Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tempujt letrarë të Ismail Kadaresë

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kështjella” vërtet janë “të ngjyrosura në pikëpamje nacionale” dhe apologjike, por edhe kështu ia dalin që lexuesi i huaj t’i pranojë me simpati, sepse janë vepra të mëdha artistike.

“Kështjella”, një roman mbi marshimin osman në Shqipëri dhe rrethimin e selisë së Skënderbeut kundër të cilës turren pushtuesit me një forcë ushtarake e teknikë deri atëherë të paparë, me topa të derdhur risht, eskinxhinj, akinxhinj, kurdë, tartarë, kalmikë, pjesëtarë të “Aradhës së vdekjes”, të cilët nga betejat kthehen ose si fitues, ose të vdekur.

Ndërpresin ujin që furnizon kalanë, mihin tunele për ta pushtuar nga brenda, hedhin minj të infektuar për të shkaktuar murtajë, helmojnë ujin, por nuk ia dalin të marrin kalanë. Skënderbeu nuk ndodhet brenda, është aty afër ose në male, i padukshëm dhe i paparashikueshëm, i gatshëm në çdo moment të sulmojë kampin osman. Sulmet e tij natën shkaktojnë panik dhe vdekjen e qindra ushtarëve të armikut, ua fut tmerrin në palcë. Ashtu siç shfaqet, ashtu edhe zhduket, por edhe mbrojtësit, edhe sulmuesit e dinë se ai ndodhet kudo. Njërën palë që e kaplojnë ethet edhe po t’i përmendet emri, e tjetrën ta trimërojë dhe ta bindë se janë të pamposhtshëm.

Në roman nuk gjen përshkrim të figurës së tij, por ai nuk është i patrajtë. Përkundrazi, identifikohet me popullin. Njerëzit, të cilët sipas traditës dhe ndërgjegjes epike do të kishin më së shumti arsye që ta përjetonin si një qenie mitike, e shohin si një njeri të zakonshëm. E kur si të tillë e përshkruan oficeri osman, i cili e kishte parë gjatë negociatave me sulltanin, simbolika e unitetit të popullit dhe prijësit është edhe më mbresëlënëse dhe më e natyrshme.

(Botuar në gazetën “Vijesti” të Podgoricës. E përktheu nga gjuha malazeze: Zenun Çelaj)

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")