Shqipëria vazhdon të jetë në fokusin e mediave botërore të cilat e promovojnë si atraksion turistik me plot pasuri natyrore e të trashëgimisë kulturore. Është sërish gjiganti britanik “The Guardian” që sjell shëtitjen nëpër pasuritë e këtij vendi. Të premten, zyrtarët shtetërorë kanë shpërndarë artikullin e shkrimtarit, polak Jacob Mikanowski i shquar për udhëpërshkrimet e tij.
“Të biesh në dashuri me Shqipërinë në syrin e gjigantit britanik ‘The Guardian’, këtë herë jo vetëm si destinacion turistik veror, por me përjetimet e forta të shkrimtarit polak, Jacob Mikanowski, pas turit të tij në vendin tonë, që nga magjepsja e luginës së Valbonës, deri te tingujt rrëqethës të sazeve të jugut”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.
Pikërisht te muzika ia vë theksin shkrimit të tij Mikanowski. “Muzika më përloti”, është titulli i shkrimit të tij që vazhdon me: “Të biesh në dashuri me Shqipërinë”.
“Gjatë katër vjetëve të fundit, kam udhëtuar në 17 vende për librin tim ‘Mirupafshim Evropa Lindore’. Në të, unë përpiqem të përshkruaj një Evropë Lindore të zhdukur, ku pasuria shumëplanëshe kulturor dhe toleranca fetare ishin rregull dhe jo përjashtim. Shqipëria ishte një nga vendet e pakta ku ajo trashëgimi nuk ishte një kujtim, por një realitet i gjallë. Duke e parë vetë atë, kjo gjë më mbushi me shpresë, jo vetëm për Ballkanin, por për Evropën në tërësi”, ka shkruar Mikanowski për “The Guardian”.
Ka kujtuar se do të ndiente një lloj frike përpara vizitës së tij të parë atje, në vitin 2019. “Unë jam polak dhe kam udhëtuar nëpër rajon prej një kohe aq të gjatë, sa të kem përjetuar çdo lloj shqetësimi. Por, unë jam gjithashtu mjaft i moshuar për të kujtuar imazhet e transmetuara nga Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe rebelimit civil që përfshiu vendin në 1997. Edhe pse ka kaluar shumë kohë që atëherë, nuk isha i sigurt se çfarë do të gjeja”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje që nga hyrja e tij në këtë vend. Vazhdon me Korçën e Voskopojën, ku ndal në vizitën e parë. Por, Shqipërisë do t’i rikthehej vitin e kaluar.
Edhe
CNN: Shqipëria, një perlë mesdhetare
“I kënaqur nga udhëtimi im i parë në Shqipëri, vendosa të kthehesha. Jeta dhe pandemia bënë të tyren, por në vitin 2022 u ktheva me bashkëshorten për një turne dyjavor. Filluam me Tiranën. Kryeqyteti i Shqipërisë ka shumë për të rekomanduar, arkitekturë eklektike, gjallëri kafenesh dhe restorante të mbushura plot. Është gjithashtu vendi më i mirë për t’u njohur me periudhën më të errët të historisë së vendit, me mbretërimin 40-vjeçar të Enver Hoxhës, diktatorit stalinist që sundoi Shqipërinë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985”, shkruan Mikanowski. Destinacioni i parë ishte veriu. Thethi së vend të veçantë në përshkrimin e tij. “Shkuam në luginën e Thethit, në Alpet Shqiptare, në kufi me Malin e Zi. Në të kaluarën, Thethi ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e botës nga bora për gjashtë muaj të vitit, duke i dhënë pseudonimin Shangri La i Shqipërisë. Deri vonë, mund të arrihej vetëm nga një rrugë me zhavorr, por e shtruar së fundmi. I gdhendur nga akullnajat, Thethi ka disa nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë. Vitet e fundit, ai është bërë një destinacion për udhëtarët që shkojnë në Valbonë, një luginë akullnajore fqinje (dhe pothuajse po aq piktoreske), që mund të arrihet vetëm nga Thethi, më këmbë”, përshkruan ai. Për jugun shkruan se nuk është vetëm një përzierje e ndikimeve të huaja.
“Ai gjithashtu ka një kulturë të fortë lokale. Vendi më i mirë për ta përjetuar mund të jetë qyteti i Gjirokastrës. Vendlindja e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh të Shqipërisë dhe kandidatit të përhershëm (dhe, për mendimin tim, i vonuar prej kohësh) për çmimin ‘Nobel’ në Letërsi. Ashtu si Berati, Gjirokastra është një thesar i arkitekturës tradicionale – ka shtëpi guri pesëkatëshe, çati rrasash të ndërtuara më shumë se 100 vjet më parë, nga pronarë tokash vendas, secila prej të cilave duket si një kështjellë. Por, Gjirokastra ka edhe kënaqësi moderne”, shkruan ai. Për këngët e jugut “shumë prej të cilave janë vajtime për të larguarit” shkruan se përbëhen nga melodi të ndjera, të kënduara në mënyrë polifonike nën shoqërimin e një violine, klarinete dhe lahute. “Më kujtoi këngën bizantine të përzier me blues, dhe më përloti fill. Kur dola jashtë, u ndjeva edhe një herë mirënjohës që pata mundësinë të vizitoja këtë vend me histori intriguese, me mikpritje të pakufishme dhe me surpriza të pafundme”, e përfundon shkrimin e tij, Mikanowski.