Titujt e njohur si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer” apo “Kronikë në gur” nuk janë thjesht libra. Janë udhëtime të brendshme, kujtime të ngulitura në ndërgjegjen kolektive. Në njëvjetorin e mungesës së gjeniut të letrave shqipe, prania e këtyre librave në bibliotekë është një mënyrë e heshtur për të kujtuar atë që Ismail Kadareja ka lënë pas: një gjuhë që ka guxuar, një mendje që ka parë përtej kohës dhe një penë që nuk është lodhur së shkruari për shqiptarët
Në raftet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku në radhë rrinë botimet e hershme të veprave të Ismail Kadaresë, koha ndalet për pak për t’i lënë vend kujtimit të një shkrimtari që e ka kthyer fjalën në strehë dhe letërsinë në pasqyrë të shpirtit shqiptar. Librat e tij, të zverdhur pak nga vitet, por ende të gjallë në përmbajtje, qëndrojnë aty si dëshmi se fjala e Kadaresë ende flet, ende ndriçon.
Duke i prekur faqet e këtyre botimeve të vjetra, ndihet sikur prek një copë historie – jo vetëm të letërsisë, por edhe të jetës së përbashkët.
Titujt e njohur si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer” apo “Kronikë në gur” nuk janë thjesht libra. Janë udhëtime të brendshme, kujtime të ngulitura në ndërgjegjen kolektive. Në njëvjetorin e mungesës së tij, prania e këtyre librave në bibliotekë është një mënyrë e heshtur për të kujtuar atë që Kadareja ka lënë pas: një gjuhë që ka guxuar, një mendje që ka parë përtej kohës dhe një penë që nuk është lodhur së shkruari për shqiptarët.
Gjurmë kohe në “Gjeneralin...” e vitit 1963
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ruhen dhjetëra botime të veprave të Ismail Kadaresë, të mbledhura ndër dekada, si në botime nga Shqipëria, Kosova, ashtu edhe qendra të tjera evropiane si Parisi, Berlini, Shkupi, Lubjana e përtej.
Ndër to, qëndron me një peshë të veçantë një botim i vjetër i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i publikuar në Tiranë më 1963 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Kjo kopje, më e hershmja që gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga Kadareja, sot e ruajtur në gjendje të përçudnuar, mban mbi vete gjurmë të kohës: vulat e dhurimit, faqet e rrudhura, dhe mbi të gjitha, shënime me dorë – shkarravina në shqip, greqisht e italisht – që dëshmojnë për lexues të shumtë e të larmishëm.
“E veçanta për veprat më të rëndësishme që ruhen nga koleksionet tona prej veprave të Kadaresë është botimi i parë i ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’ i vitit 1963. Libri është në gjendje jo shumë të ruajtur, për shkak se ka qenë në duar të shumë lexuesve, por Biblioteka Kombëtare e ka në plan dhe në projekt t’i restaurojë disa prej veprave të Kadaresë që janë të dëmtuara”, ka thënë për KOHËN Lavdie Mani, ushtruese e detyrës së udhëheqësit në Departamentin për Zhvillimin dhe Përpunimin e Koleksioneve Bibliotekare në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Nga botuesit kosovarë, në BKK ruhet kopja e botimit të dytë të “Gjeneralit...”, i cili është botuar nga “Rilindja” më 1976, e kopja e botimit të parë e vitit 1973 nuk gjendet në sirtarët e bibliotekës, por gjendet ajo e botimit të parë në frëngjisht e vitit 1968, botuar në Tiranë nga “Naim Frashëri”. Botimet e Tiranës i janë bërë dhuratë Bibliotekës së Kosovës, e kjo dëshmohet përmes vulave që mbajnë grafemat “Dhuratë” në fletët e tyre të para.

Libri i parë i Kadaresë i botuar në Prishtinë
Kjo bibliotekë e ruan librin e parë të Kadaresë të botuar në Prishtinë – poemën për fëmijë “Princesha Argjiro”. Qe botuar më 8 tetor 1970 dhe menjëherë i qe bashkuar koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Botuar nga shtëpia botuese e asaj kohe “Rilindja”, pati dalë nga shtypi një tirazh prej dy mijë ekzemplarësh dhe qe shpërndarë në bibliotekat publike shkollore.
“‘Princesha Argjiro’ është libri i parë i Ismail Kadaresë i botuar në Prishtinë nga ‘Rilindja’, në vitin 1970. Është pjesë e koleksionit të një morie librash të letërsisë për fëmijë. Sipas këtyre evidencave, del se ky është libri i parë i veprave të Kadaresë dhe më pas pasuan botime të tjera”, pati thënë para dy vjetësh drejtori i atëhershëm i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku.
Pas dhjetë vjetësh, “Rilindja” pati botuar edhe kompletin e Kadaresë që qe pasuar me vizitë të autorit në Prishtinë. Edhe ky komplet i veçantë me vepra të tij ruhet në BKK që prej vitit 1980.
“Duhet të kihet në vëmendje që koleksioni i parë i veprave të zgjedhura të Kadaresë, në shqip, është botuar së pari te ‘Rilindja’ e Prishtinës në vitin 1980. Parathënia e koleksionit është bërë nga Ibrahim Rugova, i cili veprën e këtij shkrimtari e cilëson që në titull, ‘Arti i dhembjes universale’. Është viti kur Kadare vjen në Prishtinë, në promovim dhe pritet me entuziazmin e paparë. Një shkrimtar identitar nuk mund të mos prekej nga dashuria deri në adhurim për gjakimin e lirisë në Kosovë”, pati thënë akademik Sabri Hamiti në korrikun e kaluar gjatë mbledhjes përkujtimore të organizuar me rastin e vdekjes së Kadaresë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Qenë nderuar vepra dhe personaliteti i Kadaresë, i cili njëherësh ka qenë edhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut prej vitit 1991.
Kulturën shqiptare dhe jo vetëm, e pati prekur kumti i ditëve të para të korrikut të vjetëm. Janë rreth 50 gjuhë që lidhen me emrin e Ismail Kadaresë, e brenda pak kohësh lajmi për vdekjen e një shkrimtari kaq të madh pati marrë globin. Mjeshtri i rrallë i fjalës së shkruar kishte vdekur pas një sulmi në zemër. Ai kishte qenë 88 vjeç. Prej “gjigant i letërsisë” e deri te “romancieri që ia zbuloi shqiptarët botës” kanë qenë epitetet globale që ka marrë pak pas vdekjes. E në hapësirat e veta, midis shqiptarësh, përshkruhej si gjeniu që u kishte munguar këtyre anëve deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Një bibliotekë që pasurohet
Prej botimeve më të hershme të Kadaresë përveç “Gjeneralit...”, Biblioteka Kombëtare e Kosovës posedon librin “Spiritus” të botuar më 1966, “Poeuri e poesie scelte” në italisht, botuar më 1968, “Dasma”, botuar më 1968, “Linja të largëta”, 1971 dhe “Autobiografia e popullit në vargje” gjithashtu më 1971 – të gjitha të botuara nga “Naim Frashëri” në Tiranë. Ajo ruan edhe tituj si “Qyteti i Jugut”, botim i 1971-tës, “Kronikë në gurë”, më 1972, “Motive me diell”, më 1978, botime këto nga “Rilindja” në Prishtinë.
“Kështjella” (1972) është kopja më e hershme e Kadaresë që ruan Biblioteka nga botimet e Shkupit, derisa e dyta është “Princesha Argjiro” e botuar më 1977. Nga botimet e Parisit zë vend në bibliotekë kopja “Avril brise” e vitit 1982, nga Berlini është kopja “Die Schleirkarawane” e vitit 1987, e nga Lubjana është “Viti i mbrapshtë” i 1990-s.
Prej veprave të tjera të Kadaresë që janë nën pronën e Bibliotekës janë “Pallati i ëndrrave” (1999, Tiranë), “Dimri i vetmisë së madhe” (1973, Tiranë), “Prilli i thyer” (1980, Prishtinë), “Dosja H” (1990, Prishtinë), “Koncert në fund të dimrit (1980, Prishtinë)”, e “Tri këngë zie për Kosovën” (1999, Tiranë) mes shumë të tjerash.
Përmes katalogëve manualë, gjithçka në Bibliotekë është e rregulluar me dorë, qysh prej botimeve më të hershme që kanë hyrë brenda saj, mirëpo për ta ditur se cilat kanë qenë botimet e fundit të Kadaresë që i ka pranuar Biblioteka, mjafton të hapet uebfaqja e BKK-së, e cila i ka të regjistruara të gjithë katalogët nga viti 2003 e deri sot, por fatkeqësisht faqja herë pas here nuk është funksionale.
Vazhdimisht, Biblioteka pasurohet me veprat e Kadaresë nga Shqipëria, derisa çdo shtëpi botuese e Kosovës e ka obligim që një pjesë të ekzemplarit t’ia çojë Bibliotekës.
“Biblioteka në vazhdimësi i pasuron fondet e veta me botimet e Shqipërisë, natyrisht në kuadër të këtij koleksionimi ne e mbledhim edhe veprën e Kadaresë të çdo botimi që mundemi. Botimet që dalin brenda Kosovës i marrim gjithsesi, për shkak se ato i kalojnë Bibliotekës përmes ekzemplarit të detyrueshëm që është detyrim ligjor që të gjithë botuesit e Kosovës i sjellin e kanë obligim t’i sjellin nga pesë kopje”, ka thënë Lavdie Mani.
Për Bibliotekën, sipas saj, është shumë e rëndësishme ta kenë të gjithë koleksionin me veprat e Kadaresë me aq sa munden, por ajo ka konfirmuar se Biblioteka nuk i ka të gjithë librat e tij.
“Veprat e Kadaresë janë shumë të rëndësishme, pikërisht për këtë arsye jemi munduar ta koleksionojmë veprën e tij komplet qysh prej botimeve të para, edhe nga botimet e Shqipërisë, edhe ato të Kosovës, brenda mundësive tona dhe kapaciteteve buxhetore e koleksionimit përmes donacioneve, mendoj se e kemi një koleksion goxha të plotë, nuk mund të themi se i kemi të gjithë librat. Kur flasim për koleksionin e Kadaresë, nuk ndalemi vetëm te vepra e tij, por jemi munduar t’i koleksionojmë edhe të gjitha shkrimet që janë për veprën e Kadaresë, por edhe për Kadarenë në përgjithësi, në shqip dhe në gjuhë të tjera”, ka shtuar Mani tutje.
Kosova në veprën e gjigantit
Kadare ka lindur në kohën e Mbretit Zog, vitet e shkollimit të tij kanë prekur periudhën e komunizmit dhe gjatë jetës së tij ka përjetuar edhe shembjen e diktaturës. Ka qenë i përfshirë edhe në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Kosova në letërsinë e shkrimtarit, ka zënë vend ndër letra prej librave të hershëm të tij. Kosovën ai e ka trajtuar në prozë, poezi, libra eseistikë dhe publicistikë. “Krushqit janë të ngrirë”, e botuar pas demonstratave të studentëve kosovarë në vitin 1981, pastaj tregimi “Baladë për vdekjen e J. G.”, që flet për vrasjen e shkrimtarit dhe gazetarit kosovar në Gjermani, Jusuf Gërvalla, në vitin 1982, poezitë shumë të njohura si: “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushë të Kosovës më 1389”, “Atje larg në veri”, “Kosova”, “Terrori në Kosovë”, janë vetëm disa sosh.
Ndërkaq nga librat eseistikë dhe publicistikë që trajtojnë çështjen e Kosovës përmenden ditari për Kosovën “Ra ky mort e u pamë” (1999), “Bisedë përmes hekurash”, (1999) - seria e letrave të shkëmbyera mes Kadaresë dhe Ukshin Hotit, në vitet kur ky i fundit mbahej në burg nga shteti serb dhe eseja “Shqiptarët në mijëvjeçarin e tretë”, por nuk kufizohet me kaq. Për Kosovën, Kadareja ka shkruar e folur sa herë që i është dhënë rasti.
Tokën e Kosovës për herë të fundit e ka shkelur si mysafir i veçantë i edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Qe dekoruar me lloj-lloj dekoratash, dhe mes takimeve, ai do të ndalej dhe te kryetari i Prishtinës. Rama, kishte njoftuar edhe për një plan të tijin që lidhet me nderimin e figurës së Kadaresë.
“Kisha kënaqësinë ta informoja se kam vendosur që një prej bibliotekave të kryeqytetit do ta marrë emrin e tij”, kishte thënë Përparim Rama, duke vazhduar me vlerësimin e veprës së Kadaresë në letërsinë shqipe, por ky premtim deri më tani nuk është realizuar. Ende nuk është dhënë ndonjë njoftim konkret rreth kësaj, edhe më shumë se dy vjet pas.