Gjiganti medial amerikan CNN e ka renditur Shqipërinë në listën e 12 destinacioneve turistike për këtë verë. Në rubrikën “CNN Travel” shkruhet se Shqipëria ofron një eksperiencë unike të pushimeve. Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që e ka shpërndarë këtë lajm, të martën nëpërmjet një postimi.
“Shqipëria, një perlë mesdhetare dhe këtë e thotë gjiganti mediatik botëror CNN, që na rendit mes 12 alternativave për t’u vizituar këtë verë, si destinacion i turizmit të qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, duke ofruar eksperiencën unike të pushimeve për vitin 2023”, ka shkruar Rama.
CNN e rendit Shqipërinë mes destinacioneve evropiane dhe botërore, si Tajlanda, Buenos Airesi, Malta, Vjena, Peruja, Los Angelosi, Italia, New Yorku e të tjera.
Në pjesën që i kushtohet Shqipërisë, CNN ka publikuar një foto të qytetit të Krujës.
“Shqipëria është një perlë mesdhetare, që ka të ngjarë të jetë më pak e mbipopulluar këtë verë sesa Greqia dhe Kroacia”, ka shkruar CNN.
Shqipëria ka kohë që ka zënë vend në mediat më të njohura botërore, të cilat eksplorojnë bukuritë natyrore e të trashëgimisë kulturore. Ndër do edhe prestigjiozja britanike “The Guardian”, e cila këtë muaj ka sjellë disa reportazhe që promovojnë pasuritë shqiptare. Njëri prej tyre qe edhe artikulli i shkrimtarit polak, Jacob Mikanowski, i shquar për udhëpërshkrimet e tij. “Muzika më përloti”, ka qenë titulli i shkrimit të tij që vazhdon me: “Të biesh në dashuri me Shqipërinë”.
“Gjatë katër vjetëve të fundit kam udhëtuar në 17 vende për librin tim ‘Mirupafshim Evropa Lindore’. Në të, unë përpiqem të përshkruaj një Evropë Lindore të zhdukur, ku pasuria shumëplanëshe kulturor dhe toleranca fetare ishin rregull dhe jo përjashtim. Shqipëria ishte një nga vendet e pakta ku ajo trashëgimi nuk ishte një kujtim, por një realitet i gjallë. Duke e parë vetë atë, kjo gjë më mbushi me shpresë, jo vetëm për Ballkanin, por për Evropën në tërësi”, kishte shkruar ai për “The Guardian”.