Vështrim mbi librin e akademik Muhamedin Kullashit, “Kosova në hapësirën publike të Francës: Analiza dhe refleksione”, viti i botimit: 2021, botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 266 faqe
Në fillim të këtij viti më ra në dorë libri i akademik Mihamedin Kullashit, “Kosova në hapësirën publike të Francës: Analiza dhe refleksione” të cilin autori e kishte botuar në vitin 2021 si pjesë të botimeve të veçanta të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. S’para shkruaj vështrime mbi librat të cilët i lexoj, por vendosa ta shkruaj një vështrim mbi këtë libër për shkak të vlerave të shumanshme e të pakontestueshme të tij, si në aspektin filozofik, sociologjik, historik, politik e diplomatik. Për shkak se është i botuar në një tirazh mjaft të vogël – vetëm 300 ekzemplarë – sigurisht se ky libër u ka rënë në dorë vetëm një numri të kufizuar të studiuesve të interesuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë gjatë fundit të viteve të tetëdhjeta dhe në vitet e nëntëdhjeta. Aq më tepër, fakti se ky libër merret me praninë e Kosovës, por edhe të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë në hapësirën publike të Francës, e bën atë të jetë me interes të veçantë për lexuesit, për arsye se në Kosovë, qarqet intelektuale të Francës, politika e saj ndaj Kosovës dhe Ballkanit si dhe debatet që janë zhvilluar atje në kontekstin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi gjatë viteve të nëntëdhjeta, mbeten të panjohura për opinionin publik të Kosovës.
E, ky libër, në mënyrë lucide na ofron një pasqyrë analitike të debateve intelektuale e politike lidhur me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë e Serbinë, prej vitit 1991, deri në vitin 2002. Në mënyrë të gjithanshme, autori na e ofron një tablo të detajuar të këtyre debateve, duke mos e lënë anash edhe kontributin e tij personal shkencor e diplomatik si pjesëmarrës aktiv në konferenca të ndryshme shkencore e politike që janë zhvilluar në Francë gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të kaluar dhe në vitet e para të këtij shekulli.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor cilat janë vlerat kryesore të librit të akademik Muhamedin Kullashit, “Kosova në hapësirën publike të Francës: Analiza dhe refleksione”?
Vlera dokumentuese
Nuk ka ndodhur ende në hapësirën intelektuale shqiptare që të dokumentohen në mënyrë të tillë, çfarë e bën akademik Kullashi, ngjarjet shkencore, politike e diplomatike. Kullashi ka regjistruar të gjitha konferencat shkencore, debatet midis intelektualëve, gazetarëve e politikanëve mbi rrethanat politike dhe luftërat në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë. Në aspektin dokumentues, autori, jo vetëm që regjistron konferencat shkencore, tubimet intelektuale, librat shkencorë, opinionet e botuara në gazetat e revistat franceze, por ai në mënyrë të shkathët i ofron lexuesit përmbledhjen e të gjitha atyre mendimeve e debateve, në të cilat ka marrë pjesë edhe vetë, si profesor i filozofisë në universitetet e Francës dhe bashkëthemelues i Komitetit për Kosovën në Paris. Me këtë përmbledhje, lexuesit kanë mundësi të njoftohen në mënyrë mjaft të detajuar me qëndrimet, ndonjëherë edhe kundërthënëse të qarqeve intelektuale të Francës mbi zhvillimet në Kosovë, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë e Kroaci. Aty paraqiten përsiatjet e ndryshme mbi nacionalizmin, identitetin, autoritarizmin e totalitarizmin, gjenocidin, represionin e krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Në këtë kontekst, autori ua paraqet lexuesve theksat kryesorë nga dhjetë konferenca shkencore e simpoziume të organizuara në Francë, ngjarje të ndryshme kulturore e politike, librat e botuar në Francë mbi zhvillimet në ish-Jugosllavi, shkrimet e autorëve të ndryshëm francezë, serbë e kosovarë, polemikat e zhvilluara në mes të mohuesve francezë të krimeve në Kosovë dhe atyre që kërkonin intervenimin ndërkombëtar për të shpëtuar popullsinë civile në Kosovë, evoluimin e qëndrimeve politike karshi statusit të Kosovës e kështu me radhë.
Në këtë aspekt, autori po ashtu bën edhe dokumentimin e qëndrimeve politike të qeverisë franceze lidhur me luftërat në ish-Jugosllavi, duke filluar prej ish-Presidentit François Miterrand, i cili e promovoi një qëndrim proserb, e ministrit të tij të Jashtëm Hubert Vedrine, e deri tek evoluimi i politikës së jashtme të Francës nën presidencën e mikut të madh të Kosovës, Jacques Chirac.
Vlera historike
Libri i akademik Muhamedin Kullashit ofron një pasqyrë të thuktë historike të zhvillimeve politike në Kosovë e ish-Jugosllavi. Prandaj, këtë libër do t’ua rekomandoja historianëve, sepse autori ofron një tablo mjaft nxitëse të zhvillimeve politike prej vitit 1981, kur u mbajtën demonstratat gjithëpopullore me kërkesën e avancimit të statusit të Kosovës nga krahinë autonome në republikë. Analiza historike e autorit bën që këto zhvillime politike, të cilat çuan drejt shpërbërjes së federatës jugosllave, të kuptohen në mënyrë të drejtë përmes marrëdhënies kauzale që çoi në këtë shpërbërje. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për regjistrimin e ngjarjeve kryesore që çuan në shpërbërjen e shtetit jugosllav, por për një analizë historike që na ofron mundësinë të kuptojmë përse këto ngjarje çuan drejt luftërave të përgjakshme dhe shkatërrimit të këtij shteti. Përmes analizës historike, autori bën ndërlidhjen e marrëdhënies shkak-pasojë, duke i dhënë një kuptim shkencor marrëdhënieve kauzale në mes të ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, fillimit të luftërave dhe shpërbërjes së shtetit jugosllav.
Vlera analitike dhe polemizuese
Akademik Muhamedon Kullashi, siç e thotë edhe nëntitulli i librit të tij, bën analizë politike shumëdimensionale të çështjeve siç janë pozita e Kosovës në ish-federatën jugosllave sipas kushtetutës së vitit 1974, ngritjes së nacionalizmit shkatërrimtar serb në gjysmën e dytë të dekadës së tetë të shekullit XX, përkatësia etnike e nacionalizmi, çështjet e identitetit, e të tjera. Vlerë të veçantë ka analiza që autori i bën politikës zyrtare franceze në raport me Kosovën dhe me Bosnjë-Hercegovinën: pra na raport me luftërat në ish-Jugosllavi. Autori, në mënyrë lucide analizon evoluimin e politikës së jashtme të Francës në raport me Ballkanin, prej qasjes tradicionale proserbe të ish-Presidentit Miterrand e deri te qasja më kosmopolite e ish-presidentit Chirac. Ai po ashtu u bën analizë edhe grupacioneve e qarqeve politike majtiste, të cilat ishin apologjetikë të krimeve të Serbisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë dhe të cilat e kundërshtonin intervenimin e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në pranverën e vitit 1999. Polemikat e autorit Kullashi me personalitete të ndryshme franceze që i bënin apologji, apo mohonin krimet e kryera nga Serbia mbi popullsinë civile shqiptare të Kosovës, kanë vlerë të veçantë, sepse në këto polemika, Muhamedin Kullashi ka luajtur një rol, për të mos thënë vendimtar, atëherë mbase kyç, për formësimin e opinionit të intelektualëve francezë, por edhe të opinionit të gjerë publik, në mënyrë që ata ta kuptojnë në mënyrë të drejtë problemin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, krimet e shtetit serb në Kosovë, represionin sistematik ndaj shqiptarëve dhe spastrimin etnik të Kosovës, që sipas autorit, nuk ka filluar vetëm në vitin 1999 kur më se 900,000 shqiptarë u dëbuan me dhunë nga Kosova, por ka filluar qysh në vitin 1990, me spastrimin etnik të institucioneve dhe hapësirave publike të Kosovës. Në këtë rrafsh, qasja e nivelit të lartë intelektual të autorit jep një kuptim të drejtë të proceseve që për qarqet intelektuale dhe opinionin publik të Francës ishin komplekse dhe të pakuptueshme, por edhe të dominuara nga një qasje tradicionale pro-serbe. Në mënyrë lucide, autori hedh poshtë pretendimet e disa intelektualëve liberal serbë, të cilët pohonin se represioni ndaj shqiptarëve ishte pasojë e mungesës së demokracisë në Serbi, pra që pretendonin ta reduktojnë problemin e marrëdhënieve serbo-shqiptare në domenin e demokratizimit, duke argumentuar se politika e Beogradit në raport me Kosovën dhe shqiptarët, nuk është thjesht çështje e mungesës së demokracisë në Serbi, por ishte e ndërlidhur drejtpërdrejtë me ideologjinë nacionaliste serbe të krijuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, Lidhja e Shkrimtarëve e ideologë të tjerë, e cila kishte për synim krijimin e Serbisë së madhe, duke shfarosur të gjithë ata që ishin jo-serbë, përfshirë edhe shqiptarët.
Vlera politike e diplomatike
Libri i akademik Muhamedin Kullashit, “Kosova në hapësirën publike të Francës: Analiza dhe refleksione”, ofron informacione të çmuara mbi zhvillimet politike në ish-Jugosllavi, diplomacinë e Francës por edhe jep një gjë tjetër që është mjaft e çmuar, por që nuk i kushtohet shumë vëmendje te ne: fillet e diplomacisë joformale të Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta. Unë i kushtoj rëndësi të madhe pjesës së fundit, për arsye se edhe vetë, qysh në moshën 23-vjeçare, në vitin 1993 kam filluar të marr pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare mbi Kosovën në Evropë, si dhe në takime me diplomatë të huaj që merreshin me Kosovën, në cilësinë e bartësit të marrëdhënieve me jashtë të Forumit të rinisë së LDK-së. Mirëpo, niveli i angazhimit diplomatik të Kullashit tejkalon diplomacinë e thjeshtë publike që e ka pasur atëherë Kosova, sepse angazhimi diplomatik i Kullashit në vitet e nëntëdhjeta, qoftë si intelektual individual, apo si bashkëthemelues i Komitetit për Kosovën me intelektualë e filozofë të ndryshëm frëng, ka pasur ndikim thelbësor në animimin e qarqeve intelektuale, politike e diplomatike të Francës rreth çështjes së Kosovës. Me pjesëmarrjen aktive në konferenca të ndryshme shkencore e politike, me shkrimet e tij në revista e gazeta prestigjioze të Francës, me intervistat e tij në mediat franceze, me artikujt shkencorë e me polemikat me intelektualë francezë e serbë, Kullashi ka dhënë një kontribut të çmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kuptimin e drejtë në Francë të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Prandaj, mendoj se libri i Kullashit është një vepër e çmuar politike-diplomatike dhe duhet të lexohet nga politikanë e diplomatë kosovarë, jo vetëm për t’i kuptuar më mirë proceset e kaluara, por për të ndërtuar argumente e kundërargumente në raport me propagandën agresive të Beogradit zyrtar e jozyrtar, lidhur me të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Vlera filozofike
Autori i librit, “Kosova në hapësirën publike të Francës: Analiza dhe refleksione” akademik Muhamedin Kullashi, është filozof. Pra, në këtë libër, ai nuk ka pasur se si t’u shmangej edhe përsiatjeve filozofike mbi çështje të ndryshme, të cilat janë aktuale edhe në ditët e sotme. Ai reflekton mbi pushtetin totalitar, nacionalizmin, krimet kundër njerëzimit dhe identitetin. Reflektimet e tij mbi këto çështje janë thellësisht humane dhe shkencore. Për shembull, në analizat e tij mbi ngritjen e nacionalizmit serb dhe pushtetin totalitar ai bën një ndërlidhje në mes të nacionalizmit i cili në thelb krijon pushtetin totalitar, që është në kundërshtim me interesat reale të popullsisë serbe. Në përsiatjet e tij mbi nacionalizmi totalitar, kur bën analizën e regjimit të Millosheviqit nga prizmi i filozofisë së Hannah Arendt mbi regjimet totalitare, autori e cilëson regjimin e Millosheviqit si anti-utilitarist, synimet e të cilit ishin në kundërshtim me interesat reale të vetë serbëve. Ky regjim u mbështet në propagandën e mbi interesin e thjeshtë të serbëve. Kësisoj, megjithëse ai shpalli fushatën për kolonizimin e Kosovës përmes spastrimit etnik të saj, kjo fushatë dështoi sepse serbët nuk kishin interes real të jetonin në Kosovë.
Kur flet mbi identitetin, autori e përkufizon identitetin si qëndrim ndaj të tjerëve. Kësisoj, në Serbi, ky identitet u zhvillua me krijimin artificial të ndjenjës së rrezikimit të serbëve nga të tjerët. Kjo propagandë e fuqishme që filloi në fillim të viteve të tetëdhjeta, u eksploatua nga regjimi i Millosheviqit për të realizuar postulatet e ideologjisë nacionaliste serbomadhe. Autori pastaj jep një tablo analitike mbi politikën e identitetit në ish-Jugosllavi të cilën e ndan në dy pjesë: atë të viteve 1945-1966, kur politika identitare kishte synim krijimin e një identiteti të përbashkët jugosllav të bazuar në ideologjinë komuniste nën një regjim autoritar komunist, dhe periudha prej 1966 deri në vitin 1980, kur u lejua shpërfaqja e veçorive identitare të popujve të ndryshëm. Me gjithë këtë, në thelb të kësaj politike, ishte lufta antifashiste, por edhe ideologjia si lëndë ngjitëse e identiteteve të ndryshme që kohabitonin në hapësirën jugosllave. Autori po ashtu bën një analizë të përgjithshme të çështjes së identitetit në përgjithësi në vendet post-komuniste dhe në Jugosllavi në veçanti. Ai argumenton se konflikti mbi identitetin ishte zhvilluar edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, porse kishte marrë përmasa të dhunshme kur u bë “shkëputja e drejtpeshimit të brishtë” në mes të elementeve konstitutive të federatës jugosllave dhe lejimi i përhapjes së urrejtjes në diskursin publik, sidomos në Serbi. Seksioni i fundit bën një analizë ndërmjet Evropës kulturore dhe Evropës politike. Vlerat kulturore janë të ndryshme nga vlerat politike. Në këtë aspekt, kemi të bëjmë me dy nocione: atë të Evropës dhe atë të Bashkimit Evropian. Pastaj i bëhet një analizë e shkrimeve të mendimtarëve të ndryshëm evropianë mbi nevojën e integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Një pjesë e rëndësishme e trajtimit filozofik të autorit u kushtohet edhe krimeve kundër njerëzimit. Autori, përmes komentimit dhe përmbledhjes së shkrimeve të autorëve të ndryshëm francezë, na e ofron një mësim se si t’i qasemi edhe përvojës sonë nga prizmi i së kaluarës dhe aktualitetit. Në një pjesë të rëndësishme që është aktuale edhe për marrëdhëniet e sotme shqiptaro-serbe, del se shqiptarët sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë viktimë e krimeve serbe, me gjithë ndërrimin e pushteteve, 27 vjet pas përfundimit të luftës. Kjo për shkak, se mohimi i krimit është vetë vazhdim i tij. Këtu autori bën një ilustrim me mendimet e dy intelektualëve francezë, Mongin dhe Garapon, të cilët shpjegojnë qëllimin e shkatërrimit të të gjitha dokumenteve përfshirë edhe të targave, të veturave të të deportuarve shqiptarë, të çdonjërit prej tyre, që do të dëshmonin se kanë lidhje me një bashkësi politike, me njerëzit e tjerë, me vendin e tyre. Kështu do të duhej të fshiheshin të gjitha gjurmët e ekzistimit të tyre. Mohimi edhe një herë i krimit, saktësojnë ata, është vetë procesi i krimit kundër njerëzimit.
Si përfundim, libri i akademik Muhamedin Kullashit, “Kosova në hapësirën publike të Francës: Analiza dhe refleksione”, është një kontribut i çmuar shkencor, historik, filozofik, politik e diplomatik, të cilin ua rekomandoj ngrohtësisht lexuesve të mbarë hapësirës kombëtare shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e veriut, Mal të Zi e në Luginën e Preshevës. Ai është posaçërisht një lexim i dobishëm për studiues të fushave të historisë, politikës, drejtësisë e filozofisë. Me qasjen multidimensionale, autori dëshmon edhe një herë erudicionin e tij intelektual e shkencor, përmes të cilit ai ka krijuar një vepër të çmuar e cila lexohet me një frymë.
Mbi autorin
Muhamedin Kullashi u lind në Pejë, më 29 nëntor 1949. Aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Fakultetin Filozofik të Zagrebit studioi filozofinë dhe letërsinë franceze. Nga viti 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës. Me 1983, në Fakultetin filozofik të Zagrebit, mbrojti disertacionin e doktoratës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë të Henri Lefebvreit. Në vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët e tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb. Nga viti 1992 ligjëron në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Parisit 8. Në vitin 1994, pranë këtij universiteti, mbrojti Habilitimin për udhëheqjen e hulumtimeve shkencore (HDR) para jurisë të përbërë nga: Claude Lefort, Jacques Rancière, Gérard Raulet, Jacques Poulain dhe Michel Roux.
Në vitin 1992, mori pjesë në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris, pranë revistës “Esprit”, bashkë me intelektualët e shquar francezë Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp e të tjerë. Anëtarë nderi të këtij Komiteti ishin edhe filozofët Paul Ricoeur, Edgar Morin, Claude Lefort. Ky Komitet zhvilloi aktivitete në mbështetje të Kosovës deri në vitin 2015.
Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte ambasador i Kosovës në Francë. Në vitin 2012 u zgjodh anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Në vitin 2016, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Botoi në revista shkencore të Prishtinës, Tiranës, Zagrebit, Beogradit, Romës, Parisit, Vienës, Madridit, Montrealit etj. Mori pjesë në një numër të madh konferencash shkencore në Francë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Urugvaj etj. Mori pjesë në projekte hulumtuese kushtuar temave të ndryshme nga historia e filozofisë, etika dhe filozofia politike.
Marrë nga biografia e tij në ASHAK