Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tirana ekspozon librat e ndaluar të Dante Aligherit

Dante Aligheri

Pjesa më e madhe që sjell thesari i ekspozuar në Tiranë, janë libra të “Komedisë hyjnore”, por nuk mungojnë edhe “Il convito” dhe “La vita nuova”. Nga katër përkthime të Dantes në gjuhën shqipe, tre janë në gegnisht

Thesaret e Dantes kanë mbërritur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë nga konfiskimet e atyre që u dënuan nga diktatura. Janë mbledhur nga bibliotekat e të persekutuarve në komunizëm, që kanë qenë të arsimuar dhe konsiderohen si thesare kulturore

Rreth 45 libra të rrallë të Dante Alighierit janë ekspozuar në sallën italiane të qendrës “Sotir Kolea”, pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Pjesa më e madhe janë libra të “Komedisë hyjnore”, por nuk mungojnë edhe “Il convito” dhe “La vita nuova”, si dhe disa tituj studimorë mbi Danten e “Komedinë hyjnore” të botuara në anglisht, frëngjisht e gjermanisht. Me botimin më të hershëm që daton më 1806, thesaret e Dantes kanë mbërritur në bibliotekë nga konfiskimet e atyre që u dënuan nga diktatura.

“Një veçanti e këtyre librave janë shënimet e njerëzve që i kanë pasur në biblioteka. Këta libra janë mbledhur nga bibliotekat e të persekutuarve në komunizëm, që kanë qenë të arsimuar. Janë thesare kulturore”, citohet të ketë thënë bibliografja Aida Baro. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përderisa institucionet kombëtare u pasuruan me thesare që iu morën me dhunë kundërshtarëve politikë të sistemit represiv komunist, pak u jepen merita ish të dënuarve. Shpesh e njëjta ka ndodhur edhe me përkthyesit. Por në ditën e Dantes, në bibliotekë u fol për rëndësinë e tij e përkthimin në shqip.

“Na kujton fillimin simbolik të udhëtimit të Dantes  me ‘Komedinë hyjnore’ por edhe peshën e jashtëzakonshme që ka pasur në historinë e mendimit evropian”, ka thënë Majlinda Toçi, zëvendësdrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

“Nga katër përkthime të Dantes në gjuhën shqipe, tre janë në gegnisht. Dhe kjo sepse ‘Komedia hyjnore’ është epike dhe gegnishtja përshtatet me natyrën e rrëfimit të Dantes”, ka thënë Meritan Spahija, përkthyes i Dantes. Librat dallohen për kurimin e kujdesshëm editorial dhe shumë prej tyre janë me ilustrime.

Dante Aligheri ishte një poet, shkrimtar dhe mendimtar italian i Mesjetës, i lindur në vitin 1265 në Firencë. Vdiq në vitin 1321. Ai konsiderohet si një nga figurat më të mëdha të letërsisë botërore dhe “babai i gjuhës italiane”, sepse shkroi veprat e tij në italishten popullore të kohës, jo në latinisht. Vepra e tij më e famshme është “Komedia hyjnore”, një poemë epike që përshkruan një udhëtim imagjinar në tre pjesë: ferri, purgatori dhe parajsa.