“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe shumica e veprave të Kadaresë ende janë të pastudiuara sa duhet, ani pse materiali që ofron ky autor kaherë do të duhej të kishte çuar drejt themelimit të një shkence të veçantë në studimet shqiptare, e cila do të përfshinte shkrimet kritike të të gjithë autorëve shqiptarë dhe të huaj mbi veprat e këtij autori. Pasi që vepra e tij është shumëplanëshe dhe me histori botimi jo të zakonshme, mbi të mund të bëhen kërkime letrare, psikologjike, filozofike, sociologjike, historike, politike etj. Dhe krejt kjo do të mund të bëhej nën emërtimin përgjithësues: kadareologji
Ndryshe nga kritika shqiptare që u tregua e kursyer në raport me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, kritika e huaj u tregua më dorëlirë. Robert Escarpit e quan roman të përmasave botërore (Escarpit 1970), Tristan Renaude e vlerëson si epope dramatike, Emanuel Lerohe konkludon se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është një nga librat më të fuqishëm kundër luftës, Horst Köpke konstaton që në këtë roman me temë të veçantë, qëndrimi i shqiptarëve ndaj pushtuesve është korrekt dhe krenar, Alain Bosquet botimin e këtij romani e konsideron ngjarje të papritur në Francë, kurse Kadarenë e vë në nivelin më të lartë në planin evropian, Jean Freustie shprehet kategorikisht se ky libër është aq i bukur, sa që kjo gjë është e padiskutueshme, Gilles Lapouge thotë se ky roman nuk i sakrifikon asgjë realizmit socialist, po kështu edhe J. Pache shprehet se ky roman s’ka të bëjë fare me doktrinën e realizmit socialist.
Më poshtë do t’i shohim kritikat nga Escarpit, Renaud, Elsie, Wackwitz dhe Morgan.
Gjykimi i “Gjeneralit”
Kritiku autoritativ francez, Robert Escarpit, është i pari autoritet letrar që flet për romanin e Kadaresë. Ai e nis duke folur për Shqipërinë reale dhe legjendare, për karakterin dhe gjuhën e shqiptarit, për Nik Martinin si figurë përfaqësuese të popullit shqiptar, pastaj vë theksin te përshkrimi i motit: “Nga kronologjia rigoroze dhe dramatike e tregimit të tij, Kadare ka mohuar pranverën pasi ai refuzon të buzëqeshë. Gjithçka fillon me shi dhe borë, gjithçka mbaron me erë”. Duke e njohur karakterin e shqiptarit, ai lëshohet edhe në një konstatim: “Buzëqeshja gjakftohtë e humorit që e bën armikun e vjetër një kafshë kureshtare, por nuk e trullos, është edhe e gatshme për t’u bërë e përzemërt me kusht që tjetri të bëjë lëvizjen e parë, buzëqeshje shumë njerëzore, guximtare, e besnike, e kujtesës së gjatë dhe e durimit të shkurtër”. Dhe, krejt në fund, konstaton se “Ismail Kadare i jep lexuesit francez një roman të nivelit botëror, çka do të thotë shumë, por, për më shumë, ai roman është zëri i mijëvjeçarit që u flet burrave të Shqipërisë për shekullin e ringjalljes së saj”.
Parathënia e Escarpit nuk ka ndonjë vlerë të natyrës analitike, por ai mbetet shkrimi më i rëndësishëm për “Gjeneralin”, sepse në të për herë të parë kemi gjykimin aksiologjik superior: “Ismail Kadare i jep lexuesit francez një roman të nivelit botëror”.
Tristan Renaud është autor i recensionit të parë frëngjisht (1 prill 1970) për “Gjeneralin”. Recensioni, në të cilin ai merr në konsideratë edhe parathënien e Escarpit, nis me dy fjalë që do të përbëjnë sintagmën vlerësuese të kritikave të mëvonshme jashtë shtetit mbi këtë vepër: “roman i shkëlqyer”. Pason një krahasim me Buzzati-n në planin e procedimit. Mandej shpjegohet se romani nuk ngrihet në simbol për shkak të lidhjes tejet të fortë me realitetin, pra për shkak të një realizmi të rreptë dhe të çuditshëm. Venerohet se rrëfimi edhe pse i përmbahet stilit pavetor të rrëfimit, na sjell një tregim subjektiv. Ajo çka shohim ne nuk është, ta zëmë, Shqipëria e autorit, por ajo e gjeneralit. Theksohet natyra subjektiviste e romanit, shpjegohet shkallëzimi dramatik i tij, që mbështetet në inversion. Gjenerali megjithëse koherent, bën dy veprime irracionale: shkon në një dasmë shqiptare dhe hedh në lumë eshtrat e kolonelit Z. Si gjetje gjeniale vlerësohet detaji për vazhdimësinë e luftës, nëpërmjet vdekjes së Reisit, i cili vdes nga helmimi gjatë zhvarrimit të ushtrisë fashiste. Gjithashtu, theksohet mesazhi humanist i romanit kundër luftërave pushtuese: “Ismail Kadare, përtej ushtrive musoliniane ose hitleriane, që dogjën dhe gjakosën Shqipërinë, vë në shënjestër të gjitha llojet e ushtrive”. Dhe në fund konstaton se ky është një libër tronditës, një epope dramatike dhe thumbuese, ku mezi dallohet shpërfillja nga përbuzja.
Studiuesi kanadez Robert Elsie, në librin e tij “Histori e letërsisë shqipe” (2001), dy paragrafë ia kushton “Gjeneralit”, për të cilin konstaton se është vepra e parë madhore në prozë, edhe tani ndoshta një nga më të mirat e tij e me siguri më e mirënjohura. Pastaj përflet përmbajtjen dhe konstaton atë që vetë autori më vonë do ta quajë “disidencë meteorologjike”: “Shiu që rrjedh teposhtë xhamit të dritares së makinës ushtarake në dispozicion të gjeneralit, është një metaforë e zakonshme në prozën e Ismail Kadaresë. Në kohën e botimit të parë, këto reshje të vazhdueshme dhe shumë detaje të tjera të romanit e bënin atë një hap të dukshëm përpara në letrat shqiptare. Retë gri të ngarkuara me shi, balta dhe realiteti i mërzitshëm e i njëtrajtshëm i jetës së përditshme ishin në kundërshtim të dukshëm me diellin e artë dhe fitoret e ndritura të realizmit socialist. Këtë e bën edhe ‘Gjenerali’. Edhe këtu gjejmë një mjet mjaft fort të pëlqyer nga shkrimtari, i cili, më shumë se kushdo tjetër, do ta nxirrte letërsinë e vendit të vet nga letargjia tematike e stilistike: kështu Shqipëria e vetmuar dhe e përhirët shihet me syrin e një të huaji të pa të keq dhe që nuk e njeh gjendjen. Ky këndvështrim jo vetëm i dha trajtë një vendi evropian, që në atë kohë ishte më i izoluar nga bota Perëndimore se Tibeti, por edhe u ndihmoi vetë shqiptarëve të shihnin atdheun e tyre siç mund ta shihnin të tjerët”(2001: 387).
Kritiku dhe shkrimtari Eric Faye në parathënien që shkruan për “Gjeneralin” me rastin e përgatitjes së veprës së plotë të Kadaresë në një botim ekskluziv nga Fayard, nis me konstatimin mbi ndryshimin e vazhdueshëm të këtij romani: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është pa dyshim teksti i Ismail Kadaresë që ka pësuar më shumë ndryshime që nga lindja e tij. Ai më tutje përmend përpunimet e romanit, përkthimin dhe botimin jashtë shtetit, duke dhënë shenja të kritikës recepsioniste: “Libri u botua më 1970 në Francë, ku menjëherë u bë i njohur nga shtypi dhe nga shkrimtarët francezë si Alain Bosquet e Alexandre Vialatte. Me këtë lule befasuese, Perëndimi zbulon që vendi i vogël i Ballkanit është i aftë të prodhojë kryevepra, në një kohë që Shqipëria për shumë njerëz nuk ishte veçse një sinonim i dogmës dhe i brigadave të punës” (1998: 141). Faye është i pari që vëren modelin e Don Kishotit jo në idetë, por në strukturën e Gjeneralit: “ditari i një ushtari të kthyer në shërbëtor në shtëpinë e një fshatari është një shembull, që të bën të mendosh për ndërtimin e Don Kishotit: novela të futura në roman” (1998: 142). Mandej, konstaton afërsitë ideo-tematike me “Persët” dhe “Shpirtra të vdekur”. Sado që parathënia është e shkurtër, rezultatet e saj janë solide, kur kuptohet që me një hyrje koncize janë prekur elemente shumë të rëndësishme të këtij romani (variantet, modeli, gjinia, struktura, tema, personazhi, epiteksti publik, interteksti, përkthimi, fama etj). Prandaj, kjo parathënie është, në fakt, një studim në miniaturë.
Studiuesi gjerman Stephan Wackwitz, në vështrimin e tij për “Gjeneralin” (2011: 221), pos “realizmit magjik” të Kadaresë, vëren dhe definon edhe strukturën kaotike të qëllimshme të romanit: “libri me jodisiplinë të përsosur artistike e ka derdhur në toposin sugjestiv, fantastik, frikëndjellës dhe erotik të një romantike tmerri, si dhe gërshetimin e qesharakes me të tmerrshmen. Në këtë roman në mënyrë shumë të ndjeshme përzihen momentet e llahtarshme me ato komike. Ndërlidhja mes të frikshmes dhe qesharakes, një element grotesk në kuptimin burimor e përcakton atë dhe shpalos një ngjashmëri të habitshme me kushërinjtë e tij latinoamerikanë. Romani i Ismail Kadaresë është ndoshta kushëriri i vetëm legjitim i librave të tilla si ‘Njëqind vjet vetmi’ i Gabriel Garcia Marquezit”. Wackwitz në këtë roman gjen edhe: elemente të shamanizmit, metodën magjike të rrëfimit, poezinë e filmave të Fellini-t dhe arkaizmin që vjen si kujtesë, apo si mburojë ndaj diskursit mediatik.
Studiuesi australian Peter Morgan në librin “Ismail Kadare, shkrimtari dhe diktatura” (2011) shkruan rreth 20 faqe studim për “Gjeneralin”, studim ky që aplikon tipin e interpretimit ideor të romanit. Analiza e tij sjell këto rezultate: konstaton praninë e elementeve romantike në evokimin e së kaluarës kombëtare, heton forcën e erosit dhe tanatosit në rrëfim, gjen lidhjet politike e mitike në rrjedhën e ideve, veneron elementet disidente të romanit dhe në fund konstaton se buja e shkaktuar nga botimi i këtij romani dhe kritikat e ashpra që iu bënë atij, ndikuan që këtij shkrimtari që kishte tërhequr vëmendjen e diktatorit, t’i bëhej me dije se “muaji i mjaltit me regjimin kishte marrë fund” (Morgan 2011: 89).
Mirëpo, në kritikën e Morgan-it vërehen disa lëshime: version përfundimtar e konsideron atë të vitit 1967, ndërsa një nga citatet e merr nga versioni i vitit 1998, kjo për arsye se ai i referohet botimit anglisht të këtij romani. Po ashtu edhe moskuptimi i diskursit idiomatik shqiptar, ndikon që plakun shqiptar, i cili thotë “kur isha gjallë” (në kuptimin: kur isha ende i fortë), ta marrë për të vdekur. Kështu Morgan e kapërcen pragun e gotikes të cilin vetë Kadare nuk dëshiron ta kapërcejë.
Nga të gjitha kritikat që janë bërë për “Gjeneralin”, deri në dekadën e parë të këtij shekulli, studimi i Morgan-it, në fakt, është më i ploti.
Megjithatë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe shumica e veprave të Kadaresë ende janë të pastudiuara sa duhet, ani pse materiali që ofron ky autor kaherë do të duhej të kishte çuar drejt themelimit të një shkence të veçantë në studimet shqiptare, e cila do të përfshinte shkrimet kritike të të gjithë autorëve shqiptarë dhe të huaj mbi veprat e këtij autori. Pasi që vepra e tij është shumëplanëshe dhe me histori botimi jo të zakonshme, mbi të mund të bëhen kërkime letrare, psikologjike, filozofike, sociologjike, historike, politike etj. Dhe krejt kjo do të mund të bëhej nën emërtimin përgjithësues: kadareologji.
Kryevepra e Kadaresë
Ismail Kadare, ashtu si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj që shkruajnë disa vepra, por që emri i tyre zakonisht lidhet me një vepër më shumë se me të tjerat, shkroi disa vepra të nivelit të lartë, por emri i tij lidhet veçmas me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që është vepra më e përkthyer, më e inskenuar, më e ekranizuar, më e vlerësuar dhe më e lexuar e tij. Kjo vepër nuk ngjan me asnjë vepër të mëparshme shqipe, prandaj, është një revolucion edhe në planin e receptimit. Rekordin e receptimit Kadare e mban nga vitet ’60 e deri sot. Dhe në këtë pritje të madhe që ia bën publiku, pa dyshim kanë ndikuar edhe fama ndërkombëtare dhe çmimet prestigjioze letrare, apo dekoratat që i janë dhënë gjeneralit të letërsisë shqipe.
Nëpërmjet këtij romani kuptohet fati i letërsisë shqipe. Ky fat vërehet në risitë e rrëfimit, në famën botërore që ky roman ua dha autorit dhe letërsisë shqipe. Ndërsa si fat i rëndë vërehet në darët e censurës që u munduan ta këpusin kryet e një kryevepre, e cila për herë të parë letërsisë shqipe ia hapi portat për të dalë jashtë dhe për t’u bërë pjesë e botës.
Pavarësisht tentimeve të diktatorit për ta instrumentalizuar, pavarësisht kërcënimeve të censurës për ta “përmirësuar” dhe pavarësisht kritikës tendencioze shqiptare për ta nënvlerësuar, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka arritur që nëpërmjet shkathtësisë artistike t’i sfidojë të gjitha dhe të korrë suksese të jashtëzakonshme në skenën botërore.
Kështu që, sot “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë është lavdia e letërsisë shqipe në botë.
Pjesë nga “Paradigma e Proteut”, 2012
Botohet me leje të autorit