“L’Odissea” e 1968-s me Bekim Fehmiun në rol kryesor – e më pas yll botëror – shquhej si seri që i qëndroi goxha besnike veprës klasike të Homerit. E kësaj radhe, filmi i Christopher Nolanit “The Odyssey” i prodhuar me teknologjinë, e edhe deri sa fiku frymën e kësaj kohe, është histori me bazë të njëjtë, por sikur zhvesh pak Odiseun nga legjendat, e bën më të prekshëm. Ose zbut kufirin midis legjendës dhe njeriut. Magjia sikur bëhet më e dukshme, fiks sikurse thuhet dhe në fjalët hapëse të prodhimit që duket të jetë prej më gjigantëve të Nolanit, i cili në trofetë e tij numëron edhe “Oscar”. Në tri ditët e shfaqjes në Kosovë ka thyer rekorde shikuesish, e ardhjes i ka paraprirë edhe historia për kolonën zanore me tinguj shqip
Vigjilencë Islami
Një maket i Kalit të Trojës është imazhi që i pret shikuesit. Është një gjetje për ta futur publikun në botën e rrëfimit ende pa ndezur projektorin. E imazhet e aktorit të Kosovës me nam ndërkombëtar, Bekim Fehmiu, kthejnë publikun tek “Odiseu” që bëri historinë në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Por kësaj radhe, publiku i “Cineplexx” mësyn kinemanë për një tjetër “Odise”, atë të Christopher Nolanit që ka pushtuar ekranet gjithandej globit. “L’Odissea” e 1968-s me Fehmiun në rol kryesor – e më pas yll botëror – shquhej si seri që i qëndroi goxha besnike veprës klasike të Homerit. E kësaj radhe, filmi i Nolanit, i prodhuar me teknologjinë, e edhe deri sa fiku frymën e kësaj kohe, është histori me bazë të njëjtë, por sikur zhvesh pak Odiseun nga legjendat, e bën më të prekshëm. Ose zbut kufirin midis legjendës dhe njeriut. Magjia sikur bëhet më e dukshme, fiks sikurse thuhet dhe në fjalët hapëse të prodhimit që duket të jetë prej më gjigantëve të Nolanit, i cili në trofetë e tij numëron edhe “Oscar”.
“Është një kohë e magjisë së dukshme” është prej fjalëve hapëse të filmit. Dhe, ky paralajmërim është boshti i prodhimit kinematografik që kthen parahistorinë në ekran. Rrëfimi i shekujve 8 dhe 7 para erës sonë është i ditur. Pas luftës 10-vjeçare të Trojës, grekët mposhtin trojanet me hilenë e një kali si dhuratë. Dhe sfida e mbretit të Itakës është kthimi në shtëpi. “The Odyssey” është rrëfim me të cilin regjisori komunikon me gjeneratat e reja nëpërmjet një histori legjendash që zë vend këtu e para rreth 2 mijë e 700 vjetësh. Matt Damon në rolin e Odiseut është besnik i atdheut të tij, Itakës. I bashkëshortes, të birit e bashkëvendësve. Sfida e kthimit në Itakë është histori më vete. Përballet me gjithçka. Nuk ndalet. Nolani qëllimshëm duket se ka zbutur kufijtë e njerëzores me ata të legjendës. Odiseu shpesh ngjan me një njeri të këtyre ditëve që është në një kohë tjetër. Siç edhe ka rrëfyer vetë regjisori e edhe aktori për mediat ndërkombëtare, për këtë gjë kanë punuar shumë. Fotografia në film është diçka që mjeshtërisht e kthen kohën prapa. Është xhiruar në disa vende. Dhe Nolan ia ka dalë të përdorë kapacitetet hollywoodiane për të nxjerrë në ekran një legjendë.
Penelopa, e interpretuar nga Anne Hathaway është historia tjetër brenda tregimit të madh. Përballet me shumë pretendentë të frontit të Odiseut. Qëndron besnike ndaj bashkëshortit, edhe pse s’di nëse ai jeton apo jo gjatë dy dekadave që s’janë parë. Nolan i ka dhënë peshë të madhe djalit të tyre, Telemakut, i interpretuar nga Tom Holland. Ai nuk niset thjesht për të kërkuar të atin, por për dallim nga versionet e tjera ka rol thuajse protagonist.
Përderisa më 1968 te “L’Odissea” si seri televizive e “Rai” një bashkëprodhim me midis Italisë, Francës e Gjermanisë nën regji të Franco Rossit, shqiptarët ishin në film nëpërmjet Bekim Fehmiut, kësaj radhe janë me iso-polifoni. Ky fakt veçse e rrit interesimin e publikut shqiptar për filmin.
“Është thyer rekordi i shitjes së biletave në IMAX, ku tashmë për tri ditë janë mbi 2000 bileta të shitura”, ka thënë drejtori i “Cineplexx”, Milazim Salihu. Fakti që në kolonën zanore të filmit janë të përfshira edhe tingujt nga iso-polifonia shqiptare si dhe fyejt e barinjve shqiptarë është kuriozitet më vete për publikun e këtyre anëve. Iso-polifonia që prej vitit 2005 është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore shpirtërore në UNESCO, tash ka marrë edhe një dimension tjetër global, atë më të fuqishëm, si pjesë e një rrëfimi kinematografik hollywoodian.
Prapaskenat e “The Odyssey”: Nga Homeri tek iso-polifonia shqiptare
Ka qenë vetë kompozitori i kolonës zanore, Ludwig Göransson, që është përcaktuar për këtë.
“’Nuk po bëj një film në stilin e Hollywoodit të viteve ‘50”, kujton Nolan se i kishte thënë Göranssonit. ‘Nëse nuk po ndjekim atë traditë, atëherë nuk ka kuptim të mbështetemi te një orkestër klasike. Prandaj pyetja ishte: çfarë mund të krijojmë në vend të saj?”, ka treguar regjisori gjatë një bisede me kritikun e filmit Birge Ebiri për “New York Magazine”.
Duket qartë se instrumentet klasike si piano, violina apo instrumente të tjera që janë pjesë e një orkestre e që konsiderohen si instrumente të një shtrese goxha të lartë dhe të një periudhe goxha të zhvilluar, nuk i bënin zgjidhje një filmi me rrëfim parahistorik. Kështu instrumentet e frymës prej druri, si fyejt që janë vegla muzikore që edhe i ngjasojnë zërit të njeriut dhe prekin ndjesinë e natyrë bashkë me misteriozen brenda saj, morën vëmendjen e kompozitorit.
Kërkimet e tij e sollën në jug të Shqipërisë. Aty incizoi një stil të lashtë këndimi bashkë me “Të rinjtë e Delvinës”, një traditë kjo shumëshekullore e këngës polifonike, si edhe tingujt e fyejve që barinjtë shqiptarë i kanë përdorur prej mijëra vjetësh. I hyri në punë edhe Vendim Kapaj një interpretues autodidakt i fyellit dhe culës dyjarëshe. Duke u asistuar nga etnomuzikologu shqiptar Vasil Tole ekipi shqiptar i filmit figuron edhe te stafi iu përgjithshëm.

“Qasja e regjisorit Nolan dhe talenti i pacak i Goransson (fitues i çmimit ‘Oscar’ për muzikën e filmit ‘Oppenheimer’, bëri që vëmendja e tyre natyrshëm të kthehej edhe nga traditat muzikore mijëravjeçare të popullit tonë, të Labërisë dhe të Toskërisë, vokale dhe instrumentale. Padyshim, përfshirja e tyre në muzikën e filmit (muzika e interpretuar nga fyejt e Gramshit, grupi i Djemve të Delvinës dhe fyelltari Vendim Kapaj-Vlorë), janë një konfirmim botëror i vlerave të jashtëzakonshme artistike muzikore të popullit tonë”, ka shkruar akademik Tole në rrjete sociale.
Edhe
Shqipëria në kolonën zanore të “The Odyssey” të Nolanit
Te “Odyysey” tingujt nga iso-polifonia shqiptare si dhe fyejt e barinjve shqiptarë janë pjesë e kolonës zanore sa herë që përmendet Itaka.
Në një prej skenave të fillimit të filmit, kur Telemaku stërvitet mbi shkëmbinjtë me detin në sfond, dëgjohen fyejt e Gramshit, njëri që mban ison e tjetri melodinë, duke pasur si mbështetje tingullin e gjatë dhe fyejt e tjerë që krijojnë jehonën akustike polifonike.
“Për mua do të mbetet në memorie data 1 korrik 2025, nga ku së bashku me kompozitorin Ludwing Gorannson dhe me ekipin e tij të regjistrimit, për 5 orë punë intensive, hodhëm pjesë të ndryshme me instrumentet popullore, punë e lodhshme, por shumë e bukur. Faleminderit kompozitor Ludwing Gorannson, që nëpërmjet punës suaj të palodhur, e ndiej veten të privilegjuar, që muzika ime me instrumentet popullore, si dhe tingujt e mrekullueshëm të këngës labe, i bëtë bashkë me artistët e mëdhenj botërorë”, ka shkruar Kapaj në rrjete sociale. Muzika është një vlerë e shtuar e filmit dhe ia shton hijen e legjendave. E krejt prodhimi përshkruhet si diçka jo e pritshme.
“Mendoj që është një version i jashtëzakonshëm. Lojë e përkryer e Matt Damon dhe aktorëve të tjerë. Askush tjetër në botë pos ‘Hollywoodit nuk mundet me na e sjellë në ekran veprat e tilla si kjo!”, ka thënë aktori e producenti Fatmir Spahiu. Sipas tij, filmi ka kaluar pritshmërinë.
“Ishin gati tri orë të jashtëzakonshme!”, ka thënë ai.
Edhe
Matt Damon në trailerin e ri të filmit të Christopher Nolanit
“The Odyssey” i Nolanit për kritikun Bilge Ebiri nuk është vetëm filmi më madhështor i Nolanit për nga përmasat, por ndoshta edhe më i heshturi dhe më melankoliku. Sipas kritikut, ai vazhdon atmosferën e dëshpërimit psikologjik dhe qytetërues që karakterizonte edhe filmin e tij të mëparshëm, “Oppenheimer”, fitues i çmimit “Oscar”.
“Të thuash më shumë, do të zbulonte tepër nga historia”, ka shkruar midis të tjerash ai. Dhe, Noaln që me “The Odyssey” duket se ka dashur të lërë goxha gjëra pa thënë ose t’i thotë me heshtje, duke i dhënë më shumë frymë fotografisë e portretit si rrëfyese, i ka dhënë një dimension të ri kinematografisë hollywoodiane me këtë produksion. Madje, edhe dimensionin e historisë së Odiseut që sa herë shfaqet, ka diçka për të treguar dhe asnjëherë s’i takon veç një kohe.