Shikuar nga disa aspekte ambicia e punës së Muhamedin Kullashit në këtë libër është që të ripërtërijë vlerën filozofike të veprës së të menduarit të Claude Lefort, vepër kjo fati teorik i së cilës ka pësuar për shkak të kritikave që ai u drejtonte intelektualëve dhe filozofëve nga e majtase kanë shfaqur një “verbëri të theksuar” në fushën e filozofisë politike.
Verbëri e qëllimshme e cila shprehej në refuzimin e tyre që të bëjnë çështje, në sajë të një analize diferenciale, specificitetin e fenomentit totalitar dhe rrjedhimisht të identifikojë veçantinë e demokracisë si regjim i modernitetit.
Mirëpo, ky hulumtim nuk ka për qëllim të bëjë një apologji të argumentuar të filozofit Claude Lefort. Muhamedin Kullashi zhvillon këtu një hapësirë të të menduarit, ku nuk pranohet një receptim shumë i drejtpërdrejtë i sintaksës së nëntitullit të librit të tij.
Ndryshe nga alternativa e thjeshtëzuar, nga konfrontimi i drejtpërdrejtë, që ka të bëjë me cilësimin tematik të modernitetit tonë politik (si, fjala vjen, prezantimin shumë të qartë të Autorit të konfrontimit midis Habermasit dhe Foucaultsë) – “Zbulimi i disiplinave apo zbulimi i demokracisë” pra ose Foucaultja ose Leforti, autori me subtilitet dhe saktësi, që mbështeten në një njohuri të thellë të temave që i trajton, nuk përgjigjet asnjëherë në terma të lidhjes, Foucault dhe Lefort, e as në terma të hierarkisë, shkruan KOHA.
Ç’është e vërteta, një logjikë e kryqëzimit e organizon zhvillimin e përgjithshëm të veprës, mirëpo ajo shoqërohet me një parim të artikulimit preciz të linjave argumentuese dhe shpesh paralele, ku çdonjëri prej filozofëve që trajtohet, vihet në sprovë të mendimit të tjetrit, në atë mënyrë që paraqiten sa divergjencat e pozicioneve të tyre, po aq edhe pikat e konvergjencave të disa analizave të tyre.
Megjithatë, ndonëse linjat prehen dhe përputhen në disa pika të planit imanent të shtjellimit dhe të zhvendosjes së të menduarit që analizohet, ato nuk ngatërrohen asnjëherë.
Me një rigorozitet të madh, fjala vjen, autori na tërheq vërejtjen që të evitojmë ngatërrimin e përdorimit të rëndomtë të emrave dhe përcaktimit të të kuptuarit dhe shtrirjes së koncepteve. Kësisoj, interpretimi të cilin e propozon Foucault në seminarin e Collège de France, “Pushteti psikiatrik”, mbi përmbysjen e mbretit Georges III, “i cili e humbi kokën nga çmendia”, ka për qëllim të vërë në pah se pas pushtetit të sovranit vjen një “pushtet anonim, i shumëfishtë, i zbehtë, pa ngjyra”.
Kur pushteti pushon të identifikohet substancialisht me mbretin që e ushtron atë, ai shndërrohet në një “makineri” të cilën askush nuk mund të pretendojë më se e zotëron. Atëherë, kjo tezë na kujton idenë e “pushtetit si vend i zbrazët”, pushtet i papërvetësueshëm i demokracisë moderne sipas Lefort; ajo nuk mund të na autorizojë t’i ngatërrojmë të dy doktrinat nga pikëpamja e analizës së tyre të çështjes së pushtetit.