Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tradhtia e madhe dhe përmbytja intelektuale e morale

Në parathënie të botimit të pestë (2014) të librit të mirënjohur nga filozofi francez Julien Benda, “Tradhtia e intelektualëve” [The Treason of The Intellectuals/The Great Betrayal], të botuar për herë të parë më 1927, Roger Kimball, redaktor i revistës kulturore “The New Criterion” dhe kritik i artit, nënvizon: “Që nga lulëzimi i urrejtjes etnike dhe fetare në Lindje të Mesme dhe në Evropë e deri te kërkesat hipokrite dhe për korrektësi politike dhe multikulturalizëm në universitetet perëndimore, tradhtia e intelektualëve vazhdon dramën e vet moralizuese. Benda foli për ‘një kataklizëm të bindjeve morale të atyre që e edukojnë botën’. Ai kataklizëm ka shpërthyer në secilin kënd të jetës kulturore sot”.

Fjalë e rëndë apo një prognozë e mirë e thënë rrallë? Për çfarë flet Kimballi, që i jep briskut ujë në këtë parathënie? Thënë shkurt, nuk ka nevojë të hulumtohet ditë e natë për ta veneruar apo identifikuar këtë përmbytje morale në shumë vende perëndimore. Qe disa venerime në gishta të dorës. Mjafton të shkosh në një galeri arti të ashtuquajtur “bashkëkohore” dhe të gjesh “instalacione”: një shtrat plot kondomë të përdorur, apo një kanaqe me jashtëqitje, apo një tubë thera, dhe do të vëresh se si lulëzon arti bashkëkohor që shprehë të bukurën. Mjafton të ndjekësh një emision televiziv politik dhe vëren se si sulmohet “burri i bardhë”, “politikani postkolonialist”, “gruaja e djathtë” dhe do të vëresh se si lulëzon diskursi moralist diktatorial. Mjafton të vizitosh një lagje periferike në kryeqytete perëndimore dhe ndoshta mund të hasësh në turma që brohorisin “vdekje perëndimit” dhe do të vëresh se kur bisedon me anëtar të një grupi të madh të klasës “intelektuale” të vendit, faji hidhet ose te historia kolonialiste, ose te politika supremaciste e të bardhëve, ose te evropianizmi, ose neoliberalizmi ose tradita eurocentrike, ose supremacia e një grupi kundër një grupi. Dhe rastet e tilla janë objekt apologjie nga teoritë postmoderne, relativizmi kulturor, feminizmi radikal, e shumë teori të tjera të cilat po krijojnë kanonin kulturor që bartet në universitet. Shumë mendime e veprime të tilla, në trysninë e një kulture të përhantë të korrektësisë politike, arsyetohen edhe nga profesorët universitarë, shumica e të cilëve janë të majtë e një numër i konsiderueshëm del të jetë i së majtës radikale. Për shembull, lexo hulumtimet Jonathan Haidt-it dhe e vëren këtë ndarje, këtë diktaturë të së majtës radikale në universitetet amerikane. Por, kjo ekziston edhe në universitetet tjera të vendeve perëndimore e po shpërndahet edhe në vende tjera.

Pse këto ide dhe praktika, ky diskurs dhe këto qëndrime janë katalizmë apo përmbytje në botën perëndimore, do të pyeste lexuesi ynë? A nuk është bota perëndimore, vendi i vlerave të lirisë, demokracisë e pavarësisë? Roger Kimball-i potencon disa gjëra në parathënie, por libri i filozofit Benda tregon frymën e kësaj përmbytjeje, sipas një pikëpamjeje të mishëruar nga filozofia klasike, duke u fokusuar te venitja e admirimit të “clercs” (që sipas tij janë “ të gjithë ata që flasin në mënyrë transcendentale” e që duket se janë, sipas tij, klasa e artistëve, shkencëtarëve e intelektualëve që deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë kanë qenë më të pavarur nga pasionet e politikave grupore) dhe ngritja e vullnetit realist materialist të njeriut të thjeshtë, të ngashëruar vetëm nga pasioni materialist realist.

Julien Benda nisë e sosë diskutimin mbi tradhtinë e intelektualëve me pasionet politike. Sipas tij, identitetit grupore kanë filluar nga pasionet. Secili grupim, qoftë nacionalizmi judaist, monarkizmi francez, socializmi, anti-semitizmi e shumë izma të tjerë kanë nisur mbi pasione dhe kanë ndërtuar teori për t’i përkrahur ato pasione dhe kundërshtuar pasionet e të tjerëve. Teoritë kanë krijuar sisteme që promovojnë idenë se ky pasion është bartës i së mirës dhe pasioni kundërshtues është bartës i së ligës. Në fakt, këtë mizori të organizimit të pasioneve në sisteme grupore, Benda e quan “organizim intelektual i urrejtjes politike”.

Benda thekson se problemet në klimën morale të Evropës kanë filluar kur “clercs” nisën të përqafojnë pasionet politike të grupit. Ai nënvizon se “kah fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë, ndodhi një ndryshim i madh: “këta “clercs” filluan të luajnë lojën e pasionit politik”. Shkrimtarët e vjetër nuk kishin pasione politike. Gëte kishte deklaruar: “t’ua lëmë politikën diplomatëve dhe ushtarëve”. Por, pasionet politike fillojnë të bëhen atraktive edhe për shkrimtarët, filozofët, shkencëtarët e mëvonshëm.

Edhe A po e tradhtojnë intelektualët misionin e vet? Shtojca për Kulturë 10 muaj më parë A po e tradhtojnë intelektualët misionin e vet?

Asgjëmangu, Benda lë anash arsyet historike për këtë asimilim të intelektualit nga pasioni grupor, kryesisht nacionalist. Ky pasion për të bërë shtetin-komb është pasion lokalist, por dihet edhe nga ana historike se universalja mund të ushtrohet brenda kësaj kornize të shtetit-komb, të cilën deshëm s’deshëm e kemi kryesisht si produkt edhe të nacionalizmit. Por, në shumë raste pasioni nacional mund të bëhet “nacional-radikal”, si edhe është bërë në shumë raste, dhe të mjegullojë vetëdijen nacionale për shkatërrim e jo rivitalizim. Sepse historikisht e dimë se pasioni nacional, kur nuk ka pasur sforcim të madh ideologjik ka gërshetuar parimet universaliste dhe ka mbrojtur lirinë, ndërsa në shumë raste, ideologjia nacionaliste ka qenë shkatërruese, sidomos në rastet kur universalja ideologjike ka shfrytëzuar nacionalizmin, si në rastin e komunizmit enverist. Andaj, Benda-së nuk i del gjithmonë parashikimi, kur i fut të gjitha rastet historike brenda një thesi të argumentit filozofik. Në anën tjetër, ai aludon te gjysma e dytë e shekullit nëntëmbëdhjetë si koha kur “clercs” e përqafojnë pasionin politik. Dihet se kjo është koha e Karl Marx-i, i cili si “clerc” i konvertuar, deshi të marrë rolin e të iluminuarit të shpellës së Platonit, dhe në emër të krijimit të utopisë universale, krijoi ideologjinë e re të shkatërrimit të traditës universale dhe lokale dymijë vjeçare. Pikërisht nga këto almise ideologjike dhe kritike që kishte krijuar Marx-i, u bënë “vegla kritike” të filozofëve kritikologjikë të shekullit 20. Këto vërehen te Foucault, Deleuxe, Althusser, Badiou, e disa të tjerë apostuj të ideologjisë së shartuar marksiste në Francën e Benda-së.

Po japim një paragraf të gjatë prej parashikimit të tij, të dhënë në fund të librit: “Imagjinoni një vëzhgues të shekullit dymbëdhjetë i cili e sheh Evropën nga syri i zogut. Ai do të sheh njerëz që enden si pakrye dhe përpiqen për të krijuar kombe (për të cekur vetëm aspektin më të dukshëm të vullnetit realist); ai do t’i sheh ata në fillet e suksesit të tyre, ai do të sheh se grupe të caktuara të burrave do të krijojnë vazhdimësi, të përcaktuar për të okupuar një copë të botës, dhe me vetëdije do të ndihet se i takon një grupi të veçantë nga të tjerët që e rrethojnë. Por në të njëjtën kohë ai do të shoh një klasë të tërë të burrave, të cilët respektohen me përkulje, të cilët punojnë që kjo lëvizje të lulëzojë. Ai do të sheh njerëz të mësimit, artistë e filozofë, që do t’i japin botës një shpirt që përdorë gjuhë universale, që nuk i interesonte për kombet. Ai do t’i sheh ata që i dhanë Evropës vlerat e veta morale duke predikuar kultin e njeriut, kultin humanist, ose së paku të krishterit, e jo të kombit, ai do t’i sheh ata duke u përpjekur që të gjejnë, në kundërshti me kombet, një perandori të madhe universale të vendosur mbi themele spirituoze. Ai mund ta pyes veten: “Cila nga këto dy rryma do të triumfojë? A do të jetë humanizmi nacional apo spiritual? A do të bazohet në vullnetin e “clercs” apo të njeriut të thjeshtë? Dhe për një kohë të gjatë kauza realiste nuk do të jetë krejtësisht fituese, trupi spirituoz do t’i qëndrojë besnik vetes, aq gjatë sa vëzhguesi jonë nuk do të jetë i sigurt për rezultatin. Sot, loja ka mbaruar. Humanizmi është kombëtar. Njeriu i thjeshtë ka fituar. Por, triumfi i tij ka shkuar përtej asaj që është parashikuar. “Clerc” është pushtuar, por jo vetëm kaq: ai është asimiluar. Shkencëtari, artisti, filozofi janë të lidhur me kombin e tyre po aq sa punëtori i mëditjes dhe dyqanxhiu. Ata që krijojnë vlerat e botës, i krijojnë ato për kombet; pastorët e Jezusit e mbrojnë kombin. Gjithë njerëzimi, përfshirë “clercs” janë bërë çoban. Gjithë Evropa, përfshirë Erasmusin, ka ndjekur Luterin.”

Nga ky paragraf mund të shohim se Benda është mjaft rigoroz si dashamir i universales dhe përçmues i grupores, veçanërisht kombit. Si thamë më herët, jo të gjitha, por shumë kombe moderne perëndimore kanë kaluar sprovën e nacionalizmit, ndonëse pasioni i disa “clercs” –ëve që kanë shkruar filozofinë në këto vende është shartuar me impulse ideologjike neomarksiste. Por, argumenti i tij kryesor për tradhtinë e njeriut të artit, shkencës, filozofisë ndaj universales dhe besatimin e tij me grupin e lidhur pas pasioneve politike specifike, ka peshë në kohën e sotme. Megjithatë, grupi nuk është më vetëm grupi etnik apo grupi fetar. Në fakt, grupi i ri është grupi ideologjik, që graviton rreth ndonjë kategorie të caktuar të identitetit grupor. Mund të flasësh në gjuhë universale, por nëse nuk je nacionalist, je vetëm kozmopolit i zhgjebosur, thonë nacionalistët banalë. Mund të flasësh në gjuhë universale, por nëse nuk je feminist, je vetëm misogjenist i fshehtë thonë feministët radikalë. Mund të flasësh në gjuhë universale, por nëse nuk je postmodernist, je vetëm pozitivist shabllonist thonë postmodernistët relativizues. Mund të flasësh në gjuhën universale, por nëse nuk je fetar, je vetëm ateist i përhumbur, thonë ideologët fetarë. Mund të flasësh në gjuhë universale, por nëse nuk je trumpetues i drejtësisë sociale, je vetëm “supremacist i bardhë”, thonë komandantët e drejtësisë sociale.

Pyetjet shtrohen: Çfarë në të vërtetë ka prodhuar ky "organizimi i urrejtjes politike" të bazuar në identitete grupore? Çfarë bëhet kur në një vend rroken për pushtet feministët radikalë, etnonacionalistët banalë, postmodernistët inatçarë, relativistët moralë, ekonomistët sezonalë, populistët medialë, konservatorët idealistë, diktatorët e korrektësisë politike, e shumë të tjerë? Përgjigja është: luftë për pushtet me çdo kusht dhe përdorim i të gjitha shtigjeve në funksion të fitores ideologjike. Shkurt: gjithçka shndërrohet në fushëbetejë dhe mbetet pak vend për “të menduar në mënyrë transcendentale”. Ndoshta ndonjë kand i vogël. Shëmtia më e madhe del te fakti se ky tribalizëm ideologjik, mjaft i gjallë dhe në rritje, po cenon edhe fjalën e lirë. Dhe krahas tij po rritet edhe populizmi si recetë për gjithë spektrin e këtij tribalizmi të ri. Shkëndija të këtij tribalizmi ideologjik që "shiten" si universalizëm hetohen edhe në Kosovë, ndonëse terreni ende i takon pasionit etnik dhe nacional.

Edhe Letërsia na bën të lirë, devijimet e përditshme nga standardi janë art Shtojca për Kulturë 3 muaj më parë Letërsia na bën të lirë, devijimet e përditshme nga standardi janë art

Julien Benda e mbyll librin, të ribotuar për të pestën herë, duke thënë se “historia do të buzëqesh kur të mendojë se kjo është specia për të cilët vdiqën Sokrati dhe Jezu Krishti”. Benda s’është gjallë t’i venerojë skenat e historisë së njëqind viteve të fundit. Pamashtri, duhet theksuar se “clercs” që mendojnë si Sokrati ende ka. Sa u shërben puna e tyre tribalistëve, si shndërrohen ata vetë në tribalistë, sa kanë mundësi “të mendojnë në mënyrë transcendentale”, sa ka peshë mendimi i tyre, kjo mbetet për të parë në kontekst të rritjes dhe, me shpresë, rënies së tribalizmit ideologjik në të ardhmen e kohës sonë.

(Shkruan: Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)