Arti po zëvendësohet nga spektakli; vlera nga marketingu; kritika nga heshtja. E kur mungon kritika e mirëfilltë, ajo që mbetet është një arenë e paformë, ku çdo formë e shprehjes ka të drejtën të shpallet kryevepër – mjafton të shpallet me zë të lartë dhe të përhapet në rrjete
Mjafton një vështrim i qetë dhe i sinqertë për të kuptuar se jemi dëshmitarë të një shabllonizimi kulturor që ngatërron ironinë me artin, komedinë naive me mjeshtërinë estetike, dhe vulgaritetin me origjinalitetin. Arti po zëvendësohet nga spektakli; vlera nga marketingu; kritika nga heshtja.
E kur mungon kritika e mirëfilltë, ajo që mbetet është një arenë e paformë, ku çdo formë e shprehjes ka të drejtën të shpallet kryevepër – mjafton të shpallet me zë të lartë dhe të përhapet në rrjete.
Kriza e vlerave dhe mungesa e kritikës
Arti nuk lind në boshllëk. Ai zhvillohet në raport me një sistem të qëndrueshëm vlerash, ku kritika luan rolin e ndërgjegjes së vetëdijshme. Pa të, edhe vepra më e mirë mbetet e pambrojtur përballë zhurmës së hiperbolës. Sot, shumë krijime të quajtura artistike janë vetëm pasqyrime të një anarkie estetike që i detyrohet më shumë interesit momental sesa thellësisë krijuese.
Në këtë terren të turbullt, shundi dhe kiçi janë ngritur në piedestale, shpesh nga mediat që nuk njohin as terminologjinë, as historinë e artit. Dhe kur një gazetare e paarsimuar në art shpall dikë “gjeni”, atëherë është e qartë se kemi hyrë në fazën ku fjalët kanë humbur peshën, dhe hiperbola është bërë normë.
Kur kritika kthehet në ideologji
Kritika e vërtetë nuk duhet të jetë zgjatim i interesave të ngushta ideologjike apo politike. Çdo formë arti që mbështetet në agjenda të momentit është e dënuar të mos lërë gjurmë të qëndrueshme. Arti që i shërben partive, grupeve të interesit apo korporatave, nuk është as më
shumë e as më pak se një maskë propagandistike. Katastrofa ndodh kur kjo ndërthurje e artit me ideologjinë përqafohet nga vetë “artistët”. Është
kjo lidhje që e bën artin të humbasë frymën e tij të lirë dhe të shndërrohet në një mekanizëm vetëreklamues, i stërmbushur me retorikë dhe i zbrazur nga përmbajtja.
Roli i mediave dhe nevoja për kritere
Media ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar zhvillimin artistik, por vetëm nëse ndjek parime dhe kritere të qarta të vlerësimit. Një gazetë me një staf të përgatitur në fushën e kulturës mund të jetë jo vetëm një pasqyrë, por edhe një udhërrëfyes për publikun dhe krijuesit.
Është e domosdoshme të krijojmë një mekanizëm të tjerrjes profesionale të veprave — jo për të ndaluar lirinë krijuese, por për të mbrojtur artin nga banalizimi dhe për të promovuar atë që mbart thelb, emocion dhe reflektim. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një sistem që zhvillon, jo
Fillimi dhe shpresa
Për dekada kemi jetuar në një skenë artistike të improvizuar, ku spontaniteti ka zëvendësuar konceptin, ku mungesa e planifikimit ka prodhuar një pseudo-realitet kulturor. Por edhe nga kjo situatë mund të dalim me mësime. Nëse kemi kurajën të pranojmë realitetin, të flasim hapur për gabimet tona, të thyejmë heshtjen dhe të rivlerësojmë sistemin nga e para, mund të fillojmë të ndërtojmë një koncept kombëtar për artin dhe kulturën, një strategji të pavarur nga politika, por të mbështetur në standarde botërore të vlerës.