Shtojca për Kulturë 1 muaj më parë “Classic Jazz Trio+” rikthehet në kohë dhe gjen lirinë

“Albumi i dytë i ka nëntë instrumentale, prej tyre sonte i kemi ekzekutuar pesë. Nëse ka kërkesa do ta prezantojmë albumin edhe në vende të tjera, shpresojmë se po. Unë me bendin tim ‘Hali Band’ edhe ashtu interpretojmë në lokale të ndryshme, kryesisht këngë të popullarizuara të bendeve të huaja dhe bendeve tona shqiptare”, ka thënë muzikanti veteran, bas-kitarist në grupin “Minatori”, njëri prej themeluesve e organizatorëve të koncertit tradicional “Rock për Rock”.

Mjeshtri i muzikës instrumentale të llojit etno jazz, fusion dhe funk, gjithë krijimtarinë e tij e ka lidhur me elemente të natyrës, për disa nga to ai i ka thyer edhe barrierat e imagjinatës. Kështu njërën nga instrumentalet e albumit të parë e titulloi “Mirusha”. Intensiteti i tingujve shkon duke u rritur çdoherë, ashtu sikur jep ndjesinë se ujëvara është aty afër.

Berisha ka dashur të sjellë pak më shumë natyrë edhe në albumin e dytë. “Jam shumë i lidhur me natyrën, shumë i dua natyrën, lumenjtë, arat, shumë i dua. Prandaj e gjithë krijimtaria ime instrumentale është e lidhur me natyrën”, ka thënë Berisha.

Si të rinj, të gjithë filluan ta quanin Santana, teksa e krahasonin me instrumentistin meksikan të muzikës rock, jazz dhe blues, Carlos Santana. Ka disa vjet që Agim Berisha gjithashtu shquhet si legjendë e rockut kosovar.

“Agim Berisha është një nga instrumentistët e parë që i takojnë pop-rock skenës në Kosovë. Ndjenja është e posaçme duke marrë parasysh se je në një skenë me dikë që ka mbi 50 vjet përvojë në muzikë, është e kënaqshme edhe për respektin që ne duhet t’ia bëjmë Agimit për atë që ai ka krijuar për 50 vjet. E kemi pasur një publik shumë të veçantë që e kupton se çfarë është ky stil i muzikës. Është ndjenja që definitivisht do të mbahet mend tërë jetën”, ka thënë bateristi Besim Gashi i njohur si Babuka.

Edhe Ngjyrat e violonçelit dhe të kitarës ekuilibrohen në udhëtimin e tingujve Kulturë 2 muaj më parë Ngjyrat e violonçelit dhe të kitarës ekuilibrohen në udhëtimin e tingujve

Pauzat midis performancave të tyre ishin të shkurtra, por jo edhe duartrokitjet e brohoritjet nga publiku. Reagimet e tilla nga publiku nuk janë befasi për 71-vjeçarin, i cili për shtatë dekada jetë, më shumë se pesë nga to ia ka kushtuar muzikës.

Image
“Kam dashur ta quaj ‘Agimi në Rugovë’, por meqenëse edhe unë e kam emrin ashtu, e lamë me ‘Valle’”, ka thënë Agim Berisha

Muzikantët e parë të këtij lloji të muzikës sollën këtë frymë edhe për gjeneratat më të reja, ku jo pak, sot është e dëgjuar muzika jazz.

“Për mua është gjithmonë me rëndësi të jesh pjesë e këtyre projekteve, njëfarë mënyre t’u jap respektin e duhur gjeneratave që na kanë sjellë sot këtu ku jemi”, ka thënë Visar Kuçi, njëri nga katër instrumentistët krah Agim Berishës. Kuçi luajti në violinë dhe kitarë.

Edhe albumi i prezantuar mbrëmjen e së premtes në “Kino Armata”, sikurse edhe i pari i Agim Berishës, është realizuar në studion e kitaristit Muhamet Veseli, i cili me këtë instrument po ashtu luajti në promovimin e albumit.

Edhe “Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip Kulturë 3 muaj më parë “Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip

Agim Berisha ka realizuar dy albume me të njëjtin titull “Vallja”, ku të parin e kishte promovuar në nëntor të vitit të kaluar.